SOT, 107-VJETORI I LINDJES SË DEDE AHMETIT, ISH-KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN

Sot, më 22 shkurt 2023, është 107 vjetori i lindjes i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Ahmet Myftar Dede.
“Dede Ahmeti ka dhënë një kontribut të çmuar për bektashizmin, gjë e cila do vlerësohet e do shërbej ndër breza.  Ai ishte një klerik i përkushtuar që ndjente lodhje në Udhën e Hakut, dinte të falte mirësi, dashuri e besim në Zot, kontribuoi maksimalisht për përhapjen e besimit bektashian dhe ngritjen e institucioneve si dhe nuk kurseu mbështetjen dhe kontributin konkret për çlirimin e  vendit nga pushtuesit. Dede Ahmeti, është shembulli më i mirë i aksiomës së njohur bektashiane “Pa atdhe, nuk ka fe”, pasi në vitet e vështira të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ai jo vetëm dënoi publikisht pushtimin e vendit, por ishte në ballë të lëvizjes popullore për nevojën e çlirimit me armë në dorë”- pohon ndër të tjera, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Dede Ahmeti ka lindur më 22 shkurt të vitit 1916, në fshatin Brataj të Vlorës. Mësimet e para në shkollën fillore, i mori në shkollën e fshatit ndërsa të tjerat, në qytetin e Vlorës. Mbeti jetim qysh herët, por mundi të trashëgoj prej prindërve, dashurinë për dije, dashurinë për atdheun. Prej të afërmëve të vet, u mëkua më pas, me dashurinë për besimin e kulluar bektashian. Mbaroi shkollën qytetase në vitet 1924-1929 në Vlorë. Më pas shkon ushtar në Dibër në vitin 1936. Këtu u njohë me baba Zenel Dume nga Çepani i Skraparit dhe mori dashurinë dhe besimin te i Madhi Zot, mori njohuri për bektashizmin dhe Islamin në përgjithësi. Ku qëndroi në teqenë e Bllacës në vitet 1937-1939. U vesh dervish në teqenë e Bllacës nga Baba Zeneli. Këtu, në teqenë e Bllacës qëndroi dhe shërbeu si dervish nën drejtimin e baba Zenelit në vitet 1937-1939. Ishte vetëm 22 vjeç kur vishet dervish prej baba Zenelit të teqesë së Bllacës në Dibër dhe bën betimin e shenjtë, për t’i shërbyer rrugës së Hakut, deri në frymën e fundit. Një vit më vonë, në qershorin e vitit 1939, ashtu sikundër dhjetra klerikë të tjerë bektashianë, u rreshtua në krahun e luftëtarëve të lirisë, në aksione konkrete kundër pushtuesve italianë. Në Vlorë dhe Kurvelesh, në Tepelenë dhe Elbasan, fjala e dervishit bektashian zinte vend në zemrat e luftëtarëve. Ajo fjalë ngrohte si dielli në dimrat e atyre viteve dhe ndizte zjarre shpresash të mëdha, shpresash se një ditë do të jetonin të lirë dhe të pavarur, me besimin e palëkundur në Zot.
Veprimtaria atdhetare e dervish Ahmetit Myftarit, bie në sy të autoriteteve italiane. E thërrasin dhe i thonë duhet të heshtë, duhet të shkoj në teqe dhe të kujdeset për besimtarët. Ky i dëgjon dhe në heshtjen e thellë u përgjigjet: “Si mund të kujdesem për besimtarë me vatan të shkelur. Vatani njëherë, ai të jetë i lirë, pastaj vjen besimi!” Në fillim të majit të vitit 1943 e arrestojnë dhe e dërgojnë në kampin famëkeq të “Porto-Romanos. Edhe këtu shpirti i lirë i tij, nuk gjen prehje. Fjala e ngrohtë e tij, bind komunist dhe nacionalistë se përpara çdo lloj bindjeje partiake është atdheu. Atij do t’i falemi në çdo kohë, me çdo mjet, në çdo situatë. Me kapitullimin e forcave italiane e lë kampin e “Porto-Romanos” dhe sërish, me pushkë në krah, renditet në radhët e luftëtarëve të lirisë. Pranvera e vitit 1945, e gjen në detyrën e komandatit të Qarkut në Martanesh dhe për para tij çelen dyert e karierës ushtarake. Provat i kish, aty në vijën e parë, në zjarrin e betejave. Madje në një prej këtyre betejave u plagos rëndë. Shokët e morën në supe, e dërguan në spital, duke i rikthyer jetën. Gjithësesi brenda zëmrës së Ahmet Myftarit, gjallonte ëndrra e dervishit, besa që pati dhënë dikur, në mejdan të teqesë së Bllacës. Me shkrimin e tij të bukur, falenderon komandën e lartë për besimin që i kish dhënë dhe në maj 1945, paraqitet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore, duke hedhur në supe harkanë e dervishit bektashi. Më 2 tetor 1945, mer titullin baba dhe shërben plot devocion në teqetë e Baba Hamitit – Elbasan si edhe Kuzum Baba në Vlorë. Në 2 qershor 1948, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Bektashian, vendoset në funksionin më të lartë, atë të Kryegjyshit Botëror Bektashian. Kurse në vitet 1948-1958 organizoi arsimin fetar, u përkthyen në gjuhën shqipe dhjetra libra për bektashizmin. Në këto vite i dha hov bektashizmit dhe u bë faktor i harmonisë fetare midis komuniteteve fetarë tradicional në Shqipëri. Zgjidhi një varg detyrimesh të Komunitetit Bektashian Shqiptar me bektashinjtë e tjerë në gjithë botën.
Vitet e qëndrimit të dede Ahmet Myftarit, në këtë post të rëndësishëm, janë vite të gjallërimit të mëtejshëm të besimit bektashian, vite të respektimit të tri erqanëve tradicional, duke larguar njëherë e përgjithmonë këtë besim të mrekullueshëm, nga kurthet dhe prapësitë e thurura prej partisë-shtet. Në këto vite, portat e teqeve u çelën për mijëra dashamirës dhe myhib, u institucionalizua arsimi fetar, u nxorën prej arkivave dhjetra libra për bektashizmin dhe u përkthyen në gjuhën shqipe dhe zëri i bektashizmit u dëgjua më larg se kurrë. Në Konferencën Ndërkombëtare “Apel Paqes” në Tiranë në vitin 1956, shpalosi mendimet në referatin e Perëndisë, mbas kësaj filloi lufta ndaj tij nga partia-shtet.
Pikërisht kjo gjë nuk mund t’i pëlqente partisë-shtet e cila thuri rrjetën e merimangës dhe me ndihmën e segmentëve të caktuar të sigurimit famëkeq të shtetit, bëri që dede Ahmet Myftari të linte postin e rëndësishëm dhe të kalonte privacionet në vitet e rënda të internimit të dede Ahmetit dhe dervish Reshatit, në Drizar të Mallakstrës. Privacionet dhe torturat u bënë pjesë e pandarë e jetës së tyre. Por edhe në këto kushte, të dy këta shënjtorë, rrëfyen shpirtin e madh dhe të paepur, rrëfyen vendosmërinë e palëkundur për ta mbajtur të pastërt burimin e besimit bektashian.. Ashtu siç kanë pohuar të tjerë besimtarë, përpara nesh, teqeja e Drizarit, u shndrrua në të vërtetë në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Një meritë e padiskutueshme gjithashtu e dede Ahmetit, është fakti që frymën e tij, shënjtërinë e tij të panjollosur, ai përcolloi plot dashuri në personalitetin e dede Reshat Bardhit. Ky me përkushtimin e vet, me fuqitë e dhuruara nga Zoti, mundi të mbante gjallë besimin tonë edhe në momentet më të vështira, ato të pas viteve 1967. Në këtë periudhë teqeja e Drizarit u shndërrua në Seli e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Ndërroi jetë në 10 korrik 1980.
Dede Reshati thotë për myrshidin e tij, Dede Ahmetin: “E njoha Dede Ahmetin kur isha 17 vjeç. Ai hyri në jetën time dhe do të mbetet aty, deri në frymën time të fundit. Ai më mori për dore dhe më futi në rrugën e ndritur të bektashizmit, në rrugën e ndriçuar prej Pirit tonë Haxhi Bektash Veliu. Dede Ahmeti ka qënë dhe mbetet një gurë i rëndë në themelet e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror. Me urtësinë e tij, me zgjuarsinë e tij, me guximin e tij, Dede Ahmeti për dhjetë vjet rresht, mbajti mbi shpatulla një varg problemesh me të cilat përballej bektashizmi ynë i kulluar. Ai kurrë nuk u qa, kurrë nuk u ankua, kurrë nuk e lëshoi veten edhe në situatat më të vështira. Në mënyrë të veçantë, kurajua dhe guximi i tij, shkëlqyen në vitet e vështira të internimit, në fshatin Drizar të Mallakastrës. Aty u shfaq si rrallë herë qëndresa e tij. Teqeja e vogël e Drizarit, ai vend i humbur mes përrallesh, u bë Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Tek kjo teqe kanë ardhur me mijra besimtarë, nga e gjithë Shqipëria. Vinin të raskapitur, vinin të trishtuar, vinin si nata. Po iknin të shlodhur, iknin të gëzuar, iknin si mëngjezi i bukur. Dede Ahmeti u jepte shpirt dhe dritë nga shpirti dhe drita e tij.Përkujtojmë sot 107 vjetorin e ditëlindjes së Dede Ahmetit. Ai mbetet nje figure e shquar kombëtare dhe me vlera të mëdha për bektashizmin botëror. I paharruar qoftë kujtimi i tij.
Vlerësimet për Dede Ahmetin në vite:
Nga Presidenca, Urdhëri për Veprimtari Patriotike të Klasit I (pas vdekjes) 16.07.1993
Qytetar Nderi i Vlorës (pas vdekjes) 30 .10. 2000
Figurë e shquar në emetimin e pullave Albpost 2001
Personaliteti i labërisë nga Shoqata “Labëria”, 25.02. 2014
Nga Presidenca, “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), 22 shkurt 2016
“Qytetar Nderi i Komunës Brataj “ (pas vdekjes), gusht 2016
Vendosja e bustit në Qytetin e Vlorës…
Vendosja e Bustit në Brataj, 2011
Vendosja e Bustit në Krujë, dhjetor 2021
Botime librash dhe filma.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *