MESAZHI I KRYEGJYSHIT BOTËROR TË BEKTASHINJVE, SHENJTËRIA E TIJ, HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ PËR MUAJIN E RAMAZANIT

Sot, është dita e parë e Ramazanit, Muajit të Agjërimit, një faktor i rëndësishëm për përsosjen morale të agjëruesit. Me këtë rast, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, nëpërmjet një mesazhi, bekon gjithë besimtarët dhe u uron më shumë shëndet, lumturi, harmoni, dashuri, vëllazëri dhe besim e shpresë tek i Madhi Zot.
Ndër të tjera, në mesazh, Dede Edmond Brahimaj, thekson: “…Të nderuar besimtarë mysliman! Si Kryegjysh Botëror Bektashian, kam kënaqësinë edhe nderin që t’u uroj të gjithëve: Gëzuar Muajin e begatë e të Madhërishëm të Ramazanit! Paçi agjërim të lehtë dhe të pranuar, paçi shëndet, lumturi, harmoni dhe begati në familjet tuaja dhe, Zoti i Madh ju ndihmoftë për ta përmbushur atë më së miri! Ky Muaj i Madhërishëm, jo vetëm lartëson shpirtin dhe e pastron atë nga veset, por kthjellon mendjen e rikthen gëzimin. Ramazani është sfida që njeriu i bën vetes në raport me përmbushjen e përgjegjësive të tij para Zotit, por edhe para familjes, shoqërisë e kombit. Agjërimi ka qenë detyrim edhe për besimtarë të tjerë para nesh, të cilëve u janë dërguar Profetë. Allahu i Lartësuar thotë: ‘O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm. (El Bekare: 183).
Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit! Zoti na ndihmoftë të gjithëve! Amin!”