Pelegrinazh në teqenë e Qesarakës-Kolonjë, me rastin e themelimit të saj në shekullin e XVI.

Ditën e sotme,  7 qershor 2021, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, në bashkëpunim me Gjyshatën Korçë, nën përkujdesjen e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashin, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, zhvilluan pelegrinazhin e përvitshëm në teqenë e Qesarakës – Kolonjë, me rastin e themelimit të saj në shekullin e XVI.
Oborri i teqes ishte i mbushur plot me besimtarë dhe dashamirës, duke treguar se kjo ardhje në teqe dhe rritje e interesimit, përbën jo vetëm një akt respekti ndaj historisë së tarikatit bektashian, por edhe një dëshmi të qartë se besimi ynë në Zot, po vjen duke u zgjuar dhe ringritur.
Teqeja  e Qesarakës ndodhet në fshatin Qesarak, Njësia Administrative Çlirim, Bashkia e Kolonjës. Themeluar nga populli i Qesarakës, për nder të shenjtorit Haxhi Babaj. Historia e tij është sa mitike dhe reale. Ai ka sjell një dorë dhe nga varri i Abaz Aliut në Qerbela dhe ngriti varrin kenotaf për nder të tij, në Çukën e Tomorrit, në vitin 1600. Ndërroi jetë duke udhëtuar për në fshatin Qesarakë dhe ka bërë shumë mrekulli.
Teqeja ka luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare dhe për gjuhën shqipe. Petro Nin Luarasi kishte strehimin këtu. Në vitin 1914, andartët grekë dogjën teqenë dhe arrestuan baba Ibrahim Qesarakën. U rindërtua mbas shumë vitesh.  Teqeja ka qënë tre katëshe, me ndërtesa  dhe bodrume në formë drejtëkëndshi, me mur guri, me rreshta të rregullta dhe ambientet e nevojshme sipas traditës bektashiane. Çatia mbuluar me rasa guri. Tyrbia madhështore, tip kupolë, me një arkitekturë të veçantë pozante, me dritare të mëdha në mes dhe afër kupolës. Pranë saj, varre të baballarëve dhe dervishëve, rrethuar me qiparisa dhe pemë të ndryshme frutorë.
Kanë drejtuar teqenë shumë baballarë të njohur si: Baba Qemal Qesaraka, baba Jahjai, Vëllami i Haxhi Babait, dervish Ahmeti, baba Selmani, baba Shukriu, baba Shabani, baba Ibrahim Shkëmbi.
Në vitin 1940 shërbeu dervish Riza Qesaraka.
Në vitet 1950-1963 shërbeu dervish Ahmet Riza Shkëmbi.
Teqeja u mbyll në vitin 1967, nga shteti monist i kohës, për tu rihapur në vitin 2000, ku u drejtua nga baba Xhemal Shkëmbi, i cili e restauroi plotësisht atë. U shpall monument Kulture nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës me vendim nr. 1886 dt. 10. 06.1973.

 

Fotografi nga Pelegrinazhi i sotëm, 7 qershor 2021: