DEDE EDMOND BRAHIMAJ, TAKON ZYRTARËT PËRKATËS SHTETËROR, PËR TRASHËGIMINË KULTURORE DHE MUZETË

Ditën e martë, 20 shtator 2022, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, priti në një takim pune përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, (Këshilltarë), z. Andi Qinami e  znj. Klesha Qirici dhe përfaqësues të Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, specialistët, Anxhela Hoxha, Enkeleda Lile dhe Megi Qilimi. Qëllimi i këtij takimi ishte për tu njohur nga afër mbi punën që po bëhet në zbatimin e ligjit nr. 27/2018, ”Për Trashëgimin Kulturore dhe Muzetë”. Kryegjyshi,  Dede Edmond Brahimaj, u uroj mirëseardhjen dhe u bëri një prezantim të punës që bëhet në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në pasurimin e muzeut me objekte të reja, riorganizim dhe regjistrimin e objekteve muzeore. Biseda u zhvillua e ngrohtë me pyetje dhe përgjigje, në aspektin fetar dhe rolin që luan Kryegjyshata Botërore Bektashiane në harmoninë fetare në mirëkuptimin dhe afrimin e besimtarëve në funksion të dashurisë dhe vëllazërimit me njëri-tjetrin. Miqtë vizituan Muzeun e Bektashizmit, ku ndër të tjera u njohën me punën që po bëhet  me objektet e reja dhe eksponatet dhe pasurimin e tyre. Ngjalli befasi dhe interes Galeria e pikturave të piktorit  të famshëm, Omer Kaleshit, dhuruar këtij muzeu.  Me këtë rast, u shkëmbyen mendime në restaurimin e teqesë së Melanit në Gjirokastër, e cila mund të kthehet në një muze interesant, që mund të shërbej për turizmin fetar, për tyrbet e teqesë së Shtufit në Gjirokastër (për Monument Kulture), si dhe për mbrojtjen nga shteti  të teqesë së  Borshit, duke nisur me rijetësimin e saj. Gjithashtu, u ndalua në ndihmesën për objektet muzeore që disponon IKRTK nga sekuestrimi i objekteve muzeore të vjedhura, që mund të vendosen edhe në Muzeun e Bektashizmit. U vizitua salla e aktiviteteve fetare kulturore dhe ekspozita fotografike mbi historikun e ngritjes të Odeonit polifunksional. U bënë vizita në arkivin, bibliotekën, fototekë, filmotekën dhe fonotekën, të cilat ngjallën interes për një bashkëpunim sa më dobiprurës për të ardhmen, me Ministrinë e Kulturës dhe Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.

Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAJ

Fotot: (Nuri ÇUMANI)