KRYEGJYSHI BOTËROR, DEDE EDMOND BRAHIMAJ MERR PJESË NË PRITJEN E ORGANIZUAR NGA KRYEBASHKIAKU VELIAJ, ME PËRFAQËSUES TË TRUPIT DIPLOMATIK DHE KRERË TË BESIMEVE FETARE, PËR FESTAT E FUNDVITIT

Kryebashkiaku i Tiranës, z. Erion Veliaj ka organizuar një pritje të veçantë, në prag të festave të fundvitit, me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, personalitete të spikatura të jetës publike, krerët e komuniteteve fetare në vend, e të tjera figura të nderuara të Tiranës.
Në këtë pritje mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Veliaj, në fjalën e tij, ka bërë një analizë dhe bilanc të vitit që po mbyllet, duke nënvizuar se Tirana, nga Kryeqyteti Evropian i Rinisë merr titullin e Qytetit Evropian të Sportit 2023.
“Ky ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për Tiranën tonë. Ka qenë viti kur Tirana u shpall Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Sapo u kemi kaluar stafetën kolegëve tanë polakë. Vitin tjetër, kur Tirana do të jetë Qyteti Evropian i Sportit, mezi pres që, me shumë prej jush, si ata që përfaqësojnë komunitetet e besimit, vëllezërit tanë këtu, por edhe ata që përfaqësojnë komunitetet ndërkombëtare, nga ambasadat e pranishme në Tiranë, të kemi një vit tjetër aktiv,” tha ai.
Kryebashkiaku vlerësoi faktin se komunitetet e besimeve fetare bashkëjetojnë më mirë se kudo në vendin tonë, pavarësisht festave fetare.
“Ky është një ndër të vetmit vend në botë, ku na vjen natyrshëm të jemi bashkë, si për Ramazan, ashtu edhe për Bajram, si për Pashkë ashtu edhe për Krishtlindje. E çmoj shumë kontributin që jepni për kombin dhe qytetin tonë. Ky qytet është më i bashkuar falë jush, është më tolerant falë jush. E kam zemrën plot mirënjohje, dashuri dhe respect, për kontributin ditor që secili prej jush jep për ta bërë qytetin jo vetëm më të madh e më të pasur të të gjithë shqiptarëve, por edhe më të dashur”.- theksoi Veliaj.