KRYEGJYSHI BOTËROR, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ, PRET KAREL URBAN, AMBASADORIN E REPUBLIKËS ÇEKE NË SHQIPËRI

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, priti ditën e sotme, 2 shtator 2022, Ambasadorin e Republikës Çeke në vendin tonë, Karel Urban.
Objekt i kësaj vizite ishte njohja e diplomatit çek Karel Urban shkurtimisht me historikun dhe aktivitetin e Selisë së Shenjtë Bektashiane, rolin e bektashizmit në forcimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në vendin tonë, ballkan e më gjerë, për sakrificat e panumërta të klerikëve bektashinj, kontributin e tyre për liri e pavarësi, si edhe urtësinë për t’iu afruar me devocion Krijuesit.
Në këtë vizitë, diplomati Urban bëri dhe një vizitë në mjediset e Odeonit (qendër fetare-kulturore), ku u njoh nga afër me muzeun e bektashizmit, bibliotekën, arkivin, fototekën/fonotekën, galerinë etj.
Ambasadori Urban, u impresionua nga sa pa dhe u informua, duke shprehur njëkohësisht dhe vlerësimin për misionin dhe përpjekjet e besimit bektashian, të Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në të mirë të forcimit të paqes, dashurisë njerëzore, harmonistë fetare dhe besimit në Zot.

Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ