Drekë e shtruar nga Kryegjyshi me liderë e përfaqësues të Komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri, për ndarjen e gëzimit, marrja e çmimit ndërkombëtar, “Unaza eTolerancës dhe Paqes” në Këln, Gjermani.

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, njëherësh dhe Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, vlerësohet me një tjetër titull prestigjioz ndërkombëtar. Në ceremoninë tradicionale të ndarjes së Çmimeve të Tolerancës dhe Paqes për këtë vit, ai u nderua me titullin “Unaza e Tolerancës dhe e Paqes” . Kjo ceremoni, u organizua ditën e enjte, më datë 18 nëntor 2021, nga Universiteti Teknik i Këlnit, Gjermani.
Me këtë rast, për të ndarë këtë gëzim, marrjen e këtij çmimi ndërkombëtar, në Selinë e Shenjtë Bektashiane, Kryegjyshi, shtroi një drekë me liderë e përfaqësues të Komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri.
“Dede Edmond Brahimaj: Ky Titull, ‘Unaza e tolerancës dhe e paqes’ është më tepër se sa nder dhe krenari për mua personalisht. Ky titull i lartë, është pa më të voglin dyshim, një vlerësim i thellë për misionin që tarikati ynë i Islamit ka përmbushur në shekuj: atë të frymëzimit të paqes dhe prosperitetit. Është po aq, vlerësim për gjithë brezat e klerikëve bektashianë, të cilët në substancë të jetës dhe veprës së tyre patën kurdoherë devocionin ndaj Krijuesit, të ndërthurur me dashuritë dhe liritë njerëzore.”