Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, uron besimtarët për Fitër Bajramin

Besimtarët myslimanë falën sot, që në orët e para të mëngjesit namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Nëpërmjet një mesazhi Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, uron besimtarët për Fitër Bajramin. Në këtë mesazh, ndër të tjera thuhet: "Të dashur vëllezër e motra, besimtarë myslimanë! Gëzuar për shumë vite festën e bekuar të Fitër Bajramit! Nëpërmjet agjërimit, në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, ku gjetëm e përjetuam një ndjenjë paqe, shërimi shpirtëror, testuam forcën për përkushtimin ndaj Zotit, le të bashkohemi në një lutje për më shumë shpresë e paqe, të lutemi që luftërat e konfliktet e dhunshme kudo ku janë, të pushojnë, të mbushen zemrat me dashuri dhe të mos humbin më jetë njerëzish të pafajshëm, të kemi ditë më të mira e harmoni. Paqja dhe bekimet e Zotit të Lartësuar, qofshin mbi gjithë ata që agjëruan moralisht, shpirtërisht dhe fizikisht, por edhe mbi gjithë të tjerët, jo myslimanë të cilët me mirësitë e tyre na i bënë më të lehtë këtë muaj. Ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen, gëzuar e për shumë vjet. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë Bajrami në familjet tuaja!
Zoti ju dhëntë mirësi e begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet që keni kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fitër Bajramin! "