Mesazh i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, me rastin e 1 qershorit

Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Të shtrenjtë fëmijë nga e gjitha bota!
Një qershori simbolikisht përfaqëson ditën tuaj dhe jam i lumtur që i bashkohem gëzimit të kësaj dite, u bashkohem gëzimeve dhe dëshirave tuaja!
Zoti i Lartësuar ju ndihmoftë të gjithëve, të rriteni me nënë dhe me baba, të merrni nga virtytet më të mira të tyre, të bëheni dijeplotë dhe të keni në çdo rrahje të zemrës, vëmendjen e Tij!
Ne, milionat e besimtarëve bektashianë, jemi sot të gjithë me ju, anekënd botës, duke u lutur për fatet tuaja, duke dashur që zemrat tuaja të jenë kurdoherë të mbushura me dritën e besimit dhe shpresën e pafikur. Sepse është drita e besimit tek Krijuesi, që edhe kur prindërit apo të afërmit tuaj të humbasin qoftë edhe disa çaste vëmendjen, ajo do t’ju ndriçojë udhët, do t’ju  largoj nga të këqijat, do t’ju marr përdore t’u shëtisë në kopshtet e urtësisë.
Të shtrenjtët fëmijë të familjeve bektashiane!
Pranoni urimet e mija më të bekuara për këtë ditë!
Por sipas Prijësit tonë, Haxhi Bektash Veliut, familja dhe vëllazëria bektashiane janë shumë të shenjta. Ndaj ne do ju duam e kujdesemi për juve gjatë gjithë vitit, e kudondodhur dashuria për Krijuesin dhe njëri-tjetrin.
Prandaj le të shtrohemi sot në kuvendet e dashurisë së madhe dhe le të festojmë së bashku!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!

Kryegjyshi Botëror Bektashian,
Hirësia e Tij,
Haxhi Dede Edmond Brahimaj