Mesazh Ngushëllimi, për ndarjen nga jeta, të Muharrem Xhaferrit

Të nderuar vëllezër bektashianë në të gjitha komunitet tona! Këto ditë u shua miku, babai, vëllai dhe besimtari i devotshëm, z. Muharrem Xhaferri, në Toronto, në Kanadanë e largët. Muharremi ka lindur në fshatin Picar të Gjirokastrës në vitin 1936. Së bashku me frymën atdhetare prindërore, shijoi qysh në fëmijërinë e tij, mrekullitë e tarikatit bektashian. Teqeja e baba Hasanit në Picar, sikundër çdo teqe e gjyshatës së Gjirokastrës dhe gjithë Shqipërisë, u kushtonte rëndësi të veçantë edukimit të brezave të rinj. Muharrem Xhaferri qysh në rininë e tij e derisa u largua nga kjo botë, ka qenë dhe mbetet miku i përhershëm i asaj teqeje. Në mënyrë të veçanë pas viteve 90 të shekullit të kaluar, Muharrem Xhaferri iu bashkua grupit të madh të myhibeve dhe dashamirësve bektashianë të cilët mbështeten me çdo mjet, dervishët dhe baballaret tanë, si në ringritjen e objekteve të adhurimit ashtu dhe në gjallërimin e pandërprerë të tarikatit. Kështu vijoi deri në vitin 2002 kur emigroi familjarisht për në Kanada. Energjik dhe plot ide, me mendje dhe zemër kurdoherë për Shqipërinë, Muharrem Xhaferri mbetet ende sot, shembëlltyra e veprimtarit të palodhur dhe atdhetar. Në vitet 2003-2008, për kontributin e spikatur të tij, ai zgjidhet për dy mandate rresht president i shoqatës Shqiptaro Kanadeze me qendër në Toronto, duke ideuar,organizuar dhe përfaqësuar mjaft aktivitete të rëndësishme të kësaj shoqate . Njëherazi, Muharremi nuk i shkëputi për arsye momenti lidhjet e tij shpirtërore me bektashizmin. Ai ka marrë pjesë në shumë veprimtari bektashiane të organizuara në Shqipëri, Kanada dhe SHBA, duke kontribuar me njohuritë dhe përvojën e gjatë. Në vitin 2012, ai ka organizuar në Kanada komunitetin bektashian shqiptar, dhe ne krye të këtij komuniteti, ka bërë të njohur praninë e tarikatit tonë në mekanizmat shtetëror të këtij shteti. Në bashkëpunim të ngushtë me Selinë tonë të Shenjtë dhe me komunikim të vazhdueshëm me Kryegjyshin Botëror Bektashian, Hirësinë e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka mundur të mbajë gjallë frymën e paqes dhe vëllazërisë të tarikatit tonë, duke bërë të mundur të shpalosë vlerat më të vyera të Haxhi Bektash Veliut.
U prehsh në paqe vellai ynë !