29-VJETORI I KALIMIT NGA JETA, I BABA SHERIF CANOMETAJ

Më 14 shkurt të këtij viti, mbushen 29 mote nga kalimi nga jeta i baba Sherif Canometajt.
“…Një vend të rëndësishëm në historinë e bektashizmit në trevën e Elbasanit, por dhe më gjerë, ka lënë baba Sherif Canometaj, i cili më 14 shkurt 2023, mbush plot 29 vite që u nda nga kjo jetë. Ndaj, kujtimi dhe vlerësimi i këtij kleriku, ashtu si dhe i klerikëve të tjerë që kanë lënë gjurmë në historinë tetëshekullore të besimit tonë të paqtë bektashian, ka qenë dhe do të mbetet kurdoherë përparësi në praktikën e Selisë së Shenjtë…”-pohon mes të tjerave Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Bektashizmit.
…Baba Sherif Canometaj ka lindur në 4 gusht të vitit 1908 në fshatin Zhapokikë-Tepelenë, në një familje me tradita bektashiane. Mësimet e para i mori tek Sheh Beqir Toçi. Në moshën 11 vjeç lexonte lirshëm në shqip dhe arabisht. Në rininë e tij u mor me punë të ndryshme në bujqësi, ndërkohë që vizitonte shpesh teqetë, në Koshtan, Turanë, Rabije, Memaliaj dhe ato të Gjirokastrës. Në moshën 27 vjeçare, në vitin 1935 mor,i dorë në teqenë e Koshtanit, nga baba Shefqet Koshtani, i cili e gradoi “Dervish”. Më pas, në vitin 1943 vazhdoi kursin për dervish në Kryegjyshatë por për arsye të Luftës u ndërpre. Kursin e rifilloi dhe e ndoq në vitet 1945-1946. Baba Sherifi mësoi edhe me mësues privat me Hafiz Ali Korçën, i cili qëndronte për çdo vit dy-tre muaj në teqenë e Madhe në Elbasan. Ai mësonte edhe në gjuhë të huaj me mësuesit Qemal Ohri, Novruz Darova, Tasim Dylgjeri etj. Mësoi në filozofi, letërsi, dhe gjuhë të huaja në arabisht, persisht, turqisht dhe italisht. Ngjarjet e marsit të vitit 1947 në Kryegjyshatë, vrasja e baba Fajës dhe baba Fejzës dhe Kryegjyshi Abaz Hilmi Dede, e futën në burg për dy muaj. Më pas, më 4 nëntor të vitit 1948, u emërua nga Dede Ahmeti, baba në teqenë e Greshicës . Baba Sherifi ka lëvizur më pas në teqenë e Çorrushit, Mallakastër, teqe e Zallit, në Kryegjyshatë, në teqenë e baba Xhemali, Elbasan, në teqenë e Martaneshit dhe në vitin 1960-1964 në teqenë e Prishtës-Skrapar. Së fundi shërbeu në teqenë e Madhe Elbasan deri në vitin 1967, kohë në të cilën u ndalu feja. Pas kësaj u m0r me tregti, ku shiste cigare për 23 vjet në Elbasan. Kjo periudhë 1967-1990, ai mbajti gjallë besimin bektashian duke përdorur shtëpinë e vet si teqe… Në Elbasan, në apartamentin ku banonte, kishte vendosur mbi derën e shtëpisë-teqe mbiemrin Canometi dhe i pëlqente të thoshte, se jam nga Zhapokika e Tepelenës, sepse kam lindur në Canometaj. Në vitin 1956, Kryegjyshi Botëror Dede Ahmeti, në ceremoninë e Hashures në teqenë e Madhe Elbasan, e cilësoi atë “Pëllumb i bektashizmit…”.
Baba Sherifi ka shumë vlerësime nga populli i trevave të Tepelenës, Gjirokastrës, Skraparit, Martaneshit, Përmetit, Mallakastrës, Elbasanit, Korçës etj. Thonë shprehjet: “Ai ishte perëndia vet”, “ ishte një baba Selimi”, “ishte engjëll”, “kishte lindur për atë punë, “ishte simbol i klerikut bektashian”, “Ai ishte Evliah, “ishte një shenjtor i madh i bektashizmit”, “mistik i gjallë”, “ai bënte ferk se ishte i zgjedhuri i Haxhi Bektashit”.
Gjatë shërbimit si klerikë me punën e tij, dhe kulturën e gjerë që zotëronte dhe respektin që gëzonte nga të gjithë klerikët dhe besimtarët bektashianë por edhe në popull arriti të merrte të gjitha gradat e klerikut bektashian. Kaloi nga jeta më 14 shkurt 1994. Ai la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën popullore dhe bektashizmit.