103 VJET, NGA KONGRESI I LUSHNJES

Dhjetë ditori i janarit 2023, përkon me një ngjarje të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, 103 vjetorin e Kongresit të Lushnjes. Kjo ngjarje e shënuar, gjatë këtyre ditëve, përkujtohet me aktivitete të shumta në Lushnje dhe në shkallë vendi.
Kjo ngjarje e shënuar, mesazhet që saj, vlerësohen në një mesazh të publikuar dhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Ndër të tjera, në mesazhin e Tij, thuhet: “… Kongresi i Lushnjes, i mbajtur 103 vite më parë, ka qenë dhe do të mbetet një ngjarje e shënuar për shkak të vendimeve që mori, në interes të kombit shqiptar. Ai u mblodh në një situatë kritike, duke materializuar një përpjekje të madhe të patriotëve e klerikëve atdhetar shqiptar, për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së vendit. Mbledhja e zhvillimi i këtij kongresi, pati dhe mbështetjen e klerikëve bektashianë, pasi ai dhe qëllimi i tij, materializonin devizën tonë bektashiane, ‘Pa atdhe, nuk ka fe’. Ky kongres i rëndësishëm, vendimet e tij dhe mesazhet që u dhanë, mbetën e do të jenë aktuale ndër breza, ndërsa përkujtimi i ngjarjeve të tilla madhore, janë vlerësim për personalitetet e kohës, atdhetarët dhe identitetin tonë kombëtar!”
Kongresi i Lushnjës (ose zyrtarisht Mbledhja Kombiare Lushje), hapi zyrtarisht punimet me 21 janar 1920, ndërsa punimet i zhvilloi nga data 28 deri më 31 janar 1920. Në ‘të u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe u bë zgjodhja e këshillin e lartë prej 4 vetash me në krye Aqif Tapalloin, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina. Pas Delvinës, në atë qevri u zgjodhën dhe Ahmet Zogu, Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica, Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria, Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba, Ministër i Financave, Sotir Peci, Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, Eshref Frashëri, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore dhe Idhomene Kosturi, Drejtor i Përgjithshëm i Postë-Telegrafëve.
…Ky kongres, është një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike. Ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina.
Kongresi i Lushnjes kreu punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kasëm Fuga. Në Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga rreziku i copëtimit të Shqipërisë. Delegatëve i uroi mirëseardhjen në Kongres Ferit Vokopola që ishte delegati i Prefekturës së Beratit, Lushnjes dhe Skraparit. Pas Vokopolës, fjalën e mori patrioti i famshëm i asaj kohe Aqif Pashë Elbasani. Aqif Pasha ju përgjigj shkurt të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët duke mbyllur kështu ceremoninë e hapjes së Kongresit. Mbas ceremonisë së hapjes, u bë ndarja e deputetëve nëpër grupe (komisione) të ndryshme, të cilat filluan nga puna menjëherë. Në mbledhjen e dytë të kongresit, e cila u mbajt më datën 24 janar, u zgjodh si Kryetar i Kongresit Aqif Pashë Elbasani…