Më 15 shkurt 2023, përkujtohet 42-vjetori i kalimit nga jeta, i baba Qazim Bakallit, I njohur si klerik, atdhetar, eurodit, përhapës i gjuhës shqipe, duke lënë gjurmë të pashlyera. Baba Qazimi lindi në Gjakovë më 03.01.1880, nga një familje me tradita bektashiane. Pasi mbaroi shkollën fillore në gjuhën turke, në vitin 1909 vazhdoi shkollën normale të Shkupit. Tek baba Qazimi vihej re zgjuarsia; ai mësonte me pasion të gjitha lëndët mësimore. Gjatë kësaj periudhe shkollore si nxënës i shkëlqyer dhe aktivist i rinisë patriotike shqiptare “Shubani Vatan”, përjashtohet nga shkolla në vitin 1912. Më vonë, kreu edhe shkollën normale në Elbasan. Si mësues, në periudhën 1913-1914, punoi në Shijak. Më pas, u emërua sekretar, në komunën e Bytyçit dhe më vonë Krahinar në të njëjtën trevë. I rikthehet arsimit duke punuar si mësues, në Poliqan-Lume, ku hapi dhe një shkollë të re, në fshatin Shtiqen. Në këtë kohë mbante lidhje me Bajram Currin. Për këtë u burgos në Krumë dhe pastaj e çuan në burgun e Shkodrës, ku qëndroi pesë muaj. Ai ishte anëtari me aktiv i Degës së Komitetit Mbrojtja Kombëtare të Kosovës, në Gjakovë e rrethinat e saj. Në këtë periudhë, baba Qazimi i futet udhës fetare, në bektashizëm. U bë myhib nga Haxhi Adem Vexh-hi Babai. Mori njohurit e doktrinës bektashiane brenda një kohe të shkurtër në teqenë e baba Hamzës në Shtip. Uniformën e dervishit e veshi në Fushë Krujë, nga Haxhi Mehmet Babai. Rregullin e virgjërisë e bëri nga Sali Nijazi Dedei. Shërbeu dervish në Shkodër pranë baba Hajdar Stambollit, pastaj në Elbasan në teqenë e Xhefai Ibrahim Babait. Kryegjyshin Salih Niazi Dede e aktivizoi në dhënien mësim në arabisht, turqisht, persisht, për përgatitjen e kuadrit të ri klerikal.
Kryegjyshi Sali Niazi Dede, në tetor të vitit 1941 e dërgoi dervish Qazim Bakallin në teqenë Harabati-Baba, Maqedonin e Veriut, të cilën e mori në dorëzim më 20 maj 1942. Ai ripërtëriti jetën fetare dhe kulturore dhe mbajti afër intelektualët, fku fryma kombëtare ishte e pranishme në të gjitha veprimtaritë. Në fund të vitit 1944, regjimi serb, e burgos përsëri. Pas burgut, vendoset në teqenë e Gjakovës. Kështu, Gjakovën, i vetmi qytet në trojet shqiptare ku mund të predikohej bektashizmi, e mbajti gjallë baba Qazimi. Aty bashkëpunoi me baba Tajar Gashin, me teqenë e Detroid SHBA. Gjithë jetën punoi me përkushtim dhe la gjurmë si patriot, mësues dhe klerik i shquar. Baba Qazimi ishte njeri i ditur, i kulturuar merrej edhe me shkrime dhe përkthime, gjithashtu kishte ndjenja të fuqishme atdhetare. Ndërroi jetë më 15 shkurt 1981.