PËRKUJTOHET 93-VJETORI I KONGRESIT TË III-TË BEKTASHIAN, ZHVILLUAR NË TEQENË E TURANIT, KORÇË

Sot, më 26 shtator 2022, në Selinë e Shenjtë Bektashiane, përkujtohet 93-vjetori i Kongresit të III-të Bektashian. Me këtë rast, nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, evokon rëndësinë e kësaj ngjarje të rëndësishme. Ndër të tjera, Dede Edmond Brahimaj, në këtë mesazh  thotë:
“Kongresi i III-të Bektashian, që u mbajt më 26 shtator të vitit 1929, ishte dhe mbetet një ngjarje e rëndësishme për miliona bektashinj në Shqipëri dhe gjithë botën, pasi ai erdhi pas një situate tejet të vështirë me të cilën u përball ku besim i paqtë. Ky kongres, nder të tjera, miratoi vendosjen e Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri dhe miratoi Statutin. Organizimin strukturor të gjyshatave etj… Ky kongres, shënoi rrugëtimin e gjatë dhe të suksesshëm të bektashizmit, ndaj respekti dhe mirënjohja jonë për ata klerikë e atdhetarë, që përgatitën e organizuan këtë kongres, do të jetë kurdoherë prezente…!”
Me 26 shtator 1929 u mbajt Kongresi i III-të i Bektashinjve në teqenë e Turanit, në Korçë.
Kongresi erdhi si një nevojë për riorganizimin e komunitetit bektashi në territorin shqiptar e më gjerë.  Komuniteti organizoi disa kongrese, i pari ishte ai në teqenë e Prishtës (Skrapar) mbajtur më 17 janar 1921 dhe kongresi i dytë në teqenë Hajdarie, (Gjirokastër) në 9 korrik 1924.  Më pas u mbajt ai në teqenë e Turanit në Korçë.
Në këtë Kongres morën pjesë 47 delegatë nga ku 34 prej tyre ishin të ftuar (laik), mes tyre edhe prefekti i Korçës Hil Mosi dhe kryebashkiaku Vasil Avrami, ndërsa nga komuniteti bektashi, kryetari Gjysh Kamber Prishta.
Kongresi më datë 28 shtator miratoi Statutin e Komunitetit Bektashian.  Personeli fetar duhet të ishte mbi 25 vjeç dhe organizimi i brendshëm do të ishte nën strukturën: Kryegjysh, Këshill Miks, këshilla vendore të gjyshërve, këshilla të prindërve si edhe ofiqarë shërbimi fetar. Komuniteti bektashi është person juridik dhe gëzon të drejtat të personit moral. Komunitet ndahet në Gjyshëri, si ajo e Krujës, Elbasanit, Korçës, Frashërit, Prishtës, Gjirokastrës.
Vendi ku u krye ky kongres, Teqeja e Turanit, do të bëhej qendra e parë Botërore e përkohshme e Bektashizmit në Shqipëri. Pas këtyre zhvillimeve në mars të 1930 Mbreti Zog emëron Kryegjysh Botëror të Bektashinjve Sali Niazi Dedenë e më pas me vendimin nr. 659, dt. 02.08.1930 vendosi Selinë e Shenjtë Botërore në Tiranë.

Përgatiti:
Xhorxhin ÇULLHAI