15 tetori 2022, është një ditë e rëndësishme për besimtarët bektashinj Tepelenës e më gjerë, pasi mbushen plot 215 vjet nga themelimi i Teqesë së Koshtanit, një teqe e lashtë, e njohur si qendër edukimi fetar e atdhetarë që nga krijimi i saj.
Teqeja e Koshtanit, ka një histori shumë të vyer, me të cilën vlen të merren jo vetëm studiuesit shqiptar të bektashizmit, por edhe ata të huaj, pasi nëpërmjet shtresëzimeve historike, vijnë mesazhe të kulturave të ndryshme, të identiteteve të ndryshëm kulturor dhe realiteteve po ashtu të ndryshëm, të krahinës së Tepelenës.
Kjo teqe është themeluar nga baba Sadiku, me origjinë nga Durballia e Greqisë, i ndihmuar nga baba Shememi Babai, i Krujës. Ky fakt sjellë tek mendimi se teqeja mund të jetë themeluar para vitit 1807, kohë në të cilën u vra baba Shememi. Ajo ka qenë një qendër e rëndësishme në krahinën e Tepelenës, nëpërmjet rolit që kanë luajtur në rilindjen kombëtare, baballarëve të shquar, si baba Ahmedi, baba Kaso, baba Nurja, sidomos në ngritjen më 1908 këtu, të të parës shkollë shqipe në Tepelenë. Në vijimësi, në këtë teqe drejtuan baba Muharremi, baba Ismaili, baba Shefqeti Gllava (viti 1939). Në vitin 1940 e gjatë luftës, në ‘të kanë shërbyer klerikët, baba Shefqet Hajdar, dervish Muharem Tare, dervish Qazim Sadik, dervish Ibrahim Muhatem, dervish Xhemal Kapo, dervish Tahir Banush, dervish Xhafer Ahmed, dervish Shaban.
Pas tyre, drejtuan klerikët: baba Abedin Greshica, dervish Muharrem Zhapokika, dervish Ibrahim Zhapokika ( deri në vitin 1950 ). Nga vitin 1960 deri 1963, drejtuan: baba Abedin Agaj me dervish Hysen Merdani, dervish Demir Xhakaj, devish Xhafer Sinamemaj, dervish Hamza Xhelilaj dhe baba Adem Maksutaj. Nga viti1963 deri në 1967, kur institucionet fetare i mbylli shteti i kohës, drejtuan, baba Myrteza Tinari, dervish Myrteza Kamberi, baba Lutfi Memushaj, dervish Xhafer Sinomemaj. Teqeja u rihap në vitin 1991.
Është shpallur monument kulture.