Të martën më 4 prill 2023, qyteti i bukur i Përmetit, vendlindja e Frashërllinjve të mëdhenj, u kthye në një qendër të një feste të bukur bektashiane. Kjo ditë, përmblodhi në këtë aktivitet: 12-vjetorin e ndarjes nga jeta, të ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhi; ditëlindjen shpirtërore të 21-të, të baba Hekuran Nikollarit dhe, u hodhën themelet e ndërtimit të teqesë së re, të baba Xhaferrit.
Në këtë event, të ideuar, realizuar nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në bashkëpunim me baba Hekuran Nikollarin, kishte një pjesëmarrje të jashtëzakonshme besimtarësh, drejtuesish vendorë, deputetësh, klerikë të besimeve të ndryshëm fetarë, studiues, historianë, grupe këngëtarësh e artistësh nga disa treva të vendit dhe shumë miq të ardhur nga gjithë krahinat e Shqipërisë, Kosova, Maqedonia Veriore, Mali i Zi e nga shumë vende të botës ku jetojnë e punoj ë besimtarë. Kishin ardhur gjithashtu dhe kryebashkiakët e Përmetit, Tepelenës, Memaliajt, Gjirokastrës, Këlcyrë, Mallakastrës etj…
Para dhe pas aktivitetit, pjesëmarrësit e shumtë ndoqën nga afër me interes dhe një ekspozitë fotografike me rreth 30 stenda, kushtuar tre ngjarjeve të mësipërme, përgatitur nën përkujdesjen e Nuri Çunit, Sekretari i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë Bektashiane.
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimajn, pasu u uroi mirëseardhjen të pranishmëve, vlerësoi tri ngjarjet dhe klerikët protagonistë të tyre, udhëhoqi Mevludin me këtë rast. Me interes u ndoq dhe kumtimi i historianit Kastriot Bezati, për këto ngjarje.
Në vijimësi, u krye ceremonie e hedhjes së themeleve për ndërtimin e teqesë së baba Xhaferrit, parapri me therjen e kurbaneve, ku guri i parë u vendos nga Kryegjyshi Dede Edmond Brahimaj, baba Hekuran Nikollari e Kryetarja e Bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha.
Këngët me motive bektashiane dhe një drekë vëllazërore, e bënë më të bukur këtë event bektashian.
SHENJTI DEDE RESHAT BARDHI
Reshat Bardhi ka lindur më 4 mars 1935, në fshatin Lusën të Kukësit. Në moshën 6 -7 vjeçare, fillon të mësojë shkrim e këndim në gjuhën shqip dhe arabisht.
Në vitin 1944 në Shqipëri, pasi Bardhajve u digjet shtëpia, vijnë e vendosen në periferi të Tiranës, shumë pranë vendit ku sot ndodhet Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Reshati vazhdon mësimet në shkollë ndërsa kohën e lirë e kalon me studime të Kuranit. Falë prirjeve fetare por e tolerancës dhe dashurisë tradicionale bektashiane ai hyn në biseda të gjata dhe të këndshme me dervishë dhe baballarë që ndodheshin në Kryegjyshatë.
Në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar, Reshat Bardhi ka tërhequr vëmendjen e Kryegjyshit Botëror të asaj kohe Ahmet Myftarit, i cili bëhet udhëheqës shpirtëror i Bardhit dhe sipas rregullave bektashiane e drejton atë në rrugën mistike të çelur nga Haxhi Bektash Veliu. Në gusht të vitit 1954, Reshat Bardhi vishet dervish. Për arsye se shteti komunist shqiptar, kishte projektuar rrënimin e besimeve fetarë, në vitin 1958 ai internon në fshatin Drizar të Mallakastrës, Kryegjyshin Ahmet Myftari, së bashku me dervish Reshat Bardhin.
Prej 1958 deri 1967, dervish Reshati do të provonte mbi shpinë një varg torturash psikike dhe fizike të kryera nga regjimi i kohës. Por ai nuk do të largohej nga udhëheqësi i vet shpirtëror dhe as nga praktikimi i riteve fetarë bektashianë. Në teqenë e Drizarit, do të shkonin fshehurazi besimtarë nga Kosova dhe Delvina, nga Kruja dhe Përmeti, nga Dibra e Vlora, nga Tetova dhe Skrapari. Me rrënimin e objekteve fetarë në Shqipëri në vitin 1967, dervish Reshat Bardhi do të shkonte në Tiranë, për të provuar të tjera dhimbje fizike dhe shpirtërore. Ka punuar deri në vitin 1991 si punëtor krahu duke mos e humbur për asnjë moment besimin tek Zoti… Me ringritjen e besimit fetar në vitin 1991, ai riorganizon bektashizmin në Shqipëri me gjithë strukturat e saj. Njëzëri nga organizmat ndërkombëtarë vendimmarrës më të lartë, Reshat Bardhi është shpallur Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, me titull “Dede”, në Kongresin e VI bektashian të vitit 1993. E gjallëroi besimin bektashian, ringriti nga themelet objektet e kultit brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Dha një shembull të shkëlqyer të tolerancës fetare. Ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca e takime ndërkombëtare të niveleve të lartë fetarë… Mbas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë më 2 prill të vitit 2011. Dede Reshati, është dekoruar me medaljen: “Pishtar i Demokracisë” 1993 dhe urdhrin “Naim Frashëri i Artë” 2005; Urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, në shtator 2015. Pas vdekjes, i jepet Urdhëri: “Flamuri Kombëtar” nga Presidentët e Republikës së Shqipërisë. Ai është dhe “Qytetar Nderi” i Tiranës, Krujës, Kukësit, Beratit, Frashërit, Kavajës, Bulqizës, Durrësit, Elbasanit, Gjirokastrës, Mallakastrës dhe në diasporë. Ai mbetet një figurë e shquar e bektashizmit në qëndrimin e palëkundur të udhës së Hakut, kontribuoi dhe ringriti bektashizmin në Shqipëri dhe konsolidoi lidhjet dhe bashkëpunimin me komunitetet bektashiane në botë.
XHAFERR SADIK DEDE (1874-1945)
Ish-Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Xhafer Sadik Dede, ka lindur në vitin 1874, në Gjirokastër, në familjen fisnike bektashiane, Baboçi. Pasi bëri shkollën në vendlindjen e tij me dëshirën e prindërve mori njohuri fetare në teqenë e Zallit, ku u bë dhe myhib e u vesh dervish. Rreth viteve 1902 shkon në Haxhi Bektash, në Turqi, ku përgatitet si klerik.
Këtu kreu vizita në vendet e shenjta të Lindjes, Irak, Iran, Siri, Egjipt. Më pas vjen në Përmet dhe shërben në teqenë e vjetër të këtij qyteti. Ai përkrahu gjithë patriotët në çështjen e çlirimit kombëtar në vitet 1908-1912. Teqeja e tij priste dhe përcillte luftëtarët e lirisë. Bashkëpunote ngushtë me teqenë e Alipostivani me baba Hajdarin, baba Abedinin e Frashërit. Mer pjesë aktivisht në mitingjet e abc-së në Përmet me klerikët e shquar baba Abedini i teqesë së Frashërit dhe baba Abdullai i teqesë së Alipostivanit. Kontributi i tij në Rilindjen kombëtare është i madh jo vetëm në Përmet por edhe Tepelenë, Gjirokastër etj. Në maj të vitit 1945
Këshilli Klerikal e zgjodhi Kryegjysh Botëror të Bektashinjve, punoi si Kryegjysh për katër muaj, deri në 8 gusht të vitit 1945, duke dhënë kontribut brenda dhe jashtë vendit. Organizoi dhe drejtoi Selinë e Shenjtë në të gjitha veprimtaritë e saj kombëtare dhe ndërkombëtare me përkushtim si një klerik i përgatitur gjatë gjithë jetës së tij. Por fatkeqësisht i ndodhin aksidenti fatal në rrugën Tiranë-Elbasan, u aksidentua rëndë dhe ndërroi jetë në spitalin e Tiranës. Eshtrat e tij prehen në tyrbet e dedelerëve në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Pas vdekjes është dekoruar nga Prsidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 1993 me “Urdhrin për veprimtari patriotike të klasit I-rë”. Ai mbetet një klerik i shquar i bektashizmit për kontributin fetar dhe atdhetar e përkujtojmë sot me nderim dhe respekt të veçantë nga gjithë besimtarët bektashian në Shqipëri dhe në botë.
BABA HEKURAN NIKOLLARI
Baba Hekurani u lind më 7 shtator të 1963 në Seniçan të Përmetit. U rritën përmes halleve, por me dashurinë e madhe të prindërve, të cilët i dhanë ndershmërinë, mirësinë, arsimin, urtësinë, dashurinë për Shqipërinë. Baba Hekurani kreu shkollën fillore dhe shkollën 8-vjeçare “Riza Velçishti” në Seniçan, më tej filloi shkollën e mesme “Kamber Bënja” në Bënjë. Pas 2 vitesh, i detyruar nga vështirësitë ekonomike të familjes, e ndërpreu shkollën dhe filloi punën në kooperativën e Mërtinjit, pastaj në Bonifikimin e Përmetit, në Ndërmarrjen e Ujërave Këlcyrë dhe në Shfrytëzim-Përpunimin e Drurit të Përmetit. Më 1992 emigroi në Greqi. Në vitin 2000 u kthye në atdhe, në Seniçan. E ktheu ndërgjegjja kombëtare dhe idetë atdhetare dhe bektashiane të Dede Reshat Bardhit dhe të Baba Aliut të Alipostivanit. Në Seniçan rindërtoi Mekamin në vendin e quajtur “Ahuri i Nakove”, i cili edhe sot quhet “I miri i Nakove”. Më 22 mars 2001 shkoi në Alipostivan. Teqja ishte e shkatërruar në vitin 1967… U mbështet te familja e Refat Hasimit me tradita atdhetare. Me Refati i cili ishte usta, së bashku me Demir Elmazin dhe besimtarët e Alipostivanit, ngritën në fillim tyrben e Baba Ali Horasanit. Për këtë pati bekimin dhe mbështetjen e Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi. Më 04 prill 2002, pasi qëndroi disa ditë pranë Selisë së Shenjtë në Tiranë, Haxhi Dede Reshat Bardhi, i veshi rrobën e bektashiut. U emërua dervish në teqenë e Baba Ali Horasanit të Alipostivanit. Këtë ditë baba Hekurani e ka të shenjtë, ditëlindja shpirtërore. Në vitet 2007-2009 emërohet dhe punon si dervish në teqenë e Frashërit, të cilën e ringriti dhe ruajti orgjinalitetin e monumentit të historisë dhe kulturës të kësaj teqeje të famshme sot është një mrekulli e vërtetë. Disa vite bëri shërbime në teqenë e Kulmakut Tomorr. Me Dekretin e Shenjtë, Nr. 7 datë 29.12.2009, të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, shenjtorit Haxhi Dede Reshat Bardhit, iu dha titulli ‘Baba; dhe u emërua Baba i teqesë së “Baba Nasibiut” të Frashërit, të teqesë së “Baba Aliut” në Alipostivan dhe të teqesë së “Baba Xhaferit” në qytetin e Përmetit. Baba Hekurani është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Këshilli i Bashkisë së Poliçanit, Titullin “Nderi i Frashërit” nga Këshilli i Komunës së Frashërit, me Vendimi Nr. 19, datë 21.03.2015) dhe nga Presidenti i Republikës, me “Urdhëri Naim Frashëri i Artë”. Me punën e tij të palodhur drejton teqenë e Alipostivanit, Frashërit dhe po bën përpjekje të mëdha për ndërtimin e teqesë së baba Xhaferit në Përmet. Me autoritetin e tij dhe klerikut të devotshëm ka fituar admirimin respektin dhe dashurinë e gjithë besimtarëve dhe dashamirësve jo vetëm të Përmetit por edhe më gjerë. Me punën e tij të devotshëm ka bërë indentifikimin e të gjitha teqeve, tyrbeve dhe vendeve të mira në Përmet. Ngriti nga themelet teqenë e Cfratit në Bual të Përmetit, me një tyrbe të mrekullueshme. Po lufton dhe bënë përpjekje të mëdha që teqetë e tyrbet në rrethin e Përmetit të kthehen në origjinën e tyre. Puna e tij është një kontribut i veçantë për bektashizmin.
TEQEJA E BABA XHAFERRIT
Teqeja E ‘Baba Xhaferrit’, ndodhet mbi qytetin e Përmeti,t në rrëzë të malit Nemërçkë. Bashkia e Përmetit. Është themeluar nga Bektash Babai në vitin 1861, i ndihmuar nga Haxhi Ali Haqi i Gjirokastrës. Baballarët dhe dervishët e teqesë së baba Xhaferit kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në rilindjen kombëtare, sidomos për përhapjen e gjuhës shqipe. Ishte një teqe e pasur me toka dhe vreshta. Në vitin 1905 ka shpërndarë bukë për nevojtarët. Teqeja priste dhe përcillte luftëtarët e lirisë dhe bashkëpunonte ngushtë me teqenë e Alipostivani me baba Hajdarin, baba Abedinin e Frashërit, etj. Baba Xhemali, me baba Abedinin e Frashërit, në vitet 1908-1912, dhanë kontribut në shpalljen e Pavarësisë. Në vitin 1915, teqenë e zaptuan grekët dhe e kthyen në kazermë. Baba Xhemali, në dhjetor të vitit 1918, mori pjesë në Kongresin e Durrësit. Më vonë filloi funksionimi i teqesë, me baba Xhaferin. Baba Xhaferi dhe baba Kamber Prishta, në janar të vitit 1930, pritën Sali Niazi Dede në Sarandë dhe e shoqëruan në teqenë e Sukës, Këlcyrës dhe Përmetit… Baba Xhaferin, për meritat e tij, e zgjodhën Kryegjysh Botëror të Bektashinjve në vitin 1945. Ai drejtoi punimet e Kongresit IV Bektashian në Tiranë. Teqeja mbyll nga shteti monist në vitin 1967. U rihap në vitin 1995 me një tyrbe tip kupolë. Kjo teqe është nën drejtimin e baba Hekuranit nga viti 2002.
Përgatiti: Kujtim BORIÇI
Fotot: Ardian KOXHERRI