Qindra besimtarë u drejtuan ditën e djeshme (26 gusht 2022) në malin e Krujës, në teqenë e famshme të Sarisalltikut (ndërtuar në shek. XIII), në Ditën e Ashures, që sipas traditës shekullore bektashiane, bëhet në muajin Muharrem. Me këtë rast u organizua ceremonia nga Gjyshata Bektashiane e Krujës, ku mori pjesë dhe udhëhoqi ritet, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ishin të pranishëm gjithashtu dhe, kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Klodian Bulku; nënkryetari i Bashkisë Krujë, z. Flor Cerhozi; Sheh Bujar Horasani, Kryetar i Tarikatit Kadri; Sheh Qemaludin Reka, Kryetar i Tarikatit Rufai, dervish Sali Peti, disa deputetë të Republikës së Shqipërisë etj.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, përshëndeti dhe bekoi të pranishmit dhe u uroi atyre shëndet dhe lumturi në familjet e tyre dhe përpjekje në vijimësi, për sa më shumë dashuri, respekt të ndërsjelltë, bamirësi, unitet, e mbi të gjitha, adhurim e shpresë tek i Madhi Zot. “Si Kryegjysh Botëror Bektashian, ju uroj të gjithëve, që jeni sot në Sarisalltik, në këtë vend të shenjtë dhe më i hershmi në Shqipëri, në Ditën e Ashures. Kjo është një ditë e shënuar për të gjithë ne. Paçi uratat e këtij vendi të shenjtë, dashuri dhe vëllazëri për të gjithë. Zoti u bekoftë“- pohoi mes të tjerave në përshëndetjen e tij, Dede Edmond Brahimaj.
Në këtë eveniment të rëndësishëm bektashian, ishte dhe një mysafire e veçantë, Princesha e Filipineve, Maria Torres Amor, njëkohësisht drejtuese e një shoqate të njohur, me angazhim në forcimin e paqes dhe miqësisë. Prania e saj në Shqipëri lidhet me një tur të saj në Europë, me qëllim dhënien e portreteve në pikturë të disa personaliteteve të njohura në botë, të bëra nga vetë ajo. Ajo erdhi nga Kroacia ku u dhuroi portretet e tyre ish-Presidentëve Stipe Mesiç, Filip Vujanoviç), në Kosovë ku i dhuroi portretin e realizuar nga ajo, ish-Presidentit Fatmir Sejdiu, në Shqipëri për tu dhuruar portretet ish-Presidentit Alfred Moisiu dhe Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj. Duke i dhuruar portretin Kryegjyshit, ajo vlerësoi rolin edhe misionin e Dede Edmond Brahimaj për harmoninë e paqen botërore, duke e ftuar atë në një aktivitet të rëndësishëm që zhvillohet dhjetorin që vjen në atdheun e saj.
Pas ceremonisë, u bë shpërndarja e ashures.Vizitat në shpellën e Sarisalltikut, për seicilin ishin mbresëlënës dhe bashkëbisedimi i ngrohtë më njëri-tjetrin solli dashuri dhe mirëkuptim mes pelegrinëve.
Përgatiti:
Xhorxhi ÇULLHAJ