Ceremonia në Vlorë. Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimajt, i dorëzohet titulli, “Nderi i Qarkut Vlorë”
Nga Shkëlzen HËNKOJA
Gazetar
Në një ceremoni mbresëlënëse me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve, zhvilluar të dielën në pallatin e Kulturës ‘Labëria’ të qytetit të Vlorës, Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, iu dorëzua titulli, “Nderi i Qarkut Vlorë”, dhënë nga Këshilli i Qarkut Vlorë. Në këtë ceremoni, organizuar në formën e një spektakli, merrnin pjesë klerikë e besimtarë bektashian të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosova, përfaqësues të lartë të besimeve fetarë nga këto shtete dhe vende të tjera, miq nga Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera, funksionarë të lartë nga Tirana, ministra, deputetë etj. Merrte pjesë Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, z. Ervis Moçka; Prefekti i Vlorës, Flamur Majaj; krerët e këshillave të qarqeve Gjirokastër, Dibër e Korçë;deputetët e Kuvendit të Shqipërisë Bledndi Klosi, Bujar Leskaj, Vullnet Sinaj e Pranvera Resulaj; Ali Kiliç, Kryetar i Bashkisë së Maltepesë-Stamboll; kryetari i Bashkisë së Memaliajt; Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës; Kryetari i Bashkisë Bulqizë; Kryetari i Bashkisë Memaliaj; Kryetari i Bashkisë Selenicë; Kryetarja e Bashkisë Përmet; Prof. Ago Nezha, Kryetar i Shoqatës “Labëria”, akademikë, profesorë e të ftuar të tjerë. Interpretimet me vlerë të pjesëtarëve të artistëve të ardhur nga Tirana, atyre të asambleve ‘Labëria’ e ‘Myzeqeja; këngëtarit të njohur Kastriot Tusha; aktorëve të teatrit, Bujar Asqeriu e Dritan Boriçi, e bënë më interesant këtë eveniment të rëndësishëm. Vlerësimet rreth kontributit të Dede Edmond Brahimajt nga Prof. Kaliopi Naska e Prof. Bardhosh Gaçe, u paraprinë me ndjekjen nga ekrani të një dokumentarit interesant “Vazhdë në rrugën e urtësisë. Baba Mondi, mëkëmbës i legjendës Baba Reshat Bardhi”, përgatitur nga gazetari i njohur Ferdinand Samarxhi, ‘Nderi i Kombit’.
Para dhe pas përfundimit të kësaj ceremonie, me interes të veçantë u ndoq ekspozita me 41 stenda e eksponate lidhur me historinë e bektashizmit, përgatitur nga Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
VLERËSIMI ZYRTAR
Në fillim, pjesëmarrësit që kishin tejmbushur si rrallë ndonjëherë sallën e Pallatit të Kulturës dhe më shumë se kaq të tjerë nga hollet e mjediset e jashtme, direkt apo nëpërmjet ekraneve të mëdhenj që ishin vendosur në mjedise e jashtme e në shesh, shoqëruan himnin kombëtar, për t’ia lënë më pas radhën skenarit të spektaklit.
Ishte z. Ervis Moçka, Kryetar i Këshillit të Qarkut Vlorë, që i dorëzoi Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, titullin “Nderi i Qarkut Vlorë”, me Motivacionin: “Për kontributin e çmuar si Lider Botëror i Bektashizmit, bir i trevave të Labërisë që në vazhdën e klerikëve atdhetarë, patriotë bektashianë, mëkon besimin e Zotit dhe rrugën e tij, duke mitizuar atë me idealin e kombit. Promotor i konsolidimit të mëtejshëm të harmonisë, tolerancës, bashkëjetesës fetare, si dhe kontributin e tij të gjithanshëm për ruajtjen, konsolidimin, zhvillimin e vlerave atdhetare kombëtare fetare, për emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë së sotme njerëzore”.
Motivacioni i titullit:
“Për kontributin e çmuar si Lider Botëror i Bektashizmit, bir i trevave të Labërisë që në vazhdën e klerikëve atdhetarë, patriotë bektashianë, mëkon besimin e Zotit dhe rrugën e tij, duke mitizuar atë me idealin e kombit. Promotor i konsolidimit të mëtejshëm të harmonisë, tolerancës, bashkëjetesës fetare, si dhe kontributin e tij të gjithanshëm për ruajtjen, konsolidimin, zhvillimin e vlerave atdhetare kombëtare fetare, për emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë së sotme njerëzore”.
DEDE EDMOND BRAHIMAJ
Pas vlerësimit dhe publikimit të motivacionit, Kryetari i Këshillit të Qarkut, ftoi në skenë Kryegjyshin Botëror Bektashian, për ti dorëzuar titullin. Ndër të tjera, Dede Edmond Brahimajn, në falënderimin e Tij, pohoi: Ndihem i privilegjuar sot mes jush në marrjen e titullit Qytetar Nderi i Qarkut të Vlorës, një titull me peshë e përgjegjësi për detyrat që na presin në të ardhmen. Kam një mesazh të shkurtër edhe për shqiptarët në këto ditë të vështira që po kalojmë: të mos e lënë këtë vend të bekuar që të parët tanë dhanë edhe jetën e tyre për ta mbajtur gjallë këtë komb. Shqiptarët kudo kanë dhënë dhe do japin, por më shumë do japin për vendin tonë, për të cilin ne duhet të japim atë që ka merituar. …Faleminderit për këtë ceremoni, për këtë ditë të shenjtë për mua. Ndihem i privilegjuar dhe i respektuar. Falënderoj vëllezërit e mi që më mbështesin në çdo vështirësi, në këtë ditë kaq të veçantë shprehim përgëzimin e tyre, mirënjohjen e përgëzoj se zgjat përgjithmonë. …Falënderoj Zotin që na bëri bashkë këtë ditë. Dua ta mbyll me një shprehje të Baba Aliut: ‘Jeta përbëhet nga dy ditë, një për ty e një kundër teje’. Mos e lini këtë vend të bekuar ku të parët tanë dhanë jetën, shqiptarët kudo kanë dhënë e japin, por më shumë japin në vendin e tyre!”
PROFESOR, KALIOPI NASKA
“Ju falënderoj që më dhatë mundësinë që të shpreh disa mendime dhe vlerësime për veprimtarinë e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, si pasardhës i denjë i Haxhi Dede Reshat Bardhit, i cili ringriti bektashizmin pas vitit 1990 dhe bëri ringjalljen shpirtërore të bektashianëve në Shqipëri dhe nëpër botë. Kryegjyshi Haxhi Dede Edmond Brahimaj është kryegjyshi i 39-të dhe i 9-i kryegjysh shqiptar, që i përket elitës udhëheqëse…. Sot Këshilli i Qarkut të Vlorës në vlerësim të veprimeve mbështetëse sociale dhe fetare të popullsisë së qarkut nga Kryegjyshi Botëror në rritjen e ndjeshmërisë paqësore, në vlerësim të kontributit të gjithanshëm në ruajtjen dhe promovimin e frymës së harmonisë, mirëkuptimit e bashkëjetesës midis feve në Shqipëri, për mesazhet e qarta drejtuar besimtarëve e politikës shqiptare që të synojnë paqen, bashkimin, përparimin e orientimin drejt vlerave atdhetare për një jetë të përbashkët e optimiste; si dhe për rolin e rëndësishëm në lartësimin e modelit shqiptar të dialogut ndërfetar në arenën ndërkombëtare ku si të gjithë shqiptarët, i mbushur dhe me krenarinë e ligjshme të shpalljes së Pavarësisë për shtetin tonë të parë në historinë e lavdishme shekullore, ku bektashinjtë, qenë predikues e zbatues të thënies profetike ‘Pa atdhe, nuk ka fe’ ja përkushton këtë ditë Kryegjyshit Botëror duke i akorduar titullin ’Nderi i Qarkut Vlorë’. …Duke përmbyllur fjalën time vlerësuese kushtuar veprës dhe kontributit të Kryegjyshit Botëror të Bektashizmit përshëndes dhe Këshillin e Qarkut të Vlorës për dhënien e titullit ‘Nderi i Qarkut Vlorë’, Shenjtërisë së tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj…!”
Në vijim, Prof. Bardhosh Gaçe, duke u ndal në kontributin fetar e atdhetar të Dede Edmond Brahimajn, vlerësoi veçanërisht, punën në vijimësi për predikimin e paqes, dashurisë njerëzore, urtësisë dhe harmonisë mes njerëzve, pa dallim besimi fetar, gjinie, race apo kombësie, shtoi se “Baba Mondi ka jetën e vet, por sot ai është babai shpirtëror i bektashizmit i cili rrënjët i ka në Brataj të Vlorës…”,
Dede Edmond Brahimaj:
“Ndihem i privilegjuar sot mes jush në marrjen e titullit Qytetar Nderi i Qarkut të Vlorës, një titull me peshë e përgjegjësi për detyrat që na presin në të ardhmen. Kam një mesazh të shkurtër edhe për shqiptarët në këto ditë të vështira që po kalojmë: të mos e lënë këtë vend të bekuar që të parët tanë dhanë edhe jetën e tyre për ta mbajtur gjallë këtë komb. Shqiptarët kudo kanë dhënë dhe do japin, por më shumë do japin për vendin tonë, për të cilin ne duhet të japim atë që ka merituar. …Faleminderit për këtë ceremoni, për këtë ditë të shenjtë për mua. Ndihem i privilegjuar dhe i respektuar”.
ALI KILIÇ, KRYETARI I BASHKISË MALLTEPE, STAMBOLL
“Falënderoj dhe jam i gëzuar për pjesëmarrjen në këtë event kaq të rëndësishëm për Kryegjyshin Botëror Bektashian. Falënderoj për ftesën dhe nderin që të marrë pjesë në këtë event. Përshëndes Prefektin, Kryetarin e Qarkut Vlorë dhe Kryegjyshin, Dede Mondin.
Duke parë këtë dokumentar, shikova që vërteton kontributin për veprën e madhe të bektashinjve, të cilët luajnë rol të rëndësishëm si një urë lidhëse mes lindej dhe perëndimit. Vepra e Kryegjyshit Botëror Bektashian, jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë, shfaq mesazhin e paqes, tolerancës dhe bashkimit të njerëzve. Kjo na tregon edhe idenë e bashkimit europian i cili është nisur me filozofinë, të kemi një botë pa kufi, ide e cila themeloi Bashkimin Europian dhe që është një dritë për të ardhmen e njerëzimit. Në anën tjetër, kur shohim që besimi jonë i nisur qe nga Turqistani me Ahmed Jeseviun dhe ardhjen e Haxhi Bektash Veliut në Anadoll, ku ai i nisi dervishët e tij në Ballkan e më gjerë, me idenë që të krijojnë një botë pa kufi. Dhe misioni i tyre u shfaq 1000 vite më parë. Tani kur shohim se misioni i tyre që është në përputhje me idenë filozofike të Bashkimit Europian, jemi të qartë që duhet të punojmë në rrugën e të parëve tanë për një botë pa kufi, pa ndarje dhe diskriminim. Prandaj uroj edhe një herë Kryegjyshi Botëror Bektashian, për marrjen e këtij titulli shumë të rëndësishëm këtu në Vlorë dhe i uroj edhe tituj të tjerë të lartë. Ju falënderoj”
Përgatiti faqet: Kujtim BORIÇI
TITUJ NDERI PËR DEDE EDMOND BRAHIMAJN
– “Ambasador i Paqes”, 2004.
– “Nderi i Qarkut të Korçës”, 2004.
– “Qytetar Nderi” i Komunës Zerqan-Bulqizë., 10 qershor 2014.
– “Qytetar Nderi” i Komunës Martanesh-Bulqizë., 29 qershor 2014.
– “Qytetar Nderi” i Komunës Bogovë-Skrapar, 22 gusht 2014.
– “Qytetar Nderi” i Komunës Frashër-Përmet, 25 maj 2014.
– “Personalitet i shquar i Labërisë”, Shoqata “Labëria”, shkurt 2015.
– “Qytetar Nderi” i Qarkut të Fierit, mars 2015.
– “Qytetar Nderi i Qarkut të Beratit, maj 2015.
– Urdhri “ Kalorësi i Skënderbeut”, 7 shtator 2015, nga Presidenti i Republikës.
– “Dr. Honorus Causa”, Misioni i OKB, shator 2016.
– “Nderi i Bashkisë Bulqizë”, tetor 2016.
– “Mirënjohje” nga Presidenti Barak Obama, SHBA, janar 2017.
– Çmimin e Arit, ” Ikona e Paqes” ,Shoqata e Kombeve të Bashkuara, “G. O. D Awards”, tetor 2017.
– “Qytetar Nderi” i Skraparit, Bashkia Skrapar, janar 2018.
– “Qytetar Nderi” i Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare, ”Vëllezërit Frashëri”-Përmet, maj 2018.
– Flamuri Amerikan, për “Për kontributin e shquar në përhapjen e fjalës së Zotit dhe vlerave më të larta mes njerëzve”, nga Kongresi Amerikan, qershor 2018.
– “Çmimi “Profili i Kurajës”, qershor 2018, nga Kongresi Hebraik Amerikan.
– “Qytetar Nderi i Memaliajt”, Këshilli Bashkiak i Memaliajt, në vitin 2019.
– Medalje “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, nga Qeveria e Kosovës, 17 korrik 1919.
– Në janar 2021, drejtoi Kryesinë e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe më datë 22 mars 2021, Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë iu dha medalja e lartë, “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.
– Nëntor 2021, Akademia e Shkencës dhe e Artit të Europës, në Universitetin Teknik të Këlnit, Gjermani, iu dha çmimi “Unaza e Tolerancës”, me motivacionin “Për
përpjekjet dhe mundimet e vlefshme në angazhimet për paqen dhe nxitjen e dialogut ndërfetar, si shembull i veçantë dhe i denjë për tu ndjekur në ndërtimin, promovimin dhe mbrojtjen e tolerancës”.
– 17 dhjetor 2022, Këshilli Universal i Paqes dhe Misioni Diplomatik për Paqe e Prosperitet-Tiranë, vlerësuan me çmime mirënjohjeje Kryegjyshin Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për kontributin e dhënë në shërbim të paqes dhe të prosperitetit disa tituj: “Çmimi i Artë i Ekselencës Njerëzore”, shoqëruar me medaljen, “Njeriu i Artë”, si dhe me titullin:
“Ambasador i Paqes Universale”.
– Titulli “Nderi i Qarkut Vlorë”, më 22 janar 2023, në Vlorë.