PESË VJET PA BABA ISMAIL JANGULLIN

Mbushen pesë vite nga kalimi nga kjo jetë i baba Ismail Jangullit, klerikut që drejtoi për një kohë të gjatë teqenë e njohur bektashiane të Bllacës në Dibër. Në këtë përvjetor, banorët e asaj treve e më gjerë, mblidhen e kujtojnë në Bllacë sot këtë klerik, i cili me përkushtimin në udhën e Bektash Veliut dhe punën e palodhur, ka lënë gjurmë dhe respekt tek besimtarët e tek cilido që e njohu nga afër.
Ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në këtë përvjetor, pohon: “Ikën pesë vite që vëllai jonë, baba Ismail Jangulli, iku nga kjo jetë e, sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë ne nderojmë e respektojmë veprën e tij. Ne e kemi mbajtur në zemra gjatë gjithë kësaj kohe baba Ismailin, siç iu mbajmë emrat e shquar të qindra dervishëve dhe baballarëve të tjerë, të cilët, vunë në themelet e bektashizmit jo thjeshtë këmbënguljen dhe përkushtimin, por krejt jetën e tyre. Baba Ismail Jangulli ishte dhe mbetet modeli i klerikut të përkushtuar…”
…Baba Ismail Jangullit, ka lindur në fshatin Godvi të Zerqanit, prefektura Dibër më datë 05.05.1932. Ai u lind dhe u rrit në një familje të madhe patriarkale me tradita patriotike. Patriotizmi i kësaj familje ka qenë dhe është i farkëtuar dhe i shkrirë në rrugën e ndritur të besimit, në tarikatin bektashian. Plaku apo stërgjyshi i këtij fisi, Selim Jangulli, i dha udhë dhe emër të ndritur kësaj kulle të lashtë. Ai e merr besëlidhjen bektashiane në teqenë me emër, atë të Hider Babait në Kërçovë, tek Ismail Baba rreth vitit 1771. Edhe tre djemtë e tij Abazi, Aliu dhe Hyseni e marrin nasibin e besëlidhjes bektashiane pikërisht në këtë teqe të bekuar.. Baba Ismail Jangulli është pjesë e këtij zinxhiri plot lavdi. Ai u rrit me edukatën bektashiane që në fëmijëri. Nëna e tij, Hidja e kishin marrë dorën e besëlidhjes tek baba Zeneli në Bllacë, gjë që ndihmoi drejtpërsëdrejti në edukimin e këtij djaloshi.
Baba Ismaili, në moshën 23-vjeçare, me datë 22/03/1954, merr besëlidhjen bektashiane tek baba Xhemal Selsa. Baba Ismaili, fillimet e veta i filloi si arsimtar,në shumë fshatra të Peshkopisë. Me vonë, punon në ndërmarrjen e furnizimit të punëtorëve në Thekër të Martaneshit si magazinier, si kuzhinier dhe si shitës dyqani. Me vonë vjen në Bulqizë dhe punon po në këtë ndërmarrje në punishten e ëmbëlsirave. Në vitin 1967 ku u prishën të gjithë kultet e besimeve të ndryshme në Shqipëri, Ismail Jangulli e përjeton shumë keq këtë katastrofë. Momenti më i dhimbshëm për babanë e ardhshëm bektashian, ishte kthimi i trupit të shenjtë, të zhvarrosur, të baba Rushit Tollës në Strikcan pas 37 vitesh. Ai ndodhet aty kur kufoma vendoset në dhomën e madhe të Sabri Tolles në Strikcan. Baba Ismaili në prani të shume banorëve vendas dhe të huaj, e kap dorën e Shenjtë të baba Rushitit, dhe pasi e puth atë, me lot ne sy e ngre atë lart duke ju drejtuar te pranishmeve: “Ja kush është Ehli-Bejti që nuk vdes kurrë!”. Të tubuar në këtë rast, nuk ishin vetëm besimtarë bektashian; aty nuk mungonin edhe informatorë të sigurimit të shtetit, pre’ e të cilëve u bë baba Ismaili.
Më 31/03/1976 arrestohet me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, dhe me ku dënohet me 10-vjet burg. Dënimin ai e kreu në Spaç te Mirditës ku nga 10 vite, bëri 5 vjet e 6 muaj. Në vitin 1981 lirohet nga burgu dhe kthehet pranë familjes së tij.
Me ardhjen e demokracisë, u rikthye edhe liria e të besuarit në Zot, baba Ismail Jangulli merr në dorëzim teqenë e Bllacës dhe në gusht të vitit 1998, vishet dervish. Më 4 prillit 1999, baba Ismaili merr dekretin e Shenjte te ‘Babait’ nga Haxhi Dede Reshat Bardhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian. Baba Ismail Jangulli ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, në ngritjen dhe lartësimin e emrit të mirë të kësaj Teqeje të njohur. Ndërroi jetë më 14.02.2018
Klerikut Ismail Jangulli, Presidenti i Republikës i ka dhën Dekoratën “Nderi i Kombit”.