Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, urim për 28-29 nëntorin

Nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, me rastin e festave të 28-29 Nëntorit, ka bekuar e uruar shqiptarët kudo ku janë, duke bërë apel për më shumë punë e përkushtim, më tepër paqe e dashuri vëllazërore, më tepër harmoni e besim të palëkundur në Zot, për të përballuar situatat që po kalojmë, drejt një jete më të mirë dhe të begatë.
“Në këto dy ngjarje të shënuara, 28 dhe 29 nëntorin, uroj e bekoj të gjithë besimtarët, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni në Malin e Zi e kudo që jetojnë e punojnë nëpër botë! Paçin më tepër dashuri vëllazërore, harmoni, mirëkuptim, respekt e unitet, shpresë e besim tek Zoti i Lartë, për një jetë më të mirë e më të begatë. Lartësimi i vlerave atdhetare kombëtare, vlerësimi i kontributeve të dhënë në udhën e historisë, janë e do të mbeten kurdoherë vlera të shenjta për të gjithë brezat. Duke qenë së bashku, duke predikuar triumfin e së mirës ndaj të ligës, humanen ndaj indiferencës, bashkëjetesën, ne mundemi të përballojmë më mirë pandeminë e tejzgjatur dhe probleme të tjera që na ka nxjerrë koha.
Zoti u bekoftë të gjithëve! Amin!”-thuhet ndër të tjera në mesazhin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hazhi Dede Edmond Brahimaj.