Ditën e martë, 30 gusht 2022, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, priti dhe dha një intervistë për gazetarin dhe prezantuesin e njohur të televizionit francez “ M6” , Bernard de la Villardiere.
Gjatë bisedës u fol edhe për historinë e persekutimit të bektashizmit dhe rolin e këtij tarikati të fesë Islame, si një faktor kyç i harmonisë e tolerancës ndërfetare në Shqipëri, e më gjerë.
Më tej Kryegjyshi e njohu z. Bernard me historinë tetëshekullore të besimit të paqtë bektashian, trashëgimia shpirtërore e kulturore e tij, predikimi për paqe, bashkëjetesë ndërfetare e harmoni, adhurimi në Zot dhe dashuria vëllazërore pa dallim besimi fetar, etnie, race e ngjyre, përherë e më shumë por gjen mbështetje, duke ngjallë dhe interesin e studiuesve të njohur botërorë. Kështu, dhe historia dhe trashëgimia bektashiane në trevat shqiptare, përherë ka tërhequr vëmendje mbarëkombëtare. Ndër dekada, teqetë bektashiane kanë qenë vatra mikpritjeje për studiues të ndryshëm por edhe gazetarë të shumtë.
Gjatë takimit dhe intervistës, z. Bernard, bëri dhe një vizitë në mjediset e Selisë së Shenjtë dhe Odeonit (qendër fetare-kulturore), ku u njoh nga afër me muzeun e bektashizmit, bibliotekën, arkivin, fototekën/fonotekën, galerinë etj.
Në fund, pasi falënderoj Kryegjyshin Botëror, Dede Edmond Brahimaj, për këtë pritje të ngrohtë, gazetari Bernard de la Villardiere shprehu impresionet dhe vlerësimet për këtë besim të paqtë, mistikën, traditën, përhapjen, veshjen e klerikëve dhe ritet.
Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ
Fotot (Nuri ÇUMANI)