MESAZH I KRYEGJYSHIT BOTËROR TË BEKTASHINJVE, SHENJTËRIA E TIJ, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ, ME RASTIN E 555-VJETORIT TË VDEKJES SË SKËNDËRBEUT

Sot, më 17 janar, është 555-vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Me këtë rast, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka publikuar një mesash, ku evidenton rolin e këtij heroi për qëndresën në mbrojtje të kombit shqiptar, duke evidentuar dhe faktin se Skënderbeu ishte besimtar bektashi.
“Sot, më 17 janar, mbushen plot 555 vite të ndarjes nga kjo jetë të Heroit Kombëtar dhe bektashiut Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Skënderbeu, me madhështinë e tij, arriti t’ i bashkojë të gjitha fiset shqiptare kundër otomanëve. Ai vendosi gurin e parë të rëndësishëm në ndërtimin e shtetit shqiptar. Skënderbeu është i papërsëritshëm dhe gjithmonë duhet ta gjejmë atë brenda nesh, për të mbajtur gjallë frymën dhe veprën më madhështore në historinë e popullit shqiptar. Ky jubile është i veçantë për situatën që po kalojmë, kombëtar dhe ndërkombëtar. Skënderbeu, mbetet shembulli unikal i bashkimit të shqiptarëve. Ai ishte njeriu që krahas sfidave të mëdha dhe në histori, do të qëndroj udhërrëfyes për brezat. Urimi ynë, në këtë rast, është për të gjithë shqiptarët, diasporën dhe besimtarët bektashian në gjithë botën, që të bashkohemi gjithmonë me shpirtin tuaj tradicional heroik për të realizuar testamentin e Skënderbeut. Me bekim dhe dashuri atërore. Zoti u bekoftë të gjithëve!”- theksoi mes të tjerave në këtë mesazh, Dede Edmond Brahimaj.
Mëngjesin e ditës së sotme, ditë përkujtimore e 555 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në nder të Heroit Kombëtar, në një mesazh, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, konfirmoi vendimin “…që çdo fillim javë, në çdo shkollë të vendit do këndohet himni kombëtar.”
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu lindi në vitin 1405 dhe u nda nga kjo jetë 555 vite më parë.