Sot, 231 vjetorit i themelimit të teqesë së Gjakovës.

Sot, mbushen 231 vjet nga themelimit i teqesë së Gjakovës.Teqeja e Gjakovës është themeluar në shek. XVIII nga Shemsetin Baba nga vëllazëria saadi, i cili ka merita për kthimin e kësaj teqeje në rendin bektashian. Baba Shemsetin shërbeu nga viti 1790 deri në vitin 1820. Kjo teqe ka një histori të tërë me dervishët dhe baballarët e saj, të cilët kontribuan dhe mbajtën gjallë besimin bektashian. Klerikët që shërbyen në këtë teqe janë gjithsej deri sot, 12 baballarë, që nga baba Shesmetini, në shek. XVIII, deri tek baba Mumimi në 26 janar 2021. Teqeja ka dhënë kontribute dhe për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në vitet 1878-1881. Veprimtaria e tyre spikat në çdo periudhë dhe ka lënë gjurmë në historinë e saj, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Përveç ceremonive fetare, ka mbajtur gjallë edhe veprimtarinë atdhetare. Baba Qazimi, që ishte mësuesi i dervishëve të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë në vitin 1941, pati fatin të jetë kleriku që mbajti gjallë lidhjen me bektashinjtë e botës në kohën e vështirë të komunistëve. Ai mbante lidhje me teqenë e Detroitit, të baba Rexhebit dhe baba Bajram Gurakuqit nga Gjakova, i cili kishte shërbyer në teqenë e Kajros. Baba Qazimi, si klerik e atdhetar i shquar, njihet për përkthimet e shumta dhe veprat e ruajtura në bibliotekën e teqesë së Gjakovës. Teqeja, në kohën e regjimit të ashpër serb, funksionoi edhe si shkollë për maturantët e gjimnazit të Gjakovës. Shërbeu edhe si vend tubim për manifestimet e ndryshme historike. Në këtë teqe është mbajtur edhe një përvjetor i Lidhjes së Prizrenit.
Me 7 maj 1999 teqeja e Gjakovës është djegur nga ushtria serbe. Më e dhimbshmja ishte biblioteka, në të cilën kishte shumë libra me vlerë dhe shumë dorëshkrime të baballarëve që kishin shërbyer në Gjakovë. Me ndihmën e dashamirësve të bektashizmit, teqeja u ndërtua e re. Edhe sot kryhen shërbimet fetare bektashiane. Ajo është një monument i gjallë kulture, fetare dhe atdhetare për Kosovën.
Ritet tradicionale të këtij eventi përkujtimor, për shkaqe objektive, nuk do të zhvillohen sot, por më 27 korrik 2021.

Përgatiti:
Nuri ÇUNI

Klerikët që kanë shërbyer në teqenë e Gjakovës

Baba Shemsi 1790-1820, drejtoi teqenë 30 vjet.
Gani Babai ,1820- 1840, drejtoi teqenë 20 vjet.
Haxhi Adem Plaku, 1840-1894, drejtoi teqenë 54 vjet.
Baba Abdurrahmani, 1894-1896, drejtoi teqenë dy vjet.
Baba Shemsiu i Ri, 1896-1908, drejtoi teqenë, 12 vjet.        
Baba Hafizi 1908-1927, drejtoi teqenë 19 vjet.
Haxhi Adem Baba i Ri, 1927-1912 drejtoi teqenë 25 vjet.
Baba Hamzai, 1912-1952, drejtoi teqenë 40 vjet.
Baba Qazim Bakalli, 1946-1981, drejtoi teqenë 35 vjet.
Baba Musa, 1953-1975, shërbeu në teqe 22vjet.
Baba Tajar Gashi,  1981-1994, drejtoi teqenë 13 vjet.
Baba Mumin Lame, 1996-26 janar 2021, shërbeu 25 vjet.
Dervish Raufi, mars 2021.

Dervish Raufi

Me 7 maj 1999 teqeja e Gjakovës është djegur nga ushtria serbe
Perurimi 2007