Ditën e sotme, më datë 4 korrik 2021, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mori pjesë në përurimin e tyrbes së re në teqen e njohur të Koshtanit në Tepelenë.
Ngritja e kësaj tyrbeje në këtë vend të bekuar, është një grusht dritë më shumë, në jetën fetare dhe njerëzore të atyre dervishëve dhe baballarëve fjalëpakë dhe punëshumë, të cilët përballuan sakrifica nga më të ndryshmet.
Prej ditës së sotme, në këtë tyrbe do të prehen eshtrat e baba Sadik Horasanit, baba Ismail Ruçit, baba Kaso Hamanikaj dhe dervish Muharrem Dervishi.
Teqeja e Koshtanit, ka një histori shumë të vyer, me të cilën vlen të merren jo vetëm studiuesit shqiptar të bektashizmit, por edhe ata të huaj, pasi nëpërmjet shtresëzimeve historike, vijnë mesazhe të kulturave të ndryshme, të identiteteve të ndryshëm kulturor dhe realiteteve po ashtu të ndryshëm, të krahinës së Tepelenës.
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
” Të nderuar vëllezër të mij, klerikë dhe besimtarë bektashianë!
Të nderuar myhibanë dhe dashamirës të teqesë së lavdishme të Koshtanit!
Jam i lumtur që jam sot në këtë vend historik dhe është kënaqësi e veçantë të jemi të githë bashkë në një ngjarje si kjo e sotmja. Zoti i Lartësuar, familja e ndritur e Ehli- Bejtit dhe mezaret e këtyre baballarëve, na qofshin ndihmë për jetë, në udhëtimin tonë shpirtëror dhe njerëzor!
Teqeja e Koshtanit, përbën një rast unik në objektet e kultit të krejt Tepelenës. Misioni i saj i pa ndarë, për edukimin e brezave me dashurinë për Zotin dhe dashurinë për atdheun, e ka renditur këtë prehtore paqeje, në piedestalën më të lartë të vlerave bektashiane, duke bërë që zëri dhe fama e saj, të shkonte dikur deri në Janinë. Dervishët dhe baballarët e kësaj teqeje, duke parandjerë afrimin e lëvizjes autonomiste shqiptare, vlerësuan me shpirt dhe mendje, se këtij populli i vlenin njëkohësisht pushka dhe dija. Çelja e të parës shkollë shqipe në këtë teqe, për djemtë e Tepelenës dhe Mallakastrës, mbetet padyshim, një akt i mirëfilltë i thënies profetike se “ pas evlijave vijnë dijetarët”. Dija e shpërndarë nga baballarët e Koshtanit u dha dritë brezave.
Por ne, si Seli e Shenjtë Bektashiane, kemi menduar dhe gjykuar se historia dhe tradita vlen të pasurohen dita-ditës. Prandaj në çdo moment, mbetemi të kujdesshëm që kjo histori të mos mbetet vetëm në arkiva, por të marri jetë përmes veprave të reja. Në këtë kontekst, ngritja e kësaj tyrbeje në këtë vend të bekuar, është një grusht dritë më shumë, në jetën fetare dhe njerëzore të atyre dervishëve dhe baballarëve fjalëpakë dhe punëshumë, të cilët përballuan përmes sakrificave nga më të ndryshmet, furtunat turke, greke, gjermane dhe italiane, për ta mbyllur paskësaj me tajfunin ateist të viteve 1967-1990.
Prej ditës së sotme, në këtë tyrbe do të prehen eshtrat e baba Sadik Horasanit, baba Ismail Ruçit, baba Kaso Hamanikaj dhe dervish Muharrem Dervishi. Jeta dhe vepra e tyre, do të kujtohen dhe jetojnë brez pas brezi, jo vetëm për shkëlqimin që i dhanë kësaj teqeje të Haxhi Bektash Veliut, por edhe për shërbimet që i bënë tarikatit tonë, në mënyrë të veçantë 195 vjet më parë, në goditjen më të dhimshme që pësuan prej otomanëve. Nder dhe respekt të përjetshëm, për këta çirakë të pafikur të bektashizmit botëror!
Motra dhe vëllezër të mij!
Ringritja e teqeve dhe tyrbeve, pa dyshim përbëjnë ngjarje të gëzueshme për të gjithë ne. Por këto objekte kulti nuk mund ta kryejnë misionin e tyre, pa praninë tuaj, pa ndihmën tuaj, pa sakrificat tuaja. Mua më vjen shumë mirë, që juve u kini ardhur në ndihmë vëllezërve të mij, baba Faikut dhe dervish Admirit, sepse
po të jemi bashkë gjithmonë do të bëjmë mrekullira. Gjej rastin gjithashtu të falenderoj edhe baba Abdyl Shehaj, kontributi i të cilit në këtë teqe është mjaft i vyer.
Edhe një herë faleminderit që erdhët sot në këtë ngjarje të madhe!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Amin! “