Ranë viktima të diktaturës, 4500 të zhdukur nuk kanë varr, të përndjekurit: Të krijohet parcela e kujtesës në Tiranë.

Pëfaqësuesit e unionit të të përndjekurve politikë kërkojnë krijimin e një parcele përkujtimore për 4500 personat e zhdukur gjatë periudhës së diktaturës.
Besim Ndregjoni, president i unionit të ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë tha se pas 30 vitesh ka një heshtje të politikës dhe drejtësisë, ndërsa shtoi se krijimi i një hapësire përkujtuese për personat që nuk kanë një varr është detyrim.
“4500 familje shqiptare ka 30 vite që luten për të pasur një varr dhe atë varr nuk e kanë. Do ndërtojmë një parcelë kombëtare të kujtesës pas Universitetit shtetëror të Tiranës, ku emrat e 4500 të zhdukurve të rreshtohen në pishtarët e lirisë,” – tha Ndregjoni.
Përfaqësuesit e Komuniteteve Fetare e përshëndetën këtë iniciativë, në shenjë kujtese për personat, të cilëve regjimi u mori jetën në mënyrë makabre.
Vlen të theksohet, se në mes të këtyre 4500 të rënëve, 83 ishin bektashinj.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, njëkohësisht dhe Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë,  në fjalën e tij, ndër të tjera u shpreh: ” Varrezat tregojnë një zhvillim të njerëzimit në kohë të ndryshme. Prandaj Profeti Muhamed a.s ka një thënie shumë të bukur: – Të humbtë varri.  Kur të humb varri, humb dhe kombi, humb gjithçka. Unë uroi që bashkarisht ta realizojmë këtë ëndërr të atyre njerëzve që nuk e kanë varrin, që të jetë një memorie për kombin shqiptar, shtetin shqiptar dhe rininë shqiptare, ta dijë se si kanë kaluar periudhën komuniste vendi ynë dhe se ndërgjegjia e kombit nuk mund të jetë e qetë, pa kujtuar dhe respektuar të drejtat e atyre që ndihmuan, për këtë vend. “
Familjarët e 4500 të zhdukurve, luten çdo ditë për një varr, ku mund të ndezin  një qiri, në nder të të rënëve, ndaj edhe të përndjekurit theksuan se krijimi i një këndi përkujtimor, kërkon vëmendje nga institucionet.