Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj mer pjesë në promovimin e rrëfimit “KTHIMI” të autorit Dodë Gjergji .

Ditën e sotme, më datë 17 qershor 2021, ora 12:00, në Qendrën Bogdani Polis, në Prishtinë, u zhvillua një aktivitet i veçantë, me rastin e promovimit të botimin më të ri, trilogjisë rrëfimore “KTHIMI” të autorit Dodë Gjergji.
Në mesin e përfaqësuesve më të lartë shtetërorë dhe fetarë në Kosovë, studiuesve, botuesve, miqve dhe dashamirësve të autorit, nderoi me pjesmarrjen e tij, edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Kryegyshi Botëror, pasi bëri një rezyme të librit, shprehu një vlerësim me nota shumë pozitive, për figurën dhe rolin e klerikut të lartë dhe autorit të këtij libri, Dodë Gjergji.
Librat për nga universaliteti i mendimit, i bëjnë nder jo thjesht bibliotekave të feve apo besimeve, por krejt bibliotekave tona dhe shumë gjëra të mrekullueshme është mirë ti ndajmë dhe mos ti lëmë të humbasin.

Përshëndetje e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj
Të nderuar vëllezër të mij, përfaqësues të lartë fetarë në Kosovë!
Shumë i nderuar vëllai im dhe miku i gjithëhershëm i Selisë së Shenjtë Bektashiane!
Të nderuar botues Dom Fatmir Koliqi dhe Fahri Balliu, miq dhe të ftuar!
Ftesa për të marrë pjesë në këtë event, përbën për mua personalisht, emocion dhe rrespekt. Ju falenderoj të gjithëve dhe si Kryegjysh Botëror i Bektashian më lejoni t’ju uroj të gjithëve Zoti i Lartësuar ju dhëntë paqe e dashuri në zemra, begati në familjet tuaja!
Në katër librat e Shenjtë por edhe në krejt atë trashëgimi që na ka mbërritur prej feve dhe besimeve të ndryshëm “fjala” është çmuar si asgjë tjetër. Fjala “ky çelës” gati mitik , ka bërë që brezat të mund të lidhen përmes ëmbëlsisë dhe urtësisë së kuvendeve, përmes bashkëbisedimeve me Zotin dhe njëri tjetrin, duke dëshmuar kurdoherë vëllazërinë në mesin e tyre. Fjala me peshën e madhe të mendimit na ka udhëhequr ndër shekuj, në terrene luftrash e betejash të rrezikshme duke e kujtuar gjininë njerëzore , se pikërisht është ajo e para.
Pas saj, ose më mirë të them atje ku fjalës i merret fryma gjen shtegun e vet lufta. Një libër i ri është i mirëseardhur për këdo lexues . Personalisht ju bashkohem miliona lexuesve të përjetshëm, të cilët shohin përmes fletëve të librit, realitete , personazhe, gjendje të tilla ekzistenciale që as në ëndrra nuk i kanë parë.
Por, kur një libër i ri ka për autor një klerik të lartë, vëllaun tuaj dhe timin, Dodë Gjergjin atëherë ndihem i gëzuar dyfish, sepse kam menduar gjithmonë që në këtë botë, shumë gjëra të mrekullueshme është mirë ti ndajmë dhe mos ti lëmë të humbasin. Nuk kam as më të voglin dyshim se trilogjia “Kthimi” për nga universaliteti i mendimit, i bën nder jo thjesht bibliotekave të feve apo besimeve por krejt bibliotekave tona në gjuhën shqip.
Ndihem krenar miku dhe vëllai im Dodë Gjergji për përkushtimin Tuaj të thellë në fushën e letrave, ngjashëm me atë në fushën e fesë dhe më mbetet t’ju uroj me shpirt: ” Zoti i Lartësuar ju dhëntë vullnet e fuqi për vepra të tjera!” Dija ka qenë dhe do të mbetet e vetmja stoli e jona në këtë botë dhe në tjetrën.
Zoti na bekoftë të gjithëve!
Amin! “