SIMPOZIUM “BASHKËJETESA FETARE – TRADITË DHE KULTURË” , NË TIRANË

Ditën e sotme, 15 nëntor 2022, në ambientet e Hotel Tirana , ora 10:00, u zhvillua simpoziumi me temë: “Bashkëjetesa Fetare – Traditë dhe Kulturë” , në Tiranë, ku pjesë e këtij eventi ishte edhe promovimi i librit “Guidë Turistike Fetare – Tiranë 2022”.
Në këtë simpozium, të zhvilluar nën përkujdesen e Bashkisë Tiranë dhe Qendrës ASET, merrnin pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përfaqësues të lartë të besimeve fetare në Shqipëri, historianë, studiues, studentë dhe personalitete të njohura të jetës publike, miq dhe të ftuar të tjerë…
Kryegjyshi Botëror pasi përshëndeti të pranishmit, duke edhe i uruar suksese këtij simpoziumi, midis të tjerash tha: “Mirnjohës dhe përgëzime për këtë event me rëndësi për turizmin religjioz. Bashkëekzistenca dhe njëkohësisht bashkëjetesa mes feve të krishtera dhe myslimane, është një veçori e trashëguar ndër breza në Shqipëri, e ku ne udhëheqësit e religjioneve të ndryshme po e kultivojmë me mund e sakrifica, me sfidat që bota po përballet, zhvillim me hapa të shpejtë i teknologjisë së Informacionit, pandemia e së fundmi luftrat. Historia ka treguar nëpërmjet Arkivit të dokumentuar me shkresa zytare, fotografive, filmimeve , të dhëna nga Institucionet Shtetërore, Ambasadat e huaja, se kjo bashkëjetesë ndërfetare tregohej në festat dhe eventet e klerit, me shkëmbimin e vizitave në objektet e kultit fetar,  në çështjet e problemet e përbashkëta që mblidheshin e diskutonin, e në ceremoni shtetërore e ato të përfaqësive diplomatike në vendin tonë , përherë kishin vendin e nderit për kontributin e vyer e të paçmuar të bëashkëjetesës ndërfetare e mirëkuptimit të ndërsjelltë.
Dhe ja ku jemi sot, të nderuar vëllezër të mij, me të njëjtat uniforma klerikale të shenjta, e në shërbim të njerëzimit, që aq shumë ka nevojë për ne, por janë sakrificat e të parëve tanë që ja kanë dalë mbanë uzurpimeve, diktaturës famëkeqe dhe poshtërimeve të sistemit komunist. E pas viteve 90′ e gjetën forcën për të rindërtuar nga hiçi këtë mozaik mahnitës ndërfetar , nga pikpamja e rindërtimit , restaurimit të ndërtesave dhe kultivimit të frymës së paqes, humanizmit, ndihmës ndaj njerëzve në nevojë e promovimit të vlerave të pashembullta familjare, të respektit të ndërsjelltë e në thelb njerëzores. Do të doja në këtë event të sotëm të përmend ish Kryegjyshët Botëror të cilët i dhanë shumë vlera Bektashizmës në Shqipëri dhe e ngritën atë në nivelin e një qëndre botëorore ku sot gëzojnë rrespekt shtete të ndryshme të botës e personalitete të mëdha të botës religjioze dhe jo vetëm.
Sali Njazi Dede në postin e lartë të Kryegjyshit u zgjodh në vitin 1913 në Haxhi Bektash. Me përkushtim, arsimim e shenjtëri , arriti cilësi të larta morale e klerikale. Shumë shpejt u bë i njohur në rrethet klerikale të Turqisë, Egjiptit, Sirisë, Iranit, Irakut, Greqisë, Rumanisë Bullgarisë, Hungarisë, Jugosllavisë, Shqipërisë etj. Misioni i ngarkuar i dha një përvojë të pasur si klerik, organizator dhe drejtues i aftë i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. I solli Shqipërisë një vlerë të çmuar , Qëndrën Botërore të Bektashizmit, e meritat e tij të larta janë të pashpërblyeshme. Duke u pasuar nga Ali Riza Dede Baba, shembull i përgatitjes së një kleriku të aftë e të vlerësuar ndërkombëtarisht , Kamber Ali Dede u aktivizua shumë në Lëvizjen Kombëtare në përhapjen e arsimit shqip në malësi të Skraparit, Kolonjës, Përmetit, Tomoricës dhe sidomos për njohjen e shtetit shqiptar të porsaformuar nga fuqitë e mëdha. Xhaferr Sadik Dede pasi kreu studimet e larta teologjike ne Stamboll Turqi u kthye e ka luajtur një rol të rendësishëm në përhapjen dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe në krahinën e Përmetit. E mandej Abaz Ilmi Dede , me kontributin e paçmuar të patriotizmit e përhapjen e vlerave të bektashizmës, Dede Ahmed Myftari organizoi arsimin fetar dhe nën kujdesin e tij u përkthyen në gjuhën shqipe dhjetra libra për bektashizmin e Kurni i Shenjtë. Ai u  bë faktor i harmonisë fetare midis komuniteteve fetarë tradicionale në Shqipëri. Zgjidhi një varg detyrimesh të Komunitetit Bektashian Shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën.
Mori pjesë në disa Konferenca Ndërkombëtare për  Paqen. E duke arrdhur tek paraardhësi im i ndjeri Dede Reshat Bardhi që pjesa më e madhe e juaj e kujtoni me dashamirësinë dhe urtësinë e një kleriku të shenjtë në fjalë e në veprën që realizoi,  rilindësi i Bektashizmit, pas një periudhe pauze të persekutimit komunist ndaj tij, i cili dha kontribur jo vetëm në rizgjimin e besimit bektashi në zemrat e shumë besimtarëve, por diti të mbajë lidhjet ndërfetare si shembull i shkëlqyer i paraardhësve të tij.
Jo pa qëllim, përmenda punën , sakrificat, vetëmohimet, e vlerat e pashëmbullta që klerikët Bektashinjë Kryegjyshë Botërorë e shumë klerikë të tjerë baballarë e dervishë patriotë dhe fetarë i kanë dhënë Shqipërisë historikisht e në aspektin ndërfetar.
Për të kaluar mandej tek Turizmi Fetar. Ringritja e ndërtimeve dhe objekteve të kultit bektashian ka qënë një rrugëtim i vështirë, pas viteve 90′ , por sot bashkohemi njëzëri që ky mozaik i bukur i kishave, Xhamive, Teqeve Bektashiane dhe objekteve të tjera të kultit fetar, është burim atraksioni i qindra mijëra turistëve anë e mbanë botës. Kryegjyshata Botërore Bektashiane i ka të organizuara strukturat e saj në 6 Gjyshata, Gjyshata e Krujës (Krujë, Bulqizë, Shkodër) Gjyshata E Vlorës (Vlorë, Fier, Mallakastër) Gjyshata E Elbasanit (Elbasan, Gramsh, Kavajë-Lushnje) Gjyshata E Skraparit (Berat, Skrapar, Përmet) Gjyshata E Korçës (Korçë, Devoll, Ersekë) Gjyshata E  Gjirokastrës (Gjirokastër, Tepelenë, Sarandë.)
Në objektet e kultit bektashian do të doja ta filloja nga Qëndra Multifunksionale Odeoni, një objekt kulti e menduar që prej kohës së Dede Ahmet Myftarit e ideuar dhe filluar të ndërtohet nga Dede Reshat Bardhi dhe e inaguruar në vitin 2015, me pjesmarrjen e krerëve të shtetit, përfaqësive diplomatike e religjioneve nga mbarë bota. Një objekt unikal në ballkan e më gjerë i kompozuar nga muzeu bektashian, biblioteka, Arkivi, Fototeka, Fonoteka, regjistrimi i besimtarëve Bektashinj sipas trungut familjar, kati i dytë nga salla e madhe që shërben për ceremoni fetare, workshope dhe organizime të tjera kulturore e fetare.
Një tjetër objekt kultit i vizituar çdo vit nga datat 20-25 gusht, është Mali i Shenjtë i Tomorrit në nder të Shenjtorit Abaz Ali, ku mblidhen qindra mijëra pelegrinë të besimeve të ndryshme, po ashtu edhe Mali i Shenjtë i Sari Salltikut në Krujë në nder të Shenjtit Sari Salltik , i cili vizitohet nga mijëra turistë në datën 15 gusht por edhe çdo ditë të vitit, duke vijuar me Teqenë e Kuzum Babait në Vlorë, Teqe e Martaneshit, ose e quajtur Teqe e Ballëm Sulltanit me festimet në datës 29 qershor të çdo viti, Teqe e Frashërit e cila është rikonstruktuar dhe është bërë objekt me vlera e rëndësi historike për tu vizituar, Teqe e Turanit Korçë, Teqe e Melçanit Korçë, Teqe Turan Tepelenë, Teqe e Sarandës, Teqe e Alipostivanit, Teqe e Shtufit Gjirokastër dhe e Zallit, teqe e Elbasanit e shumë e shumë objekte të kultit bektashian.
Është arkitektura e veçantë që i bën këto objekte kulti të vizitohen nga qindra mijëra vizitorë, sepse ndërtesa bektashiane karakterizohen nga motive patriotizmi e thjeshtësie, guri dhe druri janë të vetmit element që një ndërtesë bektashiane duhet të ketë. Në pjesën më të mëdha të ketyre teqeve janë ndërtuar muze , në brendësi të së cilave gjeni objekte të vjetra e antike të përdorura nga kleri bektashi e simbole që tregojnë për historinë e bektashizmës.
Ja pra të nderuar, ashtu sikundër religjionet e tjera dhe Bektashizmi i ka dhënë e vazhdon ti jap Shqipërisë vlera kulturore, historike, fetare, patriotizmi turizmit në Shqipëri, e në këmbim presim dashamirësi bashkëpunim në zgjidhjen e problemeve që hasim në këtë rrugëtim në të mirë të Shqipërisë dhe Shqiptarëve, sepse “Zoti nuk shikon fytyrat tona, por zemrat tona” siç do të thoshte i madhi Imam Ali.Prandaj të gjithë duhet të kontribuojmë në vazhdimin e këtij rrugëtimi që po le gjurmë në historinë e Shqipërisë.
Duke ju falenderuar për vëmendje Tuaj!
Zoti na bekoftë!
Amin!”