Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, merr pjesë në “Ditët naimjane”, në Përmet

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mori pjesë në veprimtarinë shkencore e kulturore “20 Vite Dita Naimjane”, organizuar në qytetin e Përmetit dhe në Frashër, në datat 24-25 maj 2022, nga Shoqata Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”, në bashkëpunim më Bashkinë e Përmetit, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Ministrië e Kulturës dhe Komunën Rahovec, të Kosovës. Pasditen e 24 majit, në ambientet e Qendrës Multikulturore Përmet u zhvillua Konferenca Shkencore me temë “Rilindja kombëtare dhe kontributi i vëllezërve Frashëri”. Morën pjesë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetarja e Bashkisë të Përmetit znj. Alma Hoxha, akademikët, Marenglen Verli, Beqir Meta, historiani Kastriot Bezati, poetë nga rrethe të ndryshme të vendit, nxënës nga Komuna Rahovec Kosovë, nga Kumanova e Maqedonisë dhe pjesëmarrës nga Përmeti, Fieri,Tirana etj. Aktiviteti filloi me përshëndetjen e Kryetarit të Shoqatës “Vëllezërit Frashëri, z. Tomorr Kotorri, i cili theksoi se në ditën e 176-vjetorit të ditëlindjes së Naim Frashërit, ndihemi krenar që në këto 20 vite kemi bërë konferenca shkencore, duke mbajtur gjallë frymën e vëllezërve Frashëri, të këtyre pishtarve të mëdhenj që çuan në pavarësinë e Shqipërisë. Më pas përshëndeti Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve , Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili, ndër të tjera theksoi: “..Vëllezërit Frashëri, Avdyli, Naimi, Samiu përbëjnë trinomin e veçantë të historisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Kontributi që këta tre dijetarë rilindas të pakrahasueshëm, që me anë të  penës i kanë dhënë kombit e Atdheut, është kontributi më i çmuar dhe më i rëndësishëm i kohës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Sado të larmishme nga njëra-tjetra qenë ndihmesat e tyre, Abdyl Frashëri politikan, Naim Frashëri poet, kurse Sami Frashëri ideolog dhe dijetar, të tre këta vëllezër nga fshati Frashër në Shqipërinë e jugut, patën një gjë të përbashkët: aspiratën e thellë e dëshirën e zjarrtë për vetëvendosje të popullit të tyre që vuante nën zgjedhën turke. Kontributi i veçantë që Naim Frashëri ka dhënë për bektashizmën, ka rrënjosur edhe më thellë besimin bektashi tek qindra e mijëra shqiptarë anë e kënd botës në veprën e ti të vogël fizikisht por aq të madhe e të pashembullt në pikëpamjen letrare. Fletorja përmban një paraqitje hyrëse të fesë bektashiane dhe dhjetë vjersha fetare që japin një tablo të rrallë, të besimit tonë bektashian , i cili në shekullin e nëntëmbëdhjetë luajti një rol të rëndësishëm për mbijetesën e kulturës shqiptare, sidomos me përhapjen fshehurazi të librave shqip.
"Kjo udhë është udhë e mirësisë, e miqësisë, e urtësisë dhe e vëllazërisë. Të gjitha janë te njeriu, edhe Zot i vërtetë vetë. Se kur desh të dil në shesh bëri njerinë me fytyrët e tija."
Vargje të arta të cituara në këtë Kryevepër të këtij rilindësi të madh që u lind në djepin e Frashërit, dhe sot e përmend gjithë bota, është krenari për bektashinjtë, që tablo e kësaj udhe mistike është shkruar e qëndisur kaq bukur nga një rilindas Shqiptar dhe Ndërkombëtar.
Krenaria e një populli që lufton për liri dhe dashuria për Shqipërinë, që e përshkojnë këtë poezi, shprehen përmbledhtazi në një pjesë të poemës:

Zot i madh e i vërtetë,
Edhe gjithë ju të mirët,
Mos na lini keq e shkretë,
H’arratit e n’errësirët.

Po falini Shqipërisë,
Fatbardhësinë e lirinë,
Gaz në vend të zisë,
Edhe gjithë mirësinë.

Jepi shqiptarit dritë
Zot i vërtetë të shohë
Të marrë vesh mirësitë
Të vërtetën ta njohë.

..Besën e Shqiptarit e gërshetoi aq bukur me lutjet ndaj Zotit të Lartësuar , besa është një fjalë, por është trungu e themeli i premtimit të çdo  shqiptari, :
"Bes' e Bektashive është një udh' e gjerë, që ka përpara dritë urtësinë, vëllazërinë, miqësinë, dashurinë, njerëzinë edhe gjithë mirësitë. Me nj'anë ka lulet' e diturisë, m'anët tjatër të së vërtetësë. Pa dituri e pa të vërtetë dhe pa vëllazëri s'munt të bënetë njeriu Bektashi i vërtetë. Ngaj Bektashinjet gjithësia është vetë Perëndija."
Me gjithë këtë lloj panteizmi e universaliteti, bindjet bektashiane të Naim Frashërit kanë një ngjyrë të fortë kombëtare: "Nukë vetëm në mest të tyre Bektashitë, po dhe me gjithë njerëzinë janë vëllezër' e shpirt. Duanë si shpirtin' e tyre dhe të tjerëtë mysliman' e të krishterë dhe shkojnë mir' e bukurë me gjithë njerëzinë. Po më shumë duanë Mëmëdhenë edhe mëmëdhetarët, që kjo është m'e mirë nga gjithë të miratë... Të përpiqenë dit' e natë për atë

BESA
Besuam Perëndinë,
Edhe Muhammed Alinë,
Hadixhen e Fatimenë,
Edhe Hasan e Hysen.

Imamët të dymbëdhjetë,
Që ishin të vërtetë,
Kemi mëm e at Alinë,
Që na la udh’urtësinë.

Të parë kemi Xhaferrë,
Me gjithë shokët e tjerë,
Pa kemi për njerëzinë,
Plak Haxhi Bektash Velinë.

Që ishte nga ajo derë,
Andaj mori gjithë nderë,
Besa jonë është një fjalë,
Dhe ajo fjalë s’është e çalë.

Është fjalë e Perëndisë,
Që i duhet njerëzisë,
Është një fjalë e vërtetë,
Dhe e pa vdekur për jetë.

Nuk është fjalë e kotë,
“Bëj mirë, mos bëj keq”-thotë,
Ai që mban këtë fjalë,
I gënjyer s’mund të dalë.

Këto e shumë vargje të arta të tjera që bëjnë këtë Kryevepër për bektashinjtë the thesar të paçmuar e një trashëgimi që do të ngelet ndër breza.
Një vepër tjetër me përmasa të tilla, e botuar në një vit me Historinë e Skënderbeut, është Qerbelaja, Bukuresht 1898, një poemë epike fetare me njëzetepesë këngë, që flet për betejën e Qerbelasë në Irak në vitin 680 të erës sonë, ku u vra Imam Hyseini, nip i profetit Muhamed. Këtu mund të vihen re shumë elemente të botëkuptimit fetar të Naim Frashërit, sidomos panteizmi mbi të cilin ai përsiatej në vargjet e Fletores së Bektashinjve.
Në këngën e fundit të Qerbelasë , lexojmë:

"..Besojmë Zotn' e vërtetë,
Q'është gjithësia vetë,
Pa atë s'ka vënt gjëkundi,
Ajy 'shtë kreji dhe fundi.

Më ç'do anë, që shikojmë,
Fëtyrën' e tij vështojmë,
E tërë ç'është kjo jetë,
Ësht' ay Zot' i vërtetë!

Luletë, që lulëzojnë,
Bukurin' e tij tregojnë,
Ajy është trëndafili,
Ajy vetë dhe bilbili,

Po kur desh Zot' i vërtetë
Të dil faqeza në jetë,
Ahere bëri njerinë.

Rëndësia e vëllezërve Frashëri si poet të Rilindjes e madje si 'poet kombëtar' qëndron në talentin e shprehjes letrare dhe në nivelin artistik të veprave , mbi të gjitha në mesazhet social-politike, filozofike e fetare që kanëpërcjell, të cilat synonin para së gjithash vetëdijen kombëtare dhe, duke ndjekur traditën bektashiane, të arrihej një kapërcim i ndarjeve fetare brenda vendit e të mbizotëronte një harmoni ndërfetare për të cilën jemi krenar edhe sot. Ndikimi i tyre mbi shkrimtarët shqiptarë në fillim të shekullit të njëzetë ishte i jashtëzakonshëm. Që kur ishte gjallë, shumë nga vargjet e tij u kënduan ,kurse gjuhën shqipe ai e ngriti në shkallën e një gjuhe letrare të përpunuar pastër e bukur.
Ashtu sikundër Naimi do ta shkruante aq bukur lutjen bektashiane drejtuar Perëndisë, ashtu dua ta përfundoj dhe unë kët fjalë përshëndetëse për këtë event tashmë të përvitshëm dhe kaq të nderuar e mbi të gjitha në këto kohëra kaq të vështira lufte që afektojne mbarë njerëzinë !

...Zot i madh e i vërtetë,
Të qofshim falë përjetë,
Fal-na shënden e fuqinë,
Miqt e gjithë njerëzinë.

Bëna të urtë e të mirë,
Jepna në zemër mëshirë,
Falna gjithë urtësitë,
Mirësitë e dituritë.

Mos na lerë në errësirë
Rrëfena në shpirtit dritë
Të njohmë mirësitë.

Zoti na bekoftë të gjithëve! Amin!”

...Përshëndeti në vazhdim, Kryetarja e Bashkisë znj. Alma Hoxha, e cila me këtë rast, i dha Kryetarit të Komunës Rahovec-Kosovë, z. Latif Smajli, titullin “Qytetar Nderi i Qytetit të Përmetit". Pas tij, akademikut Marenglen Verli, kumtoi studimin, “Abdyl Frashëri në ngritjen e identitetit kombëtar“ dhe më pas, akademiku Beqir Meta me kumtesën “Mbi çështjen çame”; poeti Lumo Kolleshi mbi “Qerebelanë e Naim Frashërit”, historiani Kastriot Bezati me “Naim Frashëri dhe roli i tij në letërsinë shqipe” dhe studiuesi Nuri Çuni, me kumtesën “Kontributi i klerikëve bektashianë në periudhën e Rilindjes kombëtare“. Në vijimësi u vizitua ekspozita fotografike, “Ti Shqipëri më jep nder..!“
Dita e dytë e veprimtarive vazhdoi në Frashër, tek shtëpia e vëllezërve Frashëri me vendosjen e kurorave me lule nga Shoqata “Vëllezërit Frashëri”; Kryegjyshata Botërore Bektashiane; Bashkia Përmet. Me interes u ndoq poetika  me recitime, nga poeti Haxhi Kalluçi dhe poetë të ndryshëm nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Një vizitë mbresëlënse u bë në Muzeun e vëllezërve Frashëri, u diskutua si të jetë Frashëri në të ardhmen, me një rrugë normale që të mbahet gjallë dhe të kthehet në një vend turistik të rëndësishëm gjithëvjetor. Grupet artistike të shkollave të Përmetit dhe Suharekës, i dhanë gjallëri të veçantë kësaj ditë historike. Gjithashtu nga Shoqata e Vëllezërve Frashëri u dha certifikata, “Nderi i Shoqatës Vëllezërit Frashëri“.
...Një vizitë në teqenë e Frashërit, e restauruar dhe mer mjedise të mrekullueshme, e bërë nga baba Hekuran Nikollari i teqesë Alipostivani. Dita naimiane e sivjetshme, solli disa risi të reja.