Dede Edmond Brahimaj: Si ideuam dhe realizuam projektin “Viti i Naimit”, (25 maj 2020-25 maj 2021), përmbledhur në një libër të veçantë

INTERVISTË NË GAZETËN “DITA”, E KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, PËR “VITIN E NAIM FRASHËRIT” DHE LIBRIN  “NAIM FRASHËRI, APOSTULL DHE BILBIL I SHQIPTARIZMËS”, BOTIM I SELISË SË SHENJTË

Aktiviteti mbarëkombëtar “Ditët e Naim Frashërit”, (25 maj 2020-25 maj 2021), i hartuar e realizuar nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ishte aktiviteti më i madh në Shqipëri e hapësirat mbarëshqiptare, në përkujtim të 120-vjetorit të ndarjes nga jeta dhe 175 vjetorit të lindjes, të poetit të madh kombëtar, bektashiut Naim Frashëri. Ky projekt, i shtrirë në hapësirën kohore njëvjeçare, përfshiu institucione të ndryshme shtetërore, studiues, historianë, faktorë të tjerë të shoqërisë, brenda e jashtë Shqipërisë. Janë me dhjetëra aktivitete që u zhvilluan në këtë kuadër, si sesione shkencore, ekspozita, takime e publikime studiues e historianë për Naim Frashërin, guida historike me qëllim njohjen e pasurisë kulturore, gjuhësore e atdhetare të Frashërllinjve, dhjetëra publikime në medie me këtë objekt, emisione televizive e dokumentarë për bektashiun e madh Naim Frashëri, albume, konkursi letrar mbarëkombëtar në kuadër të “Viti i Naimit”, fushatë sensibilizuese për pasurimin e bibliotekës së Selisë së Shenjtë e atyre të gjyshatave brenda e jashtë vendit, me botime të dhe, për Naim Frashërin etj... Në përfundim të këtij aktiviteti, projekti në fjalë, po nën përkujdesjen e Selisë së Shenjtë Bektashiane, është përmbledhur në një libër interesant. Libri “Naim Frashëri, apostull dhe bilbil i shqiptarizmës”, përgatitur nga autorët Kujtim Boriçi & Nuri Çuni, është një përmbledhje e aktiviteteve të një viti, pasuruar me dokumente e materiale të tjera, është një kontribut tjetër i rëndësishëm në fushën e publicistikës e atë studimore, kushtuar bektashiut e atdhetarit Naim Frashëri. Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në intervistën e tij, jep disa detaje për idenë, realizimin dhe vlerat e “Viti i Naim Frashërit”.

Dede Edmond Brahimaj! Për një vit plot, në Shqipëri, hapësirat mbarëshqiptare dhe më gjerë, u zhvilluan një sërë aktivitetesh në kuadër të “Viti i Naim Frashërit, 25 maj 2020-25 maj 2021”, realizuar nga Selia e Shenjtë Botërore Bektashiane, ideuar dhe drejtuar nga ju. Diçka më konkretisht për këtë projekt dhe realizimin e tij?
-Poeti i madh, bektashiu Naim Frashëri, është e do të mbetet gjithmonë simbol drite, diturie e adhurimi për miliona bektashinj në botë, ndërsa për shqiptarët kudo që ndodhen, mbetet modeli i atdhetarizmit dhe njeriu që deshi e pasuroi ndoshta si askush, gjuhën e mrekullueshme shqipe. Përvjetorët e lindjes dhe ndarjes nga jeta, janë pikat kulmore kushtuar atij. Përkujtimi i këtyre përvjetorëve, tashmë është kthyer në traditë, por meqenëse në periudhën kohore që përkon 175-vjetorin e lindjes dhe 120-vjetorin e ndarjes nga jeta, Selia e Shenjtë Bektashiane ideoi, përgatiti dhe realizon projektin “Viti i Naim Frashërit, 25 maj 2020-25 maj 2021”. Dua të theksoj këtu, se që në ideim, synuam që ndryshe nga aktivitetet e përvitshme të traditës në dekada, aktivitetet e përfshira në “Viti i Naim Frashërit”, të kishte shtrirje kohore njëvjeçare (për shkak të dy përvjetorëve të mësipërm), e në ‘të, të përfshiheshin strukturat shoqërore, fetare, shtetërore, historianë, shkencëtarë, krijues të fushave të artit, publicistikës e krijimtarisë letrare si dhe këto aktivitete të zhvilloheshin në Selinë e Shenjtë, në institucionet shtetërore të Shqipërisë, në rrethe të ndryshme të vendit, në Kosovë, në Tetovë e në komunitete të tjera shqiptare në vende të ndryshme të Europës e më gjerë. Me gjithë vështirësitë e shumta, kryesisht për shkak të pandemisë e domosdoshmërisë së masave ruajtëse ndaj saj, mendojmë se ja arritëm qëllimit dhe bëmë diçka me vlerë. Këtu dua të theksoj jo vetëm impenjimin tonë maksimal si Seli e Shenjtë, por dhe bashkëpunimin me strukturat më të larta të shtetit shqiptar, institucionet shkencore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, e Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, organizma shoqërorë letrarë, historianë të njohur etj...

Cilët ishin disa nga aktivitetet kryesore të vitit naimian?
-Nëse do të përmendim listën e plotë të aktiviteteve njëvjeçare, ajo është shumë e gjatë dhe e larmishme, ndaj unë po ndalem shkurt... Janë zhvilluar disa sesione shkencore me objekt jetën, krijimtarinë dhe analizën e veprës së Naim Frashërit si ajo në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane; sesioni shkencor në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, një bashkëpunim me drejtuesit e këtij institucioni; sesioni shkencor në Përmet; manifestimi ‘Ditët e Naimit’, po në Përmet; sesioni shkencor në vendlindjen e vëllezërve Frashëri, në Frashër; ai në Muzeun Historik Kombëtar, zhvilluar në bashkëpunim me drejtorinë e këtij institucioni; sesionet shkencore në Universitetin e Gjirokastrës dhe atë të Vlorës, në bashkëpunim me rektoratet e këtyre institucioneve; aktivitetet për Naimin në Gjakovë, Tetovë e shumë qytete të tjera, brenda e jashtë Shqipërisë. Këtu duhet të veçoj dhe përgatitjen e një ekspozite fotografike enkas për “Viti i Naim Frashërit”, përgatitur nga Mehmet Gëzhilli, e cila ‘ka shëtitur’ në shumë aktivitete e qytete në Shqipëri e jashtë saj. Përmend konkursin tradicional “Ditët e Naimit” në Tetovë; takime e diskutime me poetë të njohur etj... Po ashtu, u realizua nisma për krijimin e një fondi të veçantë me libra nga e për Naimin në Bibliotekën e Selisë së Shenjtë Bektashiane; dhurimi i librave nga studiues, shkrimtarë, poetë e historianë të shumtë; botime të reja enkas për bektashiun Naim Frashëri e rilindjen kombëtare shqiptare... Do përmend vetëm një fakt, atë të familjes Agolli, që në kuadër të ‘Viti i Naim Frashërit’, dorëzoi në bibliotekë mbi 20 tituj librash... Në këto aktivitete, të planifikuara e mbështetur nga Selia e Shenjtë Bektashiane, disa në bashkëpunim, janë ndjekur në të shumtën e rasteve nga ne... Ndonëse mbështetja zyrtare në këtë periudhë (që përfshinte dy data të rëndësishme të poetit kombëtar Naim Frashëri) qe disi e vakët, ose më saktë jo ajo që dëshirohej, ndryshe ndodhi me mbështetjen e personaliteteve shkencorë e forcave krijuese që u bënë pjesë aktive e nismës sonë...

Mund të na përmendni disa prej tyre?
-U thash që janë shumë... Po përmend akademik Skënder Gjinushin, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; Akademik Sabri Hamitin nga Kosova; akademik Pëllumb Xhufi; Prof. as. dr. Abdulla Rexhepi-Kosovë; Dr. Arben Sulejmani-Maqedonia Veriore;
Prof. Dr. Nasho Jorgaqi; Profesor Moikom Zeqo; poeti i shquar Petrit Ruka; Prof. dr. Begzad Baliu, nga Kosova; Prof. Nezir Bata; studiuesi Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar; akademik, Prof. dr. Valter Memishaj; poeti dhe studiuesi Bardhyl Londo; poeti e studjuesi Sadik Bejko; Nga Prof. Përparim Kabo; shkrimtari e studjuesi Besnik Mustafaj; studjuesi Frymzim Dauti, Drejtor i Bibliotekës Kombëatre të Maqedonisë së Veriut-Shkup; Prof. Xhelal Zejneli-Kosovë; Profesor Bernard Zotaj, ‘Mjeshtër i Madh”; Prof. Dr. Asc. Zaho Golemi; historiani Kastriot Bezati “Mjeshtër i Madh”; studiuesja Teuta Lama-Hodo në Prishtinë; deputetja Mirela Kumbaro; studiuesi nga Norvegjia Hysen Berisha; studiuesia Lindita Rova, Kryetar i Këshillit të Qarkut Gjirokastër; Tomorr Kotorri, Kryetari i SHAK “Vëllezërit Frashëri” në Përmet; Drejtori i Kulturës i shoqatës “ Zëri Dardan”, Rahovec-Kosovë, Bekim Kelmendi; studiuesi e poeti i njohur Lumo Kolleshi; studiuesi e botuesi Mehmet Gëzhilli; Kryetari i KSHA “Naim Frashëri” Ligor Shyti; Kryetari i KSHA “Ndoc Gjetja” Lezhë; Viktor Gjikolaj; Drejtori i Trashëgimisë Kulturore Lezhë Paulin Zefi; studiuesja Alma Hoxha, Kryetare e Bashkisë Përmet; Shahip Emërllahu, poet-Maqedoni e Veriut; studiuesi Ymer Çiraku; studiuesi, avokat, Sami Velçani; Prof. dr. Roland Zisi; Prof. dr. Dhori K. Qirjazi; studiuesi Azgan Haklaj; studiuesja Lindita Mangalla; studiuesi e shkrimtari Ferit Fixha; poeti Qazim Shehu; poeti e studiuesi Pandeli Koçi, publicisti Erion Habilaj; poeti Përparim Hysi; studiuesi Rexhep Rifati-Kosovë; publicisti Zylyftar Hoxha e tjerë... Janë shume e shumë të tjerë, të cilët unë i bekoj e u uroj lumturi në jetën e tyre... Në këtë “Viti i Naimit”, krahas aktiviteteve të shumta, janë bërë ndërkohë dhe vlerësime zyrtare...

Çfarë mund të na përmendi ndër vlerësimet zyrtare?
Në “Viti i Naim Frashërit”, pikërisht më 20 tetori i vitit 2020, që ishte dita që shënonte 120 vjetorin e ndarjes nga jeta të bektashiut të madh, poetit kombëtar Naim Frashëri, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama vlerësoi, figurën e Naim Frashërit, me një mesazh të rëndësishëm e shumë vlerësues. Ndër të tjera ai theksoi se “mbase Naimi, ishte i vetmi që s’ka nevojë t’ia thuash mbiemrin për t’ia ndjerë hijen në formë Shqipërie të të afrohet sapo e zë me gojë!”. Po kështu, në ceremoninë solemne të organizuar para busteve të tre vëllezërve Frashëri, Kreu i Shtetit, Presidenti Ilir Meta, i akordoi Abdyl Frashërit (pas vdekjes) “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “Si një ndër atdhetarët më të shquar në luftën për shpëtimin e trojeve shqiptare, bashkimin e popullit dhe çlirimin kombëtar të shqiptarëve. Si ideolog i spikatur i Rilindjes Kombëtare, një ndër organizatorët kryesorë dhe përfaqësues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, burrë shteti me vizion, politikan, diplomat e personalitet me merita të jashtëzakonshme, i cili nuk kurseu asgjë për lirinë dhe lartësimin e kombit shqiptar”. Vlerësim tjetër është dhe emetimi nga drejtuesit e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, i kartmonedhës me portretin e poetit të madh bektashian Naim Frashëri... I bekoj këta personalitete për mirësitë që bënë, Zoti i Madh i ndihmoftë në misionin e tyre...

Në programin që ju publikuat që në nisje të projektit “Viti i Naim Frashërit”, ishte dhe organizimi i “Ditët e Naim Frashërit” në Paris...?
-Po. Është një aktivitet i rëndësishëm, të cilin prej pesë vitesh, ne e kemi kthyer në traditë. Sivjet, për shkak të pandemisë, ishte e pamundur që të zhvillohej në ato përmasa. Gjithsesi, vëllezërit e motrat tonë atje, në këto kushte, bënë atë që ishte e mundur. Meqë e theksuat në pyetje, dua të shtoj se këtë aktivitet ne e kemi kthyer në traditë të përvitshme, që prej 5 vitesh. Është një aktivitet që mbledh mbi një mijë shqiptar me banim në Francë e vende të tjera të Europës, në një nga teatrot e njohura në qendër të Parisit, në “Theatre Le Palace”, që është në pronësi të bashkatdhetarit e vëllait tonë Aziz Vardar. Unë dua ta përmend atë për kontributin që ai e vëllezërit e tij japin, më tepër se sa vënien në dispozicion të plotë të teatrit për shumë dit, mbulimi i të gjitha shpenzimeve financiare për akomodim, fjetje, ushqim e gjithçka tjetër, për gatishmërinë e gëzimin e tyre për të bërë sa mundet, për njohjen e përhapjen e vlerave historike, kulturore e shpirtërore të Shqipërisë e shqiptarëve… Duhet përmendur i madhi Omer Kaleshi, piktori shqiptar me famë botërore që gjatë gjithë ditëve, bëhet pjesë e pandashme e ekipit tonë. Në këtë teatër të njohur parisien, flitet, diskutohet gjatë, këndohet për Naimin tonë të madh. Bile, një pjesë e mirë e shfaqjes finale, krijimtaria e Naimit interpretohet frëngjisht...

Si do ta vlerësoni bilancin e aktiviteteve njëvjeçare të projektit “Viti i Naim Frashërit”?
-Mbaroi një periudhë njëvjeçare me aktivitete kushtuar bektashiut të madhe atdhetarit Naim Frashëri, por jeta dhe aktiviteti i këtij bektashiu të madh, kanë qenë, janë dhe do të jenë në qendër të misionit bektashian. Aktivitetet do të vazhdojnë. Naim Frashëri është dritë që do të ndriçojë përjetësisht. Sa më shumë ikin ditët, muajt, vitet e dekadat, aq më shumë ndriçon kjo dritë, aq më të domosdoshme janë rrezet naimiane për shpirtrat tanë, si fetarë e atdhetarë. Përsa i përket pyetje suaj, dua të them se qe një vit aktivitetesh të ngjeshura, të shumta në numër e në shtrirje gjeografike, që solli një risi që ja vlen. Njëkohësisht, përtej mundit tonë fizik, shpirtëror e material, ishte dhe një eksperiencë e vyer që do të pasurohet në vijimësi. E sintetizuar, pra e përmbledhur, “Viti i Naim Frashërit”, vjen tani dhe në një libër. Pra, në përfundim të këtyre aktiviteteve, projekti në fjalë, po nën përkujdesjen e Selisë së Shenjtë Bektashiane, është përmbledhur në një libër interesant. Libri “Viti i Naim Frashërit, 25 maj 2020-25 maj 2021”, përgatitur nga autorët Kujtim Boriçi & Nuri Çuni, është një përmbledhje e aktiviteteve të një viti, pasuruar me dokumente e materiale të tjera, ideuar e përgatitur profesionalisht, me angazhimin dhe të personaliteteve të njohura të fushës, është një kontribut tjetër i rëndësishëm në fushën e publicistikës e atë studimore, kushtuar bektashiut e atdhetarit Naim Frashëri.

“Libri “Naim Frashëri, apostull dhe bilbil i shqiptarizmës”, përgatitur nga autorët Kujtim Boriçi & Nuri Çuni, është një përmbledhje e aktiviteteve të një viti, pasuruar me dokumente e materiale të tjera, është një kontribut tjetër i rëndësishëm në fushën e publicistikës e atë studimore, kushtuar bektashiut e atdhetarit Naim Frashëri.”