Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj, merr pjesë në ceremoninë e vlerësimit të Imzot Xhorxh Frendo me dekoratën e lartë “Nënë Tereza”

Ditën e sotme, 24 dhjetor 2021, në vigjilje të Krishtlindjes, në praninë e të gjithë udhëheqësve të komuniteteve tona fetare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta, vlerësoj me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”, Imzot George Frendo, një ndër personalitetet më të shquar të Kishës Katolike në Shqipëri, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit dhe veprimtarisë së vyer për ringjalljen e besimit shpirtëror e të shpresës për një të ardhme më të mirë, si dhe për pjesëmarrjen aktive në Këshillin Ndër-fetar e në shumë çështje sociale me rëndësi jetike. Me mirënjohje për konsolidimin e institucioneve të kultit e të besimit fetar, si dhe për forcimin, pasurimin e mëtejshëm dhe promovimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër fetare të popullit shqiptar.”
Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj:
"I nderuar Presidenti i Republikës, Shkëlqesia Juaj z. Ilir Meta!
Të nderuar vëllezër të mij, lider fetar në Shqipëri!
I nderuar miku i besimtarëve të çdo feje e besimi në vendin tonë Imzot Frendo!
Ky rast që na ka bashkuar sot të gjithëve, më jep kënaqësinë e veçantë që, në cilësinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian si edhe të Kryetarit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, t’ju përcjell urimet më të ngrohta: Paçi jetë të gjatë dhe të bekuar në misionin tuaj fisnik! Zoti i Lartësuar le t’u japë shpërblimin e merituar për gjithë kontributet në jetën hyjnore dhe atë njerëzore!
Të gjithë ne, por edhe qindra mijrat besimtarët që përfaqësojmë, kemi të drejtë të emocionohemi dhe të krenohemi në çaste të tillë, sepse pamvarësisht kujt i akordohet tituli i lartë, gëzimi mbetet kurdoherë i përbashkët. Sepse në lëvizjen madhore tonën drejt vëmendjes dhe madhështisë së Krijuesit, në ngadhënjimin e vëzhdueshëm të prioriteteve shpirtërorë e moralë kundruall zhvillimeve globale dhe shekullariste, në luftën dhe përpjekjet e përditshme për të qënë sa më pranë njëri-tjetrit, në kemi mundur të arrijmë atë mrekulli që Papa Françesku me të drejtë, në Tiranën e përpara disa viteve, e quajti me plot gojën si “vëllazëri fetare.”
Vëllai im Xhorxh Frendo!
Për aq vite sa kemi punuar së bashku, për aq takime e bashkëbisedime të ngrohta që kemi zhvilluar, do të më duhen netë të tëra për të rrëfyer zemrën Tuaj të madhe, mendimin Tuaj të thellë dhe kthjelltësinë në marrjen e përgjegjësive. Ndërsa sot, mundem të them, se kini qënë dhe do të mbeteni një vëlla, një prind, një mësues i dashur, jo thjesht për grigjën e besimtarëve katolikë të Shqipërisë, por edhe për ne, komunitetet e tjerë fetarë.
Ju kini qënë dhe mbeteni i veçantë në devocionin fetar, po aq sa edhe në dimensionin njerëzorë, duke e ngritur zërin shpesh përpara shqetësimeve të kombit tim, duke ndihmuar me bukë, me gjellë, me këshilla mijra të varfër dhe mbi të gjitha, duke na dhënë shpresë për situata shumë të vështira që kemi kaluar së bashku. Ju mbeteni misionar i përjetshëm në arritjen dhe mbajtjen gjallë të vëllazërisë sonë fetare.
Titulli i akorduar sot nga Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij z. Ilir Meta, ( të cilin e falenderoj sinqerisht ) gjithsesi është një shpërblim modest për kontributet Tuaja të çmuara.
Zoti të bekoftë vëllai im, Imzot Frendo!
Zoti na bekoftë të gjithëve!
Amin!"