Ditën e shtunë, më 2 prill 2023, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ishte në Vlorë, ku në mesin e shumë besimtarëve dhe dashamirësve bektashian, u përkujtua 423-vjetori i themelimit të teqesë së “Kuzum Baba”, aktivitet që përkoi me 10-vjetorin e ndarjes nga jeta, të ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhi.
Kjo teqe, ka një histori të madhe dhe një kontribut të rëndësishëm, ku pasqyrohet roli fetar e atdhetar i dervishëve dhe baballarëve të saj ndër shekuj.
Sejjid Ali Sulltan, është ky emër i Kuzum Babait (Quzum Baba). Ai u lind në Teqenë e Madhe të Ohros dhe u rrit e u edukua me besimin bektashian në Turqi. Me kohë, u vesh dervish dhe më vonë, u gradua baba. Pas viteve 1400, caktohet të kryej misionin e madh të besimit bektashian në Evropë dhe, më pas, në Shqipëri. Evliah Çelebiu, në vitin 1670, kur vizitoi Shqipërinë, shkroi për teqenë e Kuzum Babait, të cilën e quan ‘Teqeja e Sulltan Babait’. Ky njeri i shenjtë, niset me bekimin se do të arrinte të bënte gjithçka për popullin në Vlorë dhe në trevat e tjera shqiptare, për përhapjen e besimit bektashian. Por dashakeqësit nxitën qëllimin e keq, në pabesi, tek Qafa e Koçiut në Vlorë dhe i presin kokën. Për këtë, ka mendime të ndryshëm për vitet e themelimit të saj, 1400 – 1500, 1600. Legjenda thotë: Kuzum Babai, mori kokën e vet të prerë në duar dhe nën habinë e tmerrin e të pabesëve, eci drejt në qytet, në kodër. Një grup besimtarësh të lagjes “Murabije”, i ndodhen pranë dhe pasi Kuzum Babi shtrihet, ata e varrosin me ceremonitë e njohura fetare. Në këtë kodër të bukur që shikon qytetin e Vlorës dhe detin, u ngrit tyrbja e Kuzum Babait. Në vitet 1600, u ndërtua një teqe bektashiane, e cila pati shumë sukses dhe lulëzoi në veçanti, në shekullin e 17-të. Misionarët e Sulltan Mahmudit II, më 1826, e shkatërruan teqenë.
Në vitin 1914, teqeja e Kuzum Babait, u bë pritëse për qindra muhaxhirë, duke i mbajtur me bukë dhe gjellë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, italianët e kanë përdorur si një repart të vogël ushtarak. Pas vitit 1945, u restauruan ndërtesat dhe u ringrit tyrbja e Kuzum Babait, e cila, u mbyll me ndalimin e fesë në vitin 1967. U rihap në vitin 1992. Në ngjitje të kodrës Kuzum Baba, është vendosur busti i Dede Ahmetit (Kryegjysh Botëror në vitet 1950 – 1958), i cili pas çlirimit të vendit, ka bërë një punë të madhe në këtë teqe. Teqeja ka zhvilluar aktivitetin e saj në çdo periudhë dhe sot, është një nga qendrat më të rëndësishme për gjyshatën bektashiane të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë. Klerikët që kanë shërbyer në këtë teqe janë: Dede Ahmeti 1945-1948; dervish Qebir Metlliu; dervish Xhelo Sinani në vitin 1950; baba Abedin Agaj, vitet 1950-1956. Pastaj, teqeja, u kthye repart ushtarak dhe një pjesë e ndërtesës, nga viti 1956.
U lanë vetëm dy dhoma që shërbyen baballarë dhe dervish deri në vitin 1967. Objekti u mbyll, me ndalimin e fesë me ligj nga shteti monist. Teqe e madhe është ringritur mbi themelet e teqesë së vjetër, me një arkitekturë të bukur, dy katërshe, me punime me beton dhe tullë e suvatua, me të gjitha ambientet e nevojshme, nga baba Sadik Ibro,.Themelet u hodhën në vitin 2000 dhe u përurua në vitin 2003. Është e rrethuar me mure pranë dhe ka tyrben tip kupolë sipas traditës bektashiane. Sot shërben me periudha dervish Sali Peti dhe sekretar, Dragush Lila.