41-vjetori i kalimit nga jeta i Baba Qazim Bakallit

Baba Qazimi lindi në Gjakovë më 1895. Mjedisi familjar dhe shoqëror i dha atij edukimin atdhetar dhe besimin bektashian. Mbaroi shkollën fillore në gjuhën turke. Më pas në vitet 1909 vazhdoi shkollën normale të Shkupit. Tek baba Qazimi vihej re zgjuarësia; ai mësonte me pasion të gjitha lëndët mësimore. Gjatë kësaj periudhe shkollore si nxënës i shkëlqyer dhe aktivist i rinisë patriotike shqiptare “Shubani Vatan”, për këtë e përjashtuan në vitin 1912. Kreu edhe shkollën normale në Elbasan. Si mësues punoi në Shijak në vitet 1913-1914, në Qafë Zogaj. U emërua sekretar në komunën e Bytyçit dhe më vonë Krahinar e tij. Më pas punoi mësues në Poliqan-Lume. Hapi një shkollë të re në fshatin Shtiqen. Në këtë  kohë mbante lidhje me Bajram Currin. Nga kjo u burgos në Krumë dhe pastaj në burgun  e Shkodrës për pesë muaj. Ishte anëtari  me aktiv i Degës së Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës në Gjakovë e rrethinat e saj. Pas gjithë kësaj veprimtarie Baba Qazimi i futet udhës fetare, në bektashizëm. U bë myhib nga Haxhi Adem Vexh-hi Babai. Mori njohurit e doktrinës bektashiane brenda një kohe të shkurtër në teqenë e baba Hamzës në Shtip. Uniformën e dervishit e veshi në Fushë Krujë nga  Haxhi Mehmet Babai. Rregullin e virgjërisë e bëri nga Sali Nijazi Dedei. Shërbeu dervish në Shkodër pran baba Hajdar Stambollit. Pastaj në Elbasan në teqenë e Xhefai Ibrahim Babait. Kryegjyshin Salih Niazi Dede e aktivizoi në dhënien mësim në arabisht, turqisht, persisht për përgatitjen e kuadrit të ri klerikal. Ai mbante lidhje të ngushta me intelektualë dhe dashamirës bektashianë, ishte gojë ëmbël dhe i dashur duke fituar dashurinë dhe respektin e të gjithëve.

Kryegjyshi Sali Niazi Dede në tetor të vitit 1941 e dërgoi dervish Qazim Bakallin në teqenë Harabati-Baba, Maqedonin e Veriut, e mori në dorëzim më 20 maj 1942. Ai ripërtëriti jetën fetare dhe kulturore dhe mbajti afër intelektualët, fryma kombëtare ishte e pranishme në të gjitha veprimtaritë deri në vitin 1944. Në fund të vitit 1944, regjimi serb, përsëri e burgos. Pas burgut vendoset në teqenë e Gjakovës. Kështu, Gjakova i vetmi qytet në trojet shqiptare ku mund të predikohej bektashizmi, e mbajti gjallë Baba Qazimi. Ky bashkëpunoi me teqenë e Detroitt SHBA, baba Tajar Gashin. Gjithë jetën punoi me përkushtim dhe la gjurmë si patriot, mësues dhe klerik i shquar deri sa ndërroi jetë më 15 shkurt 1981.  Baba Qazimi ishte njeri i ditur, i kulturuar merrej edhe me shkrime dhe përkthime, gjithashtu kishte ndjenja të fuqishme  atdhetare.

Foto e Baba Qazimit, e realizuar ne vitin 1966 ne Teqene e vjeter te Gjakoves
Tyrbe e vjeter Gjakove