Përkujtohet 87-vjetori i lindjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhi

Sot, më 4 mars 2022, përkujtohet 87-vjetori i lindjes së ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhi. Një ceremoni e veçantë organizohet në Mallakastër, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Haxhi Dede Reshat Bardhi, ka lindur më 4 mars të vitit 1935, në fshatin Lusën të Kukësit. Në vitin 1944 familja e tij vjen në Tiranë. Këtu, Reshat Bardhi vijon mësimet në shkollë si edhe edukohet fetarisht. Kur ishte 14 vjeç, viziton Qendrën Botërore të Bektashizmit dhe, prej asaj kohe vendoset aty. Në moshën 18 vjeçare, merr dorën si dervish dhe shërben si rehber në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës. Në vitet 1957-1967, së bashku me ish Kryegjyshin Botëror, Dede Ahmet Myftarin, dërgohet në Drizar të Mallakastrës. Gjatë dhjetë viteve të internimit, kjo teqe shndërrohet në Qendrën Botërore të Bektashizmit. Ilegalisht aty vinin besimtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Me rrënimin e objekteve të kultit në vitin 1967 dhe deri në vitin 1990, Reshat Bardhi bën punë të detyruar në fermë i ndjekur këmba-këmbës dhe nën terrorin psikologjik dhe fizik të ish sigurimit të shtetit. Ndërsa banesa e tij në Tiranë, kthehet në qendër ilegale të mbajtjes gjallë të bektashizmit. Së bashku me një grup besimtarësh të devotshëm bektashianë, bëri të mundur që më 22 mars 1991, ditën e festës së Sulltan Nevruzit, të rihapet Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku mori pjesë dhe Nënë Tereza. Kongresi VI Botëror i Bektashinjve në vitin 1993 e zgjedh unanimisht në krye të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Më 22 mars 1991 Dede Reshat Bardhi ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nënë Terezën dhe disa motra të urdhrit të saj nga Kolumia dhe Spanja.
Në nëntor 1991, së bashku me pelegrinët e parë myslimanë shqiptarë, shkon në Mekë. Aty pritet nga autoritete të lartë fetarë të Arabisë Saudite. Sipas rregullit merr titullin “Haxhi”.
Në shkurt të vitit 1992 shkon në komunitetin bektashian në Detroit të SHBA-së, ku pritet nga Baba Rexhebi si dhe personalitete të larta fetare të besimeve të tjera. Baba Rexhebi ka krijuar të parën teqe bektashiane në Detroit- Miçigan dhe ka mbajtur gjallë bektashizmin. Ai e uroi për postin e lartë, duke ia paraqitur edhe autoriteteve vendase amerikanë.
Në maj 1993 pritet nga ish kryetari i alevi-bektashive të Turqisë, Z. Bedri Nuajan, i cili organizoi midis të tjerëve një takim me përfaqësues të lartë fetarë të Stambollit dhe Izmirit.
Në gusht 1993 viziton teqenë-muze të Haxhi Bektash Veliut në Turqi ku pritet nga mijra besimtarë bektashianë të ardhur nga pjesa aziatike e Turqisë, Azerbaxhani, Kazakistani, Pakistani etj. U prit gjithashtu në drekë të veçantë nga Kryetari i Bashkisë së qytetit, Haxhi Bektash.
Që nga viti 1991 dhe deri sa ndërroi jetë, Dede Reshat Bardhi ka pritur në çdo festë fetare, Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ministrat dhe të gjithë ambasadorët e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Në vitin 1994-1995 shkon dy herë në Iran ku pritet nga drejtuesi më i lartë i fondacionit të Ehli-Bejtit, Z. Hossein Miri si dhe personalitete të lartë fetarë nga Irani, India dhe Kuvajti.
Në mars të vitit 2001 ftohet në audiencë të veçantë nga Papa Gjon Pali në Vatikan. Ky uron për qëndresën gjatë regjimit komunist.
Në gusht të vitit 2002, në Haxhi Bektash të Turqisë pritet midis të tjerëve nga Kryeministri turk i asaj kohe, Eçevit. Ky e uron për misionin fisnik që kryen.
Në tetor të vitit 2002 merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të OSBE-ODIR, në Azerbaxhan, ku përshëndet në emër të bektashinjve.
Në tetor të vitit 2003 ftohet në Vatikan, ku merr pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës, së bashku me lider fetarë të ardhur nga e gjithë bota. Pritet sërish nga Papa Gjon Pali dhe autoritete të lartë fetarë katolikë.
Në shkurt 2004 gjithashtu merr pjesë në Konferencën Botërore për Paqe dhe Tolerancë të organizuar nga Partiarkati Ekumenal si dhe fondacioni “Apel Ndërgjegjes”. Fjala e tij në këtë veprimtari pritet me ovacion.
Në prill të vitit 2004 merr pjesë në simpoziumin e alevi-bektashive në Gjermani. Përshëndet në emër të Komunitetit Bektashian.
Në tetor të vitit 2005 pret në Tiranë me rastin e Kongresit VIII Botëror të Bektashive, Ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Z. Atilla Koç, Prefektin e Nevshehirit, dhe Kryetarin e Bashkisë së qytetit Haxhi Bektash.
Në dhjetor të  2005 përshëndet në Prishtinë Kongresin e Lidhjes Shqiptarë në Botë. Pritet nga Ministri i Kulturës të Kosovës Z. Astrit Haraçia.
Në maj 2006 ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, Sekretarin e Shetit të Vatikanit, Z. Xhovani Lajola. Midis të tjerave ky u shpreh: “Juve jeni Papa i bektashinjve!”
Në qershor 2006 Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi, pret në Selinë e Shenjtë në Tiranë Kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Z. Bylent Arinç. Ky i dorëzon Kryegjyshit dekoratën “Për shërbime të shquara të paqes”, të parlamentit të Truqisë.
Në gusht 2006, Haxhi Dede Reshat Bardhi ka marrë pjesë në Konferencën Botërore të Liderëve Fetarë në Kioto të Japonisë. Ai është takuar aty me personalitet më të shquar fetarë të krejt botës.
Në korrik 2007, është pritur në Prishtinë nga Z. Kushner ( që u bë Ministër i Jashtëm i Francës). Me rastin e ringritjes së teqesë së Gjakovës, ka pritur përfaqësuesin evropian në Kosovë, Z. Joakin Ryker.
Në tetor 2007, në krye të një delegacioni bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhi pritet në Stamboll nga lideri mysliman i Turqisë, Prof. Ali Bartokogly si dhe Kryemyftiu i Stambolli Mustafa Cagrici.
Në nëntor 2007 merr pjesë në konferencën botërore për harmoninë ndërfetare në Ohër të Maqedonisë. Përshëndet këtë Konferencë dhe pritet aty nga Kryeministri i Maqedonisë, Z. Gruevski.
Në qershor 2008, Kryegjyshi Botëror ftohet në Ankara nga lideri mysliman i Turqisë, Prof. Ali Bartakogly. Ai merr pjesë në ceremoninë e dekorimeve të Ansamblit të Muzikës Mistike si dhe fal namazin në Koxha, xhami e Ankarasë. Pritet gjithashtu nga lider teologë myslimanë.
Në shtator të vitit 2008, është pritur në Tiranë nga  Kryeministri i Turqisë Taip Erdogan.
Më 13 tetor 2009, u prit nga Senatori Kanadez Noel A. Kirsella, gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Në maj të vitit 2010, në Çorum të Turqisë, pritet nga Ministri i Shtetit i Turqisë dhe i jepet statuja simbolike e paqes, për kontributin e tij të shquar, në rrafsh të tolerancës fetare.
Pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë më 2 prill të vitit 2011.
Është dekoruar me medaljen “Pishtar i Demokracisë” dhe urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, Urdhrin Gjergj Kastriot Skënderbeu nga Presidentët e Republikës së Shqipërisë, si dhe është qytetar nderi i Tiranës, Krujës, Kukësit, Beratit, Frashërit, Kavajës, Bulqizës, Gjirokastrës, Mallakastrës, Durrësit, Elbasanit, etj.

Përgatiti:
Xhorxhi ÇULLHAI

FOTO GALERI