Sot, Inagurimi i hedhjes së themeleve të tyrbes Karbunarë e Vogël (Vendi i shenjtë).

Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Gjyshata e Elbasanit, nën kujdesin e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, organizuan sot, më datë 18 qershor 2021, ora 10:00, një veprimtari në lidhje me inagurimin e hedhjes së themeleve të tyrbes Karbunarë e Vogël (Vendi i shenjtë).
Të pranishën në këtë ngjarje të shënuar ishin, baba Faik Selmani, dervish Ardit Selmani si edhe shumë personalitete fetarë, shoqërore, klerikë, besimtarë dhe dashamirës të bektashizmit.
Ashtu sikurse kjo tyrbe e shenjtë, themelet e të cilës u hodhën sot, një kapitull shumë të rëndësishme në rrugëtimin e tarikatit Bektashian, zë ngritja e shumë teqeve dhe tyrbeve të reja, si edhe atyre të lavdishme, me të cilat dikur  jemi krenuar të gjithë dhe që kanë qënë vatra të bekuara të lëvizjes për liri e mbrothësi, të kombit tonë.
Tyrbja e Karbunarës së Sipërme (Vendi i Shenjtë) ndodhet në juglindje të qytetit të Lushnjës, Njësia Administrative Karbunarë, Bashkia Lushnjë.
Historia e kësaj tyrbe është e hershme dhe lidhet me ardhjen  e  misionarve të ndryshëm në Karbunarë. Qysh në krye të herës, ka shërbyer si rrugë kalimi drejt Jugut të Shqipërisë dhe në këtë vend ka qenë një varrezë e madhe, xhami dhe një tyrbe e vogël, pranë burimit të Hakajve. Dikur Karbunara, sot  e Sipërme, ka qenë edhe qendër e Lushnjës, nënprefekturë. Po kështu, në një hartë italiane të vitit 1937, jepet shenja e tyrbes në Karbunarën e Vogël, pranë varrezës, e cila është prishur përfundimisht, pas çlirimit, kur u krijua kooperativa bujqësore.
Jepen edhe të dhëna gojore, se ka ardhur edhe një dervish nga qyteti i Krujës, duke dhënë mirësinë dhe dashurinë e besimit bektashian. Besimtarët e fshatit, kur kaloi nga jeta, i ngritën tyrben.
Ceremonitë fetare të Bajramit të Madh dhe Kurban Bajramit, Sulltan Novruzit, mbajtja e Matemit dhe dita e Ashures, festohet edhe sot e kësaj dite. Mbas vitit 1990, znj. Nadire Gorovelli, ndërtoi në këtë vend të mirë, një tyrbe të thjeshtë dhe ku çdo qershor, organizohet pelegrinazhi i përvitshëm.  

Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Është kënaqësi e veçantë që jam sot këtu, në Karbunarën e Vogël, pranë jush, pranë gëzimeve dhe shpresave tuaja, ndaj më lejoni t’ju uroj e bekoj: Paçi fat e mbarësi kurdoherë në familjet tuaja!
Sot për herë të parë vijmë këtu në Karbunarën e Vogël-Lushnjë, dhe bëjmë  këtë ceremoni, në hedhjen e themeleve të tyrbes së re. Ky Vend i Shenjtë ka  një histori të hershme, që lidhet me misionarët e ardhur edhe në Karbunarën e Vogël. Në krye të herës në këtë vend ka qënë një varrezë e madhe, xhami dhe një tyrbe e vogël, pranë burimit të Hakajve. Për këtë jepen burime historike dhe të dhënat e pleqve të vjetër, se në Lushnjë ka patur  kisha, xhami, tyrbe dhe teqe. Këtë shtrirje ka patur edhe në zonat rreth Lushnjës, Rrogozhinës, Kavajës, Peqinit, Elbasanit dhe Gramshit.
Sipas të dhënave nga Muzeu Historik i Lushnjës ka vende të shenjta si: Qafa e Murtajës, në ish fshatin Murtajë (sot Mollas), teqe e Matjanit, Garunjë, teqe në Çermë-Shkumbin, teqe e Vogël, në lagjen “Kadri Qystri” Lushnjë, Vendi i Mirë Dushkë,  Gabrian, Këmishtaj, tyrbe e baba Serma në lagjen Hasko të fshatit tuaj etj. Historia e bektashizmit në Lushnjë ka filluar herët, por në vitin 1870 është themeluar teqeja e baba Skënderit. Aty ku sot kemi tyrben e tij brenda qytetit është domethënës. Rrezatimin dhe mesazhet: të dashurisë dhe vëllazërisë, që ka dhënë baba Skënderi mbi besimin bektashian është i njohur në gjithë Lushnjën. Po kështu në një hartë italiane të vitit 1939 jepet shenja e tyrbes në Karbunarën e Vogël, pranë varrezës, të cilat janë prishur përfundimisht pas çlirimit kur u krijua kooperativa bujqësore.
Jepen edhe  të dhëna gojore se ka ardhur edhe një dervish nga qyteti i Krujës e ka qëndruar një periudhë kohe. Ceremonitë fetare të Bajramit Madh dhe Kurban Bajramit, Sulltan Nevruzit, mbajtja e matemit  dhe dita e Ashures kanë mbetur të gjalla në memorjen  e besimtarëve dhe dashamirësve të fshatit Karbunarë e Vogël.
Motra dhe vëllezër!
Besimi bektashian na ka dhënë forcë dhe na ka mbajtur gjallë, në vitet më të vështirë të diktaturës që kaluam. Ky besim na shumfishon forcat për t’u paraprirë zhvillimeve të sotme të jetës njerëzore, duke iu afruar sa më shumë vemendjes së Krijuesit. Vetë doktrina bektashiane, në thelbin e saj përveç dashurisë së Krijuesit, përmban në vetvete një varg tiparesh të mrekulleshëm, siç janë dashuria për vatanin, për vëllanë që ke në krah, për diturinë, për familjen e shëndoshë dhe me moral të lartë. Bektashinjtë mbajnë moton “Pa atdhe nuk ka fe”.
Sot duke bërë këtë ceremoni ne kujtojmë dhe ruajmë gjallë, gjurmët  e mësimet e dervishit, të baba Skënderit dhe pasuesve të tij, që mbollën dashuri, mirësi, vëllazëri e harmoni në këtë Vend të Shenjtë. Me këtë rast dua të falenderoj përkushtimin dhe dashurinë për besimin bektashian që ka punuar këto vitet e fundit znj. Nadire me të afërmit e saj dhe zonjushen Brunilda Gorovlli në  ringjalljen e bektashizmit në këto katër vite pelegrinazh dhe në përhapjen e frymës të vëllazërisë dhe shpresës.
Sot është një ditë e veçantë se hidhen themelet e tyrbes së re sipas rregullave bekashiane. Me këtë rast ju urojmë të gjithëve, shëndet dhe dashuri të duam njeri-tjetrin dhe punime të mbara në ngritjen e tyrbes.
Gëzuar  këtë ditë të shënuar!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin!