KRYEGJYSHATA BOTËRORE BEKTASHIANE MERR PJESË NË PANAIRIN E 25-TË TË LIBRIT, “TIRANA 2022”

Panairi i librit “Tirana 2022” çel sot, më datë 16 nëntor,  dyert e edicionit të tij të 25-të në Pallatin e Kongreseve.
Ky është një nga evenimentet kryesore të promovimit të dijes ku qytetarët do të kenë mundësi të vizitojnë rreth 100 stenda të ekspozuara të të gjitha trevave shqipfolëse që i janë bashkuar aktivitetit.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Selia e Shenjtë, merr pjesë për të pestën herë në këtë panair, me një stendë të veçantë, me një larmi titujsh të ndryshëm, ku lexuesit do të njihen jo vetëm me botimet e Kryegjyshatës, por edhe në promovimin e shumë botimeve të reja cilësore, Fetaro-Kulturore, që lidhen me bektashizmin.
Ajo që e bën gjithmonë të veçantë panairin është se, lexuesit kanë mundësi të takojnë nga afër disa prej autorëve të tyre të preferuar, si dhe të njihen me botimet e reja.
Që në ditën e parë te hapjes së saj, stenda e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane ngjalli shumë interes.
Panairi do të zgjasë nga data 16 deri në datë 20 nëntor 2022.
Në orën 12:00, të ditës së premte, në sallën “Ovale” të Pallatit të Kongreseve , bëhet promovimi i librave: “Naim Frashëri Aposull dhe Bilbil i Shqiptarizmës ” dhe “Haxhi Dede Edmond Brahimaj – 10 vjet Kryegjysh Botëror i Bektashinjve” ku do të marrin pjesë botues, studiues dhe personalitete të shumtë.