Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të poetit Bardhyl Londo

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, ngushëllon familjarët, miq e të afërm të poetit të njohur Bardhyl Londo, i ndarë nga jeta të premten më 18 shkurt 2022. Poeti Bardhyl Londo, përveçse personalitet i letrave shqipe, intelektual i përkushtuar, ka lënë një trashëgimi të shkruar dhe për bektashizmin e personalitetet e këtij besimi të paqtë.
Në mesazhin e Tij, ndër të tjera, Dede Edmiond Brahimaj shkruan: “…Më pikëlloi lajmi i largimit nga kjo botë, e mikut tim, Bardhyl Londo. Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve. Si mik i mirë i bektashinjve, do e kujtojmë me respektin më të thellë për esenë e mrekullueshme, në nderim të veprës së Abaz Aliut. Do të mbetesh në çdo zemër bektashiu, vëllai ynë!”