VEPRIMTARI – HOMAZH NË NDER TË PIKTORIT OMER KALESHI, MIKU I SHQUAR I SELISË SË SHENJTË BEKTASHIANE

Ditën e hënë, 17 tetor 2022, ora 18:00 në mjediset e Odeonit të Selisë së Shenjtë, në një veprimtari- homazh të veçantë, në nder të piktorit Omer Kaleshi, miku i shquar i Selisë së Shenjtë Bektashiane në Tiranë, personalitete të artit, ambasadorë dhe studiues, sollën vlerësimet dhe mbresat nga takimet me mjeshtrin e madh të penelit, piktorin e shquar.
Në këtë veprimtari merrnin pjesë Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; Luan Rama ( ish- Ambasador në Paris), i cili paraqiti edhe librin e tij ” Omer Kaleshi nga gërma A në Zh “,   piktorë të shquar dhe personaliteteve të tjerë.
Aktiviteti filloi me disa sekuenca filmike dhe intervista të piktorit Omer Kaleshi, rreth jetës së tij, pikturës dhe veprimtarive të ndryshme ndër vite, ku vlen të përmendet përurimi i Galerisë “Omer Kaleshi” në Muzeun e Selisë së Shenjtë Bektashiane, ku dhe ai vet ishte i pranishëm. Ka qenë Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili duke falënderuar të pranishmit u shpreh: “Të nderuar miq dhe dashamirës të vëllait tonë, Omer Kaleshi, ministra, ambasadorë, piktorë, intelektualë të shquar dhe gazetarë!
Si Kryegjysh Botëror Bektashian, më lejoni t’iu falënderoj  në këtë event-homazh për jetën dhe veprën e Omer Kaleshit! Më lejoni gjithashtu t’ju uroj juve dhe familjet tuaja, për një jetë shpirtërore sa më të pasur dhe të begatë!
Zoti i Lartësuar u plotësoftë çdo dëshirë!
Omer Kaleshi, vëllai dhe miku ynë, i të gjithëve në këtë sallë, ka qenë dhe mbetet padyshim shëmbëlltyrë e një shqiptari të madh. Poetët nxjerrin në pah universalitetin e ndjenjave të tij, piktorët e vënë në krah të piktorëve të tjerë me përmasa evropiane, biografët e kundrojnë përmes niveleve artistikë dhe atyre kulturorë. Personalisht ndihem i lumtur t’ju kujtoj sot, se Omer Kaleshi, ka pasur ndërkaq, shumë të zhvilluar edhe dimensionin e tij të thellë shpirtëror.
Këtë dimension të tij, e kam parë qysh kur u takuam së pari në Paris, në veprimtarinë tonë për ditët e kulturës bektashiane, i thjeshtë si rrallëkush, i qetë dhe plot kureshtje për bektashizmin shqiptarë, ai do t’i afrohej veprimtarisë sonë në Paris, duke dhënë edhe kontributin e vet, duke thënë disa të vërteta të mëdha për këtë tarikat, të cilin e kish takuar së pari në fëmijërinë e hershme në viset shqiptare të Maqedonisë Veriore.
Më tej u takuam në studion e tij në Paris dhe aty unë pash se çfarë respekti dhe dashuri të veçantë ushqente ky piktor për jetën baritore dhe për dervishët.
Bisedat me të, përjetimet e mrekullueshme për zhvillimet e bektashizmit në Ballkan, por edhe përgjegjësia historike e sotme e Selisë së Shenjtë Bektashiane, çuan kësisoj në aktin e pamatë, në dhurimin e njëzet pikturave origjinale të tij, për mjediset kulturorë të Selisë sonë. Galeritë e Omerit në Prishtinë, në Shkup dhe së fundmi në Tiranë, në shtëpinë e Haxhi Bektash Veliut, janë jo vetëm unike në kuptimin e shqiptarësisë, por edhe një pasuri e rrallë që shpërfaq njëherazi shpirtin dhe dramën ballkanike.
Brenda hapësirave të këtyre galerive, pa më të voglin dyshim, do të jenë të pranishëm jo vetëm vlerat mirëfilli artistike, por edhe ajo frymë e pastër dhe e shenjtë e shqiptarisë së tij.
Motra dhe vëllezër të pranishëm!
Ne sot jemi mbledhur këtu pa Omerin, në kuptimin fizik të qenies njerëzore. Por nuk është aspak e vështirë të kuptosh se vëllai ynë, Omer Kaleshi, është i pranishëm me atë buzëqeshjen dhe mendimin e thellë, tamam si atë ditë, kur në promovuam galerinë me emrin e tij. Çdokush nga ne, i cili një pjesë të udhëtimit të tij shpirtëror dhe fizik e ndan me piktorin evropian, së bashku me emocionet, besoj se ndihet krenar qoftë edhe për një bisedë që ka bërë me të, qoftë edhe për ndonjë mendim që ka shkëmbyer në barazi të plotë njerëzore.
Unë gjej rastin gjithashtu, të falënderoj në mënyrë të veçantë mikun e ngushtë të Omer Kaleshit, por edhe të Selisë sonë, ambasadorin Luan Rama, i cili ka ardhur posaçërisht për këtë mbrëmje- homazh, nga Parisi, duke na dhënë në duar librin “Omer Kaleshi nga germa A në Zh” dhe duke na sjellë në përfytyrimin tonë, një piktor të panjohur në kuptimin e thellësive njerëzore dhe artistike. Faleminderit Luan, faleminderit të gjithëve!
Zoti ju bekoftë! Amin!”
Më pas sollën mbresat e tyre rreth jetës dhe veprës së Omer Kaleshit, z. Luan Rama, z. Abaz Hado, znj. Rudina Xhunga, znj. Rita Petro, shkrimtari i ardhur enkas nga Parisi, Gerard Alba, piktori i ardhur nga Gjermani,a Abdulla Gjongecaj etj.
Gjithashtu, gjatë përshëndetjeve, aktiviteti u shoqërua nga recitues të ndryshëm, të cilët evokuan jetën e këtij piktori të përmasave evropiane.

Përgatiti:
Xh. ÇULLHAJ

Fotot: N. ÇUMANI