KRYEGJYSHI BOTËROR, DEDE EDMOND BRAHIMAJ MERR PJESË NË PRITJEN E 110 VJETORIT TË SHPALLJES SË PAVARËSISË, NË AMBASADËN SHQIPTARE NË KOSOVË

Ditën e enjte, më datë 24 nëntor 2022, Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, nën përkujdesjen e veçantë të Ambasadorit z. Qemal Minxhozi dhe znj. Luljeta Minxhozi organizuan një pritje, me rastin e 110 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani; Kryeministri Albin Kurti; dervishi i teqesë bektashiane në Gjakovë, Dervish Rrauf Radoniqi; përfaqësues të komuniteteve fetare, ambasadorë, intelektualë, akademikë të shquar,  politikanë, partnerë e miq të shumtë etj..
Kujtojmë se marrëdhëniet dypalëshe mes dy anëve të kufirit janë rritur nga viti në vit. Institucionet e ndryshme të Shqipërisë dhe të Kosovës kanë vendosur një bashkëpunim reciprok.
Shqipëria dhe Kosova kanë unifikuar nisma të ndryshme rajonale ku Shqipëria ka mbështetur fuqishëm të gjitha proceset e përfshirjes së Kosovës në organizmat rajonale dhe më gjerë.
Padyshim që edhe religjionet kanë pasur ndikim në krijimin e një uniteti kombëtar, duke qenë se kështu popullit i shtohet edhe një veçori e përbashkët, në këtë rast feja.