Mesazhi i Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: “Baba Sali Matohasanaj ka zënë sot vendin e tij të merituar në panteonin e figurave të ndritura të bektashizmit shqiptar dhe atij botëror. Duke përkujtuar 152-vjetorin e themelimit të teqesë Matohasanaj, ne krenohemi në kujtim të veprës së tij, në misionin e besimit në Zot dhe dashurinë për atdheun.
Në këtë përvjetor të teqesë Matohasanaj, të përcjellim në këtë fund viti dashuri e mirësi për të gjithë familjet shqiptare dhe gjithë familjeve bektashiane në botë, duke ju dëshiruar të gjithëve paqe e harmoni. Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!
Në vështrimin historik
Teqeja në fillim, është themeluar nga baba Salih Matohasanaj, në shtëpinë e tij dhe, më vonë, u ngrit objekti. Teqeja bektashiane aty, u lidh ngushtë me personalitetin e Baba Saliut. Baba Saliu lindi në po këtë fshat, në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. Ende i ri, ai hyri në tarikatin bektashian. Pas lidhjes së Prizrenit (1878), në këtë teqeqe, mësohej fshehtas mësimi i gjuhës shqipe. Baba Saliu merrej me mësimin e fëmijëve të fshatit dhe krijoi një shkollë me fondet e tij, ku mësues ishte Feim Çami. Në këtë shkollë janë edukuar paria e Lopsit, si Veis Arifi, Ismail Kasua, Zenel Fetahu, Mersin Meçja, Ali Veizi, Dulja e shumë të tjerë. Teqeja u bë e njohur në zonën e Kurveleshit për përkushtimin e tij bektashian dhe atdhetar.
Baba Rexhebi tregon se si ai sillte libra nga Stambolli nëpërmjet Tripolit të Libisë, prej nga me ndihmën e guvernatorit lokal, Rexhep Pashë Matit, i binte në Shqipëri dhe i shpërndante në Shqipërinë e Jugut. . Në vitin1902, në krahinën e Kudhësit të Vlorës, ai u denoncua tek autoritetet turke nga spiunët, u arrestua dhe burgos për një kohë të gjatë në Libi. Këtu ka përkthyer “Hadikën” e Fuzulit në dialektin lab. Dhimitër S. Shuteriqi tregon se dorëshkrimi i këtij përkthimi mbeti deri në 1950 në teqenë e Baba Saliut, në Matohasanaj. Teqeja ka ndihmuar në luftën antifashiste (1939-19944), për të cilën është djegur dhe plaçkitur nga pushtuesit në qershor 1944. Kanë shërbyer në këtë teqe klerikët: baba Sali Matohasanaj, dervish Xhemal Alizoti (1939-1950), baba Sherif Manaj (1950-1967). Teqeja u mbyll nga sistemi monist në vitin 1967. Baba Sherif Manaj qëndroi në shtëpinë e Besim Velikos dhe shtëpinë e mbesës, Zyhras deri sa kaloi nga jeta, në vitin 1998. Teqeja u rihap mbas vitit 1990. Gjithashtu, në tetor 2004, u ringrit një tyrbe e bukur ku prehen eshtrat e baba Saliut, baba Sherif Manajt, baba Xhemalit.