Ceremonia e Ashures në Sari Salltik, Krujë

Është kremtuar dje, 6 shtator 2021, në teqenë bektashiane, në Sari Salltëk, Krujë, ceremonia tradicionale e Ashures. Të pranishëm në këtë ditë të shënuar ishin Kryegjyshi Botëror i  Bektashinjve, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, klerikë, personalitete të lartë,  besimtarë si dhe shumë dashamirës të bektashizmit. 
Kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë besimtarët bektashinj. Dita e Ashures cilësohet si dita e martirizimit të Imam Hysejnit, i cili u rrethua në shkretëtirën e Qerbelasë 1400 vite më parë dhe u vra së bashku me një numër të madh besimtarësh të tjerë, për të shpëtuar fjalën e vërtetë të Zotit dhe Islamin.
Në këtë ditë të bukur, ku dielli shkëlqente në majën e malit të Krujës, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka dhënë mesazhe paqeje, mirësie dhe dashuri për të gjithë, në këto kohë të vështira që po kalojmë. Ai është përshëndetur me njerëzit ku ka dhënë dhe ka marr shumë urime.
Gjithashtu, për të gjithë të pranishmit u shpërnda ashure, e cila është ëmbëlsira e posaçme, që merr emrin e kësaj dite.
Festa të tilla bashkojnë jo vetëm besimtarët, por mbarë njerëzit, ndaj është e rëndësishme që ato të kalohen në harmoni dhe me personat e dashur.