Nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ditën e hënë,13mars 2023, u organizua pelegrinazhi në malin e Shendëllisë në fshatin Greshicë të Mallakastrës. Në këtë vend të mrekullueshëm, që përballë, nga lindja ka Tomorrin mitik, në perëndim, në horizont, duket Karaburuni, ishulli i Sazanit, deti Adriatik dhe në veri e veriperëndim, gjithë hapësira nga Fieri deri në Lushnjë e Myzeqeja. Banorët këtë vend, që shumë shekuj më parë, e quajnë “Varri Shenjtorit“, “Baba Shendëlliu“, “Vendi i mirë“. Në këtë vend, banorët e zonës, tradicionalisht, në mars, bëjnë pelegrinazh dhe vinin nga Mallakastra, Vlora, Fieri, Lushnja, Berati. Pas vitit 1967, ditën e hënë të këtij muaji, në këtë vend të shenjtë, u organizua për herë të parë pelegrinazhi. Kishin ardhur banorë të Greshicës, Aranitasit dhe nga gjithë zona përreth. Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, takoi pelegrinët dhe uroi shëndet e mbarësi në familje. Me këtë rast u bë një lutje fetare. “Me dashurinë ndaj Zotit dhe punën tonë do ti respektojmë këto vende të shenjta. Baballarët e teqesë Greshicës i kanë shërbyer këtij vend të Mirë. Ne duhet të jemi të bashkuar, në harmoni dhe të punojmë vazhdimisht për shëndetin dhe mirëqenien e seicilit, të punojmë se të mirën e kemi këtu. Rinia të mos largohet por të punoj këtu, jo në dhe të huaj, sepse Shqipërinë do ta bëj rinia dhe ajo është e ardhmja e vendit tonë. Në këtë vend të shenjtë tani e tutje do të bëjmë pelegrinazh më datën 13 mars. Do rindërtohet tyrbja dhe do të bëhet rregullimi i rrugës. Urimet më të mira dashuri dhe vëllazëri. Zoti ju bekoftë të gjithëve, Amin!”- pohoi ndër të tjera Dede Edmond Brahimaj
Përgatiti:
Nuri ÇUNI