AKADEMIA BOTËRORE E PAQES TË O.K.B I DORËZON TITULLIN “DOCTOR HONORIS CAUSA”, KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN, HIRËSISË SË TIJ, HAXHI BABA EDMOND BRAHIMAJ

Ceremonia ka qenë krejt e vaçantë në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, ku në një pjesëmarrje të gjerë me besimtarë bektashianë, përfaqësues të shtetit shqiptar, deputetë, funksionarë vendorë, drejtues të komuniteteve fetare në Shqipëri, të ardhur nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e diaspora, Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Hirësisë së Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, iu dorëzua titulli “Doctor Honoris Causa”, akorduar nga Akademia Botërore e Paqes së Kombeve të Bashkuara. Në këtë ceremoni merrnin pjesë dhe përshëndetën përfaqësues të qeverisë shqiptare, akademistë nga vendi dhe bota, teologë të njohur si dhe studiues të tjerë. Në emër të Akademisë Botërore të Paqes së Kombeve të Bashkuara, Kryegjyshit Botëror, Hirësisë së Tij, Baba Edmond Brahimaj, titulli iu dorëzua nga i dërguari i këtij institucioni të lartë vlerësues, akademiku Madhu Krishan. Mocioni vlerësues i akorduar për Klerikun më të lartë Bektashian ishte për kontributin e dhënë në fushën e teologjisë dhe të harmonisë mes besimeve fetare, paqes, shenjtërisë, dashurisë e mirësisë. “...Misioni i Baba Mondit është shumë afër me misionin e shenjtores Nënë Tereza. Jam shumë i lumtur që mua mu dha rasti, që pas një lufte të gjatë me sëmundjen time të rëndë, të vij në Shqipëri e ti jap këtë titull në emër të Akademisë Botërore të Paqes së Kombeve të Bashkuara...”-theksoi mes të tjerave akademiku Krishan. Tejet i emocionuar dhe njëkohësisht shkurt e në mënyrë të përmbledhur, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, midis të tjerave tha: “... Unë ndihem sot i lumtur, gjithashtu, për faktin që Akademia Botërore Universale për Paqe më zgjodhi mua për të më akorduar titullin “Honoris Kauza” si një lloj mirënjohje dhe shpërblimi për dialogun, tolerancën dhe shpresën që besimi ynë, besimi i Haxhi Bektash Veliut ka shpërndarë këta 800 vite, në vende, popuj dhe etni të ndryshme. Prandaj besoj se kjo ceremoni e thjeshtë përbën gëzim dhe krenari për të gjithë ne së bashku që përpiqemi ditë e natë të rregullojmë jetët tona, të fëmijëve tanë, të ushqyer kurdoherë në mënyrë të veçantë me besimin e palëkundur tek Sidomos në këto ditë, paqja universale është më e dhunuar dhe tronditur si asnjëherë tjetër. Rrënimi i vlerave, në mënyrë të veçantë prej grupe vandalësh në Lindjen e Mesme, po tenton të thyej shpresën e madhe të popujve aty për paqe dhe dialog, duke vrarë bashkë me njerëz të pafajshëm edhe shpresat e krejt atyre popujve. Shumë prej këtyre mekanizmave të verbër dhe vrasës, aksionet e tyre i shoqërojnë me emrin e Allahut të Lartë, por të gjithë ne, jemi koshientë deri në fund se terrorizmi jo vetëm që nuk ka asgjë të përbashkët me Islamin, por përkundrazi në radhë të parë do të godasë pikërisht vlerat, trashëgiminë, të sotmen dhe të ardhmen e fesë sonë universale. Prandaj më shumë se kurrë ne, tarikatet brenda Islamit, vlen të jemi të bashkuar në veprimet, përgjegjësitë dhe vizionet tona, duke promovuar paqen e qëndrueshme që na vjen prej lartësimit të tipareve më të vyera të Islamit, prej jetës dhe veprës së Profetit Muhamed (Paqja qoftë mbi ‘Të), prej mençurisë dhe urtësisë së Imamëve tanë, prej mësimeve të Kuranit të Madhëruar. Prandaj edhe këtë nder të sotmin nga Akademia e Paqes e Kombeve të Bashkuara le ta shohim si një detyrim tjetër , akoma më të madh, në realizimin e lirive tona të plota fetare dhe njerëzore.” Më pas, aktiviteti ku merrnin pjesë qindra vetë, vazhdoi me një koncert të përgatitur enkas për këtë rast, ku mes të tjerave ishin dhe pjestarët e grupit lab “Çipini” dhe shumë këngëtarë të tjerë të njohur shqiptar. Me emocione të thella, me bashkëbisedime dhe me këngë është përcjellë paskëtaj edhe darka e shtruar me këtë rast. Dr. Krishan thotë mes të tjerave se manifestimi i frymës së vëllazërisë tek bektashinjtë vjen natyrshëm, pa zhurmë e bujë. Brenda këtij manifestimi shkrihen si lotët e vesës nga dielli krejt dashuria e thellë njerëzore, për frymën e shenjtë që shpërndanë armata e sotme dhe e djeshme e klerikëve. Bektashizmi, përfundon ai, mesa kuptova sot, nuk është vetëm një besim tolerant, por edhe bashkëkohor, sepse në çdo moment të spiritualitetit të tij, lidhet me kohën dhe traditën e sotme. Jam lumturuar, thotë Hisen Sulejmani, i cili është nga Gostivari dhe ka studiuar për letërsi turke në Ankara. Sepse ky titull, i akorduar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, më duket se na vlerëson të gjithëve ne, që kemi vendosur të ecim në rrugën e ndritur të Haxhi Bektash Veliut dhe të dymbëdhjetë imamëve të dlirë. Është vlerësim për sakrificat e djeshme, por edhe për mënyrën sesi sot, ky besim, ndërton ura paqeje dhe dialogu, kudo ku ka besimtarë. Ndërsa z. Petro Koçi, Zëvendësministër i Mbrojtjes, duke uruar Kryegjyshin Botëror Bektashian për nderin e lartë që iu bë, nuk mungon të thotë se udhëheqësit fetar të feve dhe besimeve tradicional në Shqipëri, kanë ditur gjithmonë të mbajnë dhe të ruajnë ekuilibra të mrekullueshëm, për ta ruajtur të dlirë xhevahirin e harmonisë fetare në vendin tonë.