Ditën e hënë, më datë 5 korrik 2021, një delegacion teologësh nga kryeqyteti i Zvicrës, Bern, zhvilloi një vizitë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë, në Tiranë, ku është pritur nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Kryegjyshi Dede Edmond Brahimaj, pasi i ka uruar mirëseardhjen, i njohu miqtë me udhëtimin shpirtëror të bektashinjve prej vitit 1930, kur Qendra Botërore u vendos në Tiranë dhe deri më sot si dhe u bëri me dije gjithashtu, për sakrificat e panumërta të klerikëve bektashinj, kontributin e tyre për liri e pavarësi, si edhe urtësinë për t’iu afruar me devocion Krijuesit.
Kryegjyshi i bëri dhe një vizitë në mjediset e Odeonit (qendër fetare-kulturore), ku i njohi nga afër me muzeun e bektashizmit, bibliotekën, arkivin, fototekën/fonotekën, galerinë etj.
Drejtuesit e delegacionit pasi shprehën falënderimet për pritjen, vlerësuan lart kontributin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si në kontekst të harmonisë fetare, dialogut ndërfetar, ashtu edhe sfidat e lirisë së besimit dhe të fesë, gjë e cila, kanë vënë theksin ata, mund të merret edhe si model nga shumë vende të Europës.
Delegacioni i cili shoqërohej nga z. Rubin Gjeci, imam në Fribourg dhe përgjegjës për Dialogun Ndërfetar në Forumin e Organizimit të Jetës Fetare të myslimanëve në Zvicër, po zhvillon një vizitë disa ditore në Shqipëri dhe Kosovë, për t’u njohur më mirë me modelin e bashkëjetesës ndërfetare te shqiptarët, duke zhvilluar vizita e takime në komunitetet fetare dhe institucionet arsimore të themeluara prej tyre.