Nëpërmjet një mesazhi, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, uron për 8 Marsin, Ditën e Gruas:
“Të dashura gra, nëna dhe motra të shtrenjta! Dita e 8 Marsit, për ju gra, nëna dhe motra, është një datë e shënuar. Kjo datë, më jep mua mundësinë që si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, t’ju uroj e bekoj: Zoti dhe Haxhi Bektash Veliu u plotësoftë çdo dëshirë tuajën! Paçi mbarësi të përjetshme në familjet tuaja biologjike dhe shpirtërore!…Përdoreni dlirësinë, forcën dhe apelin tuaj, që në këto të vështira, dashuria të triumfoj mbi urrejtjen, dora vrastare mbi njerëzit të ndalet, era dhe kërcënimet e luftës të ndërpriten, të rrisim besimin në të Madhin Zot, në mënyrë që paqja të mbretëror në shpirtrat, kombet shtetet dhe kombësitë! Përgjatë historisë botërore të feve, ne të gjithë jemi dëshmitarë, se shoqëria njerëzore ka bashkëjetuar me besimin në Zot, pavarësisht në çfarë nivelesh ka ekzistuar ky besim. Besimi është shndërruar në një domosdoshmëri njerëzore, sepse ai lidhet pashmangshëm me krijimin, me atributet e Krijuesit. Në këtë ditë feste, unë do të përshëndes në mënyrë të veçantë dhe gratë e motrat bektashiane, duke sjellë ndërmend, atë brez të nënave dhe motrave bektashiane, të cilat të detyruara nga rrethanat e regjimit ateist që kaluam, mbajtën të pafikur kandilin e Haxhi Bektash Veliut përmes sakrificave të mëdha. Ato na dërguan në shkollë, duke na veshur ndonjë bluzë të re për ditën e Sulltan Novruzit, na bënë ashure ku fshehurazi thirrëm edhe bashkëmoshatarët e tjerë të feve të tjera, na kujtuan përmes lotëve dëshmorët e Qerbelasë dhe u kujdesën për tyrbet e rrëzuara si për prindërit e tyre. Guximi i tyre na mbajti të gjallë shpresën në ato vite të vështirë. Kjo situatë që po kalojmë sot, është një situatë e vështirë, koston e së cilës, në njëfarë mënyre,po e vuani dhe ju nëna e motra të shtrenjta. Por ju me dinjitet, i jeni bashkuar si gjithmonë vullnetit të Zotit të Lartë, duke bërë aq sa mundeni, për ta përmirësuar këtë situatë e për ardhjen e ditëve më të mira. Gëzuar 8 marsin, paçi ngaherë shëndet të plotë, gëzim e harmoni në familjet tuaja, ! Zoti ju bekoftë të gjithave!”-thuhet ndër të tjera në mesazhin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.