17 KORRIK, ORA 14:00, FILLON MATEMI

Të nderuar klerikë, besimtarë dhe dashamirës bektashianë!
Sot, në datën 17 korrik, pas orës 14:00, bëhet nijeti i Matemit, në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe në çdo Gjyshatë nën drejtimin e klerikëve . Me një ceremoni të veçantë, ndahet sherbeti dhe çelet Matemi. Mbahet 10 ditë zi, gjatë Muajit Muharrem. Gjatë këtyre dhjetë ditëve lexohet Hadikaja (Kopshti i të Mirëve), deri në datën 27 korrik 2023. Gjatë Matemit, nuk pihet uji, qumësht, dhe të gjitha produktet shtazore (mish, vezë, peshk etj…). Hahen perime, fruta dhe të gjitha produktet e Tokës.

MATEMI
Matemi është agjërimi i zisë, ose zija përkujtimore, që mbahet në dhjetë ditët e para të hënës
Muharrem. Fjala Matem është persiane dhe ka kuptimin Zi. Dhe me të vërtetë, ndër këto ditë, përkujtohen ngjarjet e hidhura të Qerbelasë, të cilat kanë ndodhur pikërisht në këtë hënë, në vitin 63 të Hixhretit. Vihen në dukje të gjitha sakrificat, vetëmohimi dhe flijimi vetes që u bë atje për mbrojtjen e demokracisë dhe dispozitave fetare, për interesin e përgjithshëm, për të mirën e popullit. Kjo sakrificë mbeti një simbol i pavdekshëm dhe shembull i paharruar heroizmi që përkujtohet me respekt çdo vit në këtë hënë. Shumë prej popullit islam përmendin me përunjësi, në çdo vit, këtë ngjarje. I përkujtojnë me respekt, gjunjëzohen përpara këtij kujtimi dhe derdhin lot për këtë ndodhi. Populli me këtë përkujtim, përjetëson emrin e Madh të Imam Hysenit, Atit të Dëshmorëve të Qerbelasë dhe urren, përbuz dhe mallkon veprat e Jezidit të mallkuar.
Kjo ngjarje ka lënë përshtypje të madhe në të gjithë botën dhe ka mbetur kujtim i hidhur ndër të gjithë. Dëshmorët e Qerbelasë, me Hysenin e Madh në krye, ranë në fushën e nderit, duke qenë të etur e të djegur për një pikë ujë në vapën e gushtit. Bota Islame e çmon këtë therori dhe për nder të tyre, dhjetë ditë me radhë, nuk pi ujë. Kjo vepër nuk është një urdhëresë fetare, por një dëshirë fakultative, e vënë në zbatim vullnetarisht nga të gjithë. Si shenjë zije, ndër këto ditë populli mënjanon gjithë lukset, shkon nëpër teqetë për t'i përkujtuar këto ngjarje të paharrueshme me zemër të pikëlluar dhe me fjalët lakonike në gojë : "Ja Imam! Ja Hysen!".
Gjatë këtyre ditëve, me rastin e ngjarjeve të Qerbelasë, përkujtohen edhe të gjithë ngjarjet e
sakrificat e mëparshme, që janë bërë për të mirën e popujve dhe në favor të interesit të
përgjithshëm. Përmenden një nga një vuajtjet e të gjithë Profetëve, që kryen misionin e tyre të
shenjtë në të mirën e botës. Çmohen, lartësohen këto sakrifica dhe përulen përpara kujtimit të
tyre. Kështu, ditët e përkujtimit marrin një kuptim të përgjithshëm dhe mund të quhen ditët e
përkujtimit ose përkujtimi i të gjithë sakrificave botërore, të bëra për të mirën e njerëzisë dhe për interesat e përgjithshme. Të gjitha përkujtimet bëhen gjatë dhjetë ditëve të ndara, në këtë mënyrë:
1. Natën e parë përkujtohen:
Mundimet e Profetit Adem, për të kryer misionin e shenjtë. Përmenden dhe krimi që ka
ndodhur midis djemve të tij dhe ndodhitë që i kanë ngjarë për t'u përsosur.
Përkujtohen ngjarjet e Profetit Nuh dhe misioni i tij, i cili ka vuajtur shumë prej popullit
të tij të pabesë.
Përmenden vuajtjet e Ibrahimit, që u hodh në zjarr prej Nemrudit të mallkuar, pse donte
t'u drejtonte besimin njerëzisë.
Përmenden vuajtjet e të Madhit Jusuf, që u hodh në pus prej vëllezërve të tij, për të
vetmin faj, sepse ishte i pastër dhe kishte fituar simpatinë e prindërve.
Përmenden vuajtjet e Musait prej Faraonit të mallkuar, pse ky i fundit, donte t`a sundonte
popullin me dhunë dhe të ishte Perëndia e tyre.
Dhe në fund, vuajtjet që i`u bënë prej prepotentëve Krishtit të Madh, për të vetmin faj,
sepse i`u përkushtua pa rezervë njerëzve, duke predikuar rrugën e drejtë, të paqes,
drejtësisë, vëllazërimit dhe përsosmërisë njerëzore.
2. Nata e dytë i kushtohet vuajtjeve të Profetit Muhamed, i cili vuajti dhe u mundua për të nxjerrë popullin nga errësira e skllavërisë, në dritën e mirësisë të njerëzimit.
3. Nata e tretë i kushtohet të Madhit Ali, i cili u sakrifikua dhe ra dëshmor, për të udhëhequr botën në rrugën e mbarë. E zhdukën, sepse ishte apostulli i së vërtetës.
4. Nata e katërt i kushtohet të Madhit Imam Hasan, i cili u helmua tradhëtisht prej ambicieve të njerëzve të ligj, sepse ishte paqedashës dhe predikonte cilësitë e saj.
5. Në natën e pestë, tregohet biografia e Imam Hysenit, lindja dhe jeta e tij.
6. Në natën e gjashtë, këndohet emigrimi i Imam Hysenit nga Medina në Mekë, që të mos
provokonte grindjen me Jezidin.
7. Nata e shtatë i kushtohet martirizimit të Myslim Ykajlit, kushëririt të Imam Hysenit, i cili shkoi në Qofe (Irak), si delegat i Imamit dhe si u tradhtua, në fund ra dëshmor me dy djemtë e tij, Miftari dhe Ibrahimi, njeri shtatë vjeç dhe tjetri tetë.
8. Natën e tetë përkujtohet udhëtimi i Imam Hysenit për në Qofe, ku shkonte i ftuar nga populli, për t'i drejtuar në rrugën e mbarë.
9. Natën e nëntë përkujtohet mbërritja e Imam Hysenit në Qerbela, ku mori letrën e Myslimit, me të cilën e lajmëronte të mos shkonte në Qofe, se populli e ktheu fjalën. Kur mori Imam Hyseni letrën, derdhi lot dhe tha: "S'mbeti më tash të rrojmë! Duhet të vdesim!".
10. Natën e dhjetë që është nata e fundit, tregohet lufta e Qerbelasë, ku Imam Hyseni ra dëshmor në fushën e nderit, bashkë me shokët e tij. Ai u martirizua, por kujtmi i tij u përjetësua dhe përkujtohet çdo vit.
Matemi është vajtimi që bën populli, për Hysenin e Madh, i cili u persekutua dhe ra dëshmor në fushën e nderit, për të mbrojtur kushtetutën fetare, për lirinë e popullit, për të mirën e tij. Ai sakrifikoi jetën e tij, u martirizua buzë thatë, në vapën e gushtit të shkretëtirës arabe, por mbajti gjallë flamurin e lirisë, prestigjin e demokracisë fetare, ashtu siç i kishte hije, siç e kishte për traditë prej atit të tij, të Madhit Ali.
Kjo vepër mizore i`u bë nga prepotenti i kohës, Jezidi i mallkuar, biri i Mavijes, mbretit të
Shamit, në Siri. Me vdekjen e Mavijes, Jezidi qëndroi në fronin e të atit, pa vënë në zbatim
dispozitën fetare që ishte se Kryetari duhej të zgjidhet me dëshirën e popullit. Arbitrarisht zuri fronin, pa bërë asnjë formalitet ligjor. Popullata filloi të revoltohej për këtë padrejtësi, por ky me vrasje e terror i shtypi dhe i`u imponua.
Si siguroi pozitën e tij në Sham, kërkoi të zgjeronte influencën edhe në vende të tjera. Mirëpo
kishte frikë, se nuk do të mund t`a realizonte këtë ëndërr derisa ishte gjallë Imam Hyseni, nipi i profetit Muhamed dhe i biri i të Madhit Ali. Këtë frikë e kishte, sepse e dinte mirë që Hyseni gëzonte të gjitha cilësitë dhe meritat si dhe adhurohej shumë nga populli arab.
Për këtë përdori gjithë djallëzitë dhe vendosi që me çdo mënyrë të detyronte Hysenin ta njihte
zyrtarisht si mbret. Më parë dërgoi proklamata në të gjitha guvernat arabe, me anën e të cilave u bënte të njohur fronëzimin. Të gjithë e përbuzën këtë fronëzim, por heshtën nga frika. Imam Hyseni në këtë kohë ka qenë në qytetin e Medinës, bashkë me farë e fisin e tij.
Jezidi i dërgoi urdhër guvernatorit të Medinës dhe i kërkonte të thërriste Imamin dhe ta detyronte me çdo mënyrë ta njihte për të parë atë. Kur u thirr, Imami u përgjigj: "Kjo punë është e rëndë dhe nuk më përket mua. Vini në zbatim ligjin tradicional fetar dhe mblidhni përfaqësinë e popullit. Po të vendosin ata, unë s'kam asnjë kundërshtim".
Fjalët e Hysenit, guvernatori i`a referoi Jezidit, i cili u zemërua për këtë refuzim dhe dha urdhër që të kapej Imami dhe të detyrohej me forcë, ose të pranonte njohjen, ose të ekzekutohej. Imami e pa që po egërsohej situata dhe mori gjithë farë e fisin dhe shkoi në Mekë.
Populli i Mekës e priti me krahë hapur dhe i bëri nder të madh. Me qindra, me mijra njerëz vinin në vizitën e Tij dhe i përuleshin Imamit. Ngjarja bëri bujë të madhe dhe Jezidi u trondit shumë nga kjo punë, pse kishte frikë se mos Hyseni revoltonte popullin kundër tij, për aktin ilegal që bëri. E tillë gjë u përhap në të gjitha viset. Qofelinjtë dëgjuan këto lajme dhe menjëherë i shkruan Imamit me mijëra letra dhe i luteshin me bindje që t'i vizitonte dhe t'i drejtonte sytë prej tyre, se do ishin gjithë jetën besnikët e tij. Si i`u përsëritën shumë herë këto lutje, Imami deshi të shkonte, por miqtë e tij e këshilluan të dërgonte më parë një delegat të hetonte, pasi ata ishin njerëz të frikshëm dhe s'e mbanin besën. Atëherë vendosi dhe dërgoi Myslim Ykajlin, kushëririn e tij për hetime. Myslimit në fillim i treguan bindje të madhe dhe ky i shkroi Imamit të nisej për Qofe. Imami u nis për atje dhe po udhëtonte. Jezidi i dëgjoi këto lajme dhe nga frika e revoltimit, mori masa. Dërgoi atje guvernator terrorist, i cili vrau, preu dhe i frikësoi Qofelinjtë. Ata nga frika harruan çdo besë. Atëherë u kërkua kapja e Myslimit dhe ra në luftë me të. Pas një lufte të përgjakshme, Myslimi ra dëshmor dhe puna e tij u shkatërrua.
Para se të vdiste, Myslimi i shkroi letër Imamit dhe e porositi që të mos shkonte në Qofe, se ata e thyen besën. Imami duke udhëtuar, arriti në vendin Qerbela, ku mori lajmet e hidhura. I
dëshpëruar qau dhe tha: "S'na mbeti më tash për të rrojtur! Më mirë të vdesim!"
Pyeti ç'i thoshin atij vendit. Kur ju përgjigjën Qerbela, tha: "Ah! Ky qenka vendi i belasë që më tregoi im atë. Këtu jemi të destinuar të presim fatin!"
Atëherë ngritën tendat atje dhe qëndruan të pritnin destinimin e tyre. Jezidi mori vesh dhe dërgoi me dhjetëra mijë ushtarë t`a kapte. Ushtria arriti atje dhe filloi lufta. Me mijëra dashamirës erdhën në ndihmën e Imamit, por ky nuk i mbajti. I falënderoi të gjithë dhe i`u tha: "Ju falemnderit shumë. Shkoni në punët tuaja. Unë jam nisur për të vdekur! Nuk dua miqtë e mi t'i shtie në mundime!" Nga këto fjalë të gjithë u larguan. Imami që të gjithë i bekoi. Mbetën vetëm 72 vetë, të cilët i`u lutën me këmbëngulje se dëshironin të vdisnin me të. Fjalët e tyre i pasonte të qarët. Imami i falënderoi që të gjithë për këtë vendosmëri dhe i`u lut Zotit për ta.
Dhe me të vërtetë, që të gjithë këta ranë dëshmorë përpara Imamit, kur filloi lufta. Imami, kur mbeti fill vetëm, nuk u dorëzua. Luftoi si burrë, derisa ra dëshmor në fushën e nderit,
ashtu siç e kishte për traditë prej të atit të tij. Kështu Hyseni i Madh u shtri dhe u përlye me gjak, në pluhurin e shkretëtirës arabe! Trupi i tij u shkel dhe u përbuz prej Jezidit e Jezidistëve të shitur, por kujtimi i tij mbeti gjithë jetën i gjallë në zemrat e gjithë popullit, i cili për vit përsërit zinë, i bën ashuren përkujtimore dhe derdh lot e psherëtimë dhe sot për të, duke vajtuar e duke i kënduar trimëritë e tij. Kjo është ceremonia e ashures së përmotshme, e cila kryhet me një ceremoni të veçantë, duke marrë pjesë me mijëra njerëz në të.
Me t'u çelur Matemi, ashurja vihet në zjarr dhe të nesërmen me një ceremoni fetare, këndohet me zë të lartë vajtimi (Mersije). Pastaj bëhet lutja fetare në një heshtje të madhe zije.
Populli fillon të hajë ashuren, duke përkujtuar Imamin e duke mallkuar Jezidin dhe pasuesit e tij.

Foto nga çelja e Matemit, 17 korrik 2023.