Mbrëmjen e ditës së enjte, 30 mars 2023, nën përkujdesjen e veçantë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, dhe Ambasada e Izraelit në Tiranë, Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Shtetit të Izraelit në Shqipëri, Shkëlqesia e Saj. Znj. Galit Peleg. shtruan një iftar me rastin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Në këtë iftar, përveç besimtarëve, merrnin pjesë klerikë bektashian nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut; Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Bujar Spahiu, krerë të tjerë të besimeve fetarë në Shqipëri, apo përfaqësues të ortodoksëve, katolikëve, ungjillorëve , etj… Merrnin pjesë ambasadorë të përfaqësive diplomatike apo diplomatë të vendeve të ndryshme, funksionarë të lartë shtetëror e vendorë; drejtues të medieve të shkruar e televizive, gazetarë, biznesmenë etj…
Pas riteve të rastit, të pranishmit në darkën tradicionale të iftarit, në fillim i përshëndeti Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Dede Edmond Brahimaj. Ndër të tjera, Ai tha: “Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërësit! Shumë të nderuar vëllezër të mij, lider të feve dhe përfaqësues të besimeve në Shqipëri!
Shumë të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë, përfaqësues të vendeve miq të akredituar në Tiranë!
E nderuar mikja dhe bashkëpuntorja e Selisë së Shenjtë Bektashianë në Tiranë, Ambasadore e Izraelit, Znj. Galit Peleg! Të nderuar të ftuar, miq e dashamirës të bektashizmit!
Jam shumë i lumtur që jemi sonte së bashku, në këtë darkë iftari, në këtë tryezë mirësie dhe dashurie, jemi bashkë në muajin e bekuar dhe plot sakrifica të Ramazanit.
Paqja dhe bekimet e Zotit të Lartësuar, qofshin mbi gjithë ata që po agjërojnë moralisht, shpirtërisht dhe fizikisht, por edhe mbi gjithë të tjerët, jo myslimanë të cilët me mirësitë e tyre na i bënë më të lehtë këtë muaj!
Ramazani është një muaj i shenjtë për të gjithë muslimanët e botës, gjatë të cilit agjërohet obligim. Qëllimi i tij është pastrimi shpirtëror dhe fizik, edukimi i vetëdisiplinës.
Ramazani nuk është vetëm të qëndrosh i etur dhe i uritur; është gjithashtu të kuptojmë të eturit dhe të uriturit e vërtetë për të ndihmuar; është adhurim i vërtetë.
Rikujtojeni vazhdimisht, për sa kohë që zemra juaj rreh, ju keni një qëllim. Zoti është i qëllimshëm, nëse jemi të bekuar me më shumë jetë, kjo është sepse dikush në botë ka nevojë për ne. Nëse jemi gjallë, do të thotë se ajo që ne u dërguam në këtë Tokë për të krijuar nuk është realizuar ende. Ne të gjithë kemi lindur me krahë shpirtërorë, besimi në Zot thjesht na kujton se si të fluturojmë. Në këtë muaj reflektimi e agjërimi pyetja nuk është nëse Zoti po flet me dashuri me ne , pyetja është, a jemi ne të hapur mjaftueshëm për të dëgjuar? Ndaj çdo ditë të jetës suaj , jo vetëm këtë muaj bëjeni të ketë vlerë dhe kontribut, pozitiv, për veten, për familjen , shoqërinë e kombin.
Agjërimi i Ramazanit është kaq i rëndësishëm për ithtarët e Islamit sepse nxit rritjen shpirtërore dhe forcimin e besimit, pastron mendjen dhe mendimet, barazon dhe bashkon të varfërit me të pasurit, zgjon dëshirën për të bërë mirë dhe përmirëson marrëdhëniet mes njerëzve. Prandaj, besimtarët gëzohen aq shumë me fillimin e muajit të Ramazanit, si dhe me përfundimin e tij, kur sprova e qëndrueshmërisë dhe besimit lihet pas, por në shpirt janë vendosur ndjenja të reja, më të larta.
Për ne bektashinjtë, sikundër për gjithë myslimanët, nuk ka gjë më domëthënëse se sa këto mbrëmje të përbashkëta, me të krishterë, me përfaqësues të tarikateve, me besimtarë hebrenj dhe të besimeve të tjerë. Dhe vetë Zoti i Lartësuar kënaqet kur na sheh kështu, së bashku, në vëllazërinë e Shenjtë të devocionit ndaj Tij, në unitetin e mrekullueshëm fetar dhe njerëzor.
Veçanërisht ne, përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare në vendin tonë, duhet të mendojmë e punojmë në çdo rrahje të zemrës sonë, duke manifestuar dëshirat
dhe përpjekjet për liritë dhe paqen fetare jo thjesht këtu, në Ballkan apo Evropë, por në krejt shpirtrat e besimtarëve. Të tillë, të bashkuar, do të jemi më pranë vëmendjes së Zotit, më pranë dashurisë njerëzore dhe vlerave universale të qytetërimit të kësaj epoke.
Zoti ju dhëntë paqe e begati në punët tuaja dhe në familjet tuaja!
Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin!”
Më pas, të pranishmit i përshëndeti edhe Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Shtetit të Izraelit në Shqipëri, Shkëlqesia e Saj. Znj. Galit Peleg, e cila ndër të tjera tha: “Mirëmbrema!
Faleminderit që u bashkuat me ne këtë mbrëmje, ndërsa ne i respektojmë vëllezërit tanë muslimanë në këtë iftar. Izraeli është një shtet hebre, por si ambasadore e Izraelit ju siguroj se jam krenare që përfaqësoj gjithashtu afër 20% të shoqërisë që janë myslimanët. Agjërimi i Ramazanit, si në judaizëm dhe krishterim, është një kujtesë se ne jemi të gjithë qenie njerëzore. Ai i lejon adhuruesit dhe Iftari na jep një mundësi të madhe për t’u ulur së bashku dhe për t’u kthyer në trupin tonë. Unë vij nga Haifa, një qytet në Izrael që është i mirënjohur për bashkëjetesën e tij të bukur mes hebrenjve, myslimanëve, të krishterëve, Baha’i-ve dhe Druzëve. Ne jetojmë në bashkëjetesë dhe respektojmë jetët e njëri-tjetrit. Por më duhet të them se ajo që gjeta këtu në Shqipëri është diçka tjetër. Ju nuk bashkëjetoni vetëm. Ju jetoni në harmoni! Gjatë Krishtlindjeve e pashë këtë shesh të dekoruar dhe të gjithë festonin me ngjyrë të kuqe dhe jeshile. Këtë javë qyteti ka veshur gjysmëhëna dhe mbi zhurmën e përditshme të qytetit dëgjohet zhurma e Muazinit që thërret për falje. Uroj që vendlindja ime, lagjja ime Lindja e Mesme, të arrijë harmoninë që keni në Shqipëri. Shpresoj që edhe ju të bashkoheni me mua dhe të luteni për paqe. Në fund dua të them:Uroj t’ju pranohet agjërimi! Uroj që ushqimi juaj të jetë i shijshëm, uroj që mëkatet tuaja të falen”!
Në përfundim të darkës së iftarit, gjatë bisedave, u bënë dhe foto të shumta. Mediat e pranishme në këtë aktivitet, e pasqyruan gjerësisht atë.