Këshilli Universal i Paqes dhe Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet vlerësuan me çmime mirënjohjeje Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për kontributin e dhënë në shërbim të paqes dhe të prosperitetit.
Ditën e sotme, më 17 dhjetor 2022, Misioni Diplomatik për paqe dhe Prosperitet, një organizatë lobuese ndërkombëtare e regjistruar në OKB, NATO dhe SHBA, vlerësoi me disa tituj Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Në këtë ceremoni, në mesin e shumë personaliteteve të lartë dhe të ftuarve të tjerë, ishin edhe Kryepeshkopi Gioachino Collica, përfaqësues i Këshillit Universal të Paqes; zëvendëskryetarët e këtij këshilli dhe Kancelari i Afrikës për U.P.C, Marouan El Mansoub.
Në një ceremoni të veçantë, ata nderuan Kryegjyshin Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj me titullin: “Çmimi i Artë i Ekselencës Njerëzore”, shoqëruar me medaljen: “Njeriu i Artë”, si dhe me titullin: “Ambasador i Paqes Universale”.
Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj, pasi falënderoi të pranishmit për vlerësimin, ndër të tjera tha: “Vlerësojmë punën e kujtdo që punon për paqen dhe ky është një vlerësim i madh për mua. Mesazhi im është për njeriun që të merret me veten. Asnjë nuk ka fuqinë që të rregullojë botën. Por të gjithë bashkë do ta bëjmë më të bukur, më të lumtur.
Lutjet tona në këto ditë të vështira, duhet të shkojnë që lufta në Ukrainë të mbarojë sa më shpejtë. Amin!”
Nga ana tjetër, Guvernatori i Misionit Diplomatik për Paqe e Prosperitetit, Dr. Shefki Hysa, tha se titujt janë një meritë e Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj, për kontributin e dhënë prej tij në shërbim të paqes dhe prosperitetit në vend, rajon dhe botë.
“Është nder i veçantë sot, që institucionet tona nderojnë një personalitet të veçantë, liderin botëror të bektashizmit, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Është një nder personalitetet që e kanë përzemër jo vtëm shqiptarët por kudo në botë, veçanërisht strukturat që punojnë për paqe e prosperitet.” – tha ndër të tjera, Dr. Shefki Hysa.