Ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Krujës” (pas vdekjes) dy Klerikëve Bektashian, Dede Ahmet Brataj(Ahmata) dhe Isuf Kërçini (Dervish Sufa).

Ditën e sotme, më datë 10 korrik 2021, ora 10:30, në ambientet e Restorant Panorama, në qytetin e Krujës, u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” (pas vdekjes ), dy Klerikëve të Besimit Bektashian, Dede Ahmet Brataj (Ahmata)  me motivacionin “Për shërbimin e gjatë dhe besnikërinë e veçantë ndaj besimit bektashian dhe emrin e nderuar që krijoi dhe gëzojë, si një nga klerikët që respektoi krutanët dhe u respektuar dhe u nderu prej tyre ” dhe Isuf Kërçini (Dervish Sufa) me motivacionin “Për shenjtërinë dhe kontributin e veçantë të manifestuar si dijetar i besimit bektashian dhe emrin e nderuar që gëzon, si një nga klerikët më të spikatur e të denjë të këtij besimi në përhapjen dhe mbrojtjen e Bektashizmit në qytetin dhe rrethinat e Krujës”.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë, pjesëmarrës të Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë Krujë, klerikë,  intelektualë, personalitete të njohur të qytetit dhe besimtarë të shumtë bektashianë.
Në fjalën e rastit, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, shprehu respekt dhe nderim për Këshillin Bashkiak dhe Bashkinë e Krujës, të cilët vlerësuan dhe nderuan me titullin “Qytetar Nderi” këto figuara të shquara dhe të vlerësuara të Bektashizmit.
Gjithashtu këtë ceremoni  e përshëndetën edhe Kryetarja e Këshillit Bashkiak Krujë znj. Besa Sheta dhe Drejtori i Burimeve njerëzore z. Mehmet Deliu, ku në fund i dhuruan Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj, edhe dekoratatat me titujt përkatës për të dy klerikët. 
Në fund të ceremonisë u organizua një koktej.

Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Është kënaqësi e veçantë për mua, të marr pjesë në këtë event dhe do të më lejoni, që në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, t’ju përshëndes dhe uroj: Paçi fat e mbarësi në gjirin e familjeve tuaja! Shëmbulli i familjes së ndritur të Ehli-Bejtit dhe ai i Shenjtorëve bektashianë le të na ndriçojnë të gjithëve, udhëtimin tonë për tek Haku!
Dhënia e titullit të lartë “Qytetar Nderi” për dy klerikë të shquar bektashian, është sot një emocion jo vetëm për bashkinë e Krujës, por edhe për të gjithë ne, klerikë, myhib dhe dashamirës të bektashizmit. Është emocion dhe krenari së bashku, sepse vlerësohen dy shenjtorë që mbajtën mbi supe peshën e rëndë të sakrificave për t’i shërbyer Zotit dhe robit, për t’i mërguar besimtarët nga errësira e padijes dhe për t’i bashkuar ata në tarikatin e paqtë gati 800 vjeçar. Është padyshim krenari e ligjshme për të gjithë ndjekësit e Haxhi Bektash Veliut dhe vëllazërinë që bashkon shpirtrat.
Dede Ahmet Brataj (Ahmataj) ndonëse pati një fëmijëri dhe rini të vështirë, ia hapi zemrën bektashizmit deri në çastin e mbramë. Lindur e rritur në një trevë si Vlora, ku gurra bektashiane ka gurgulluar jetë e mot, djaloshi nga Brataj, u mëkua qysh herët me dashurinë ndaj Krijuesit, si edhe vëllanë e udhës. Si rrallë ndër tarikatet e tjerë, në bektashizëm, vëllai i udhës, është identifikuar kurdoherë me vëllanë biologjik, atë prej nëne dhe babe, çfarë ka bërë të mundur një bashkim të përjetshëm të shpirtrave për në devocionin ndaj të Gjithëmëshirshmit.
Mësimet e para fetare, Ahmeti ynë i merr në teqen e Bllacës, për t’u konsakruar dervish disa vite më vonë nga i shquari Sali Niazi Dede, Kryegjysh Botëror në atë kohë. Nisur nga ngjarjet që kalonte Shqipëria, por edhe nga porosia e Haxhi Bektash Veliut se “bektashinjtë duhet t’u dalin zot, fateve të vatanit” ai rreshtohet në vitet 1941-1944 në radhët e luftëtarëve të lirisë, për t’iu rikthyer besimit dhe teqeve, sërish në vitin 1945.
Në vitin 1947 me vendim unanim të klerikëve zgjidhet në postin e Kryegjyshit, duke drejtuar për 11 vite me radhë. Kontributi i tij  në këto vite është lehtësisht i lexueshëm, po të shihen zhvillimet bektashiane, sidomos në aspektin e njëlloj ateizmi që donte të kultivonte partia-shtet.
I vendosur të qëndrojë i dlirë në rrugën e Hakut, Dede Ahmeti në mënyrë fare të hapur iu kundërvu direktivave të kohës për fenë në përgjithësi. Diktatura që kaluam , përmes segmenteve shtetëror të caktuar, ka bërë çfarë ishte e mundur, të shkurajonte dedein tonë, por nuk ja arriti dot qëllimit. Veprimi i urtë por energjik i këtij kleriku, duke u përballur me realitetin e mbrapshtë, bëri që bektashizmi të mbetej i papërlyer në misionin e vet. Ka qenë kjo arsyeja që së bashku me dervishin e tij besnik, Reshat Bardhin, në verën e vitit 1958, këta të dërgoheshin të internuar në teqen e Drizarit, në Mallakastër, duke dënuar ata shpirtra, të dlirë dhe të lirë.
Se çfarë hoqën ata në Drizar e di Zoti lart në qiell. Por e dini edhe ju, vëllezër të mij. Sepse shumë nga nënat dhe baballarët krutanë, fshehurazi regjimit, kanë shkuar me dhjetra herë në teqen e Drizarit, duke çuar atje ushqime dhe duke marrë prej atyre dy burrave shpresën e pafikur të bektashizmit. Mirënjohje për jetë të gjitha familjeve krutane, të cilat jo vetëm në vitet 1958-1967, por edhe kur feja u ndalua me ligj, u kujdesën për këta dy klerikë, sipër dy shenjtorë. Uratat dhe bekimet e tyre le t’i shoqërojnë këto familje krutane në krejt udhëtimin e tyre shpirtëror dhe njerëzor!
Motra dhe vëllezër të mij!
Është momenti sot të them diçka edhe për dervishin kalander Isuf Kërçini, ose siç i kanë thirrur brez pas brezi në këto anë, Dervish Sufa. Mësimet e para, ky djalosh i dashuruar pas dijes, i pati marrë në xhaminë e Varroshit, këtu në Krujë, por shkëndijat e para të tarikatit i pati provuar në teqen e famshme të Shememi- Babait. Gjurmët e historive të vjetra të kësaj teqeje, do të ndërthureshin me vullnetin e Isufit të vogël, për të trokitur qysh herët në të fshehtat e mistikës bektashiane dhe për të bashkuar filozofinë e tarikatit me hallet njerëzorë të bashkëkohasve të vet.
Më tej, ai u rrit me frymën e myrshidit të tij, klerikut dhe atdhetarit të shquar baba Ismail Subashi, për të cilin atdheu dhe feja ishin të pandarë në asnjë rrethanë. Kjo frymë liridashëse ushqeu breza të tërë besimtarësh jo vetëm në teqetë e Krujës, por në krejt viset iliro-shqiptare, ndonëse autoritetet vendore turke e patën thirrur dhe këshilluar baba Ismail Subashin, ky dhe dervish Sufa tanimë e kishin shndërruar shqiptarinë në veprim konkret dhe sakrificë sublime. Është kjo arësyeja që në fund të shekullit të 19-të të dy këta klerikë internohen plot dy vjet në Shkretëtirat e Azisë, prej otomanëve. Sidoqoftë, kthimi i tyre në atdhe, u prit me gëzim nga e gjithë Kruja dhe misioni i tyre atdhetar vijoi.
Që nga dita e kthimit të tij në vendlindje dhe deri në prillin e vitit 1933 që u largua nga kjo botë e përkohshme, zemra e dervish Sufës rrahu për bektashizmin, për kombin, për paqen që të fal shpirti i pastruar nga gjërat vekshme të kësaj bote.
Në çdo teqe të trevës së Krujës, emri dhe fama e këtij dervishi janë shkruar me gërma të arta, siç ndodhen po ashtu, të shkruar edhe në shpirtrat e ne të gjithëve, sepse kohrat ikin dhe shuhen, veprat mbeten.
Të nderuar të pranishëm!
Pamvarësisht se dede Ahmeti dhe dervish Sufa kanë jetuar në epoka të ndryshme, ata janë vendosur sot përkrah njëri-tjetrit, falë veprës madhore të tyre. Në kënaqësinë më të thellë, unë falenderoj sot edhe këshillin bashkiak të Krujës, këta intelektualë që mirëfilli shfaqin respekt për vlerat tona shpirtërore. Në emër gjithashtu  të gjithë klerikëve bektashianë, anekënd botës, unë ju them se nderi dhe krenaria e krutanëve, shkon sot për të gjithë brezat e klerikëve tanë, të atyre të djeshmëve dhe të këtyre, të sotmëve, sakrificat e të cilëve nuk mungojnë.
Edhe një herë ju faleminderit të gjithëve!
Zoti ju bekoftë!
Amin!