TË HËNËN MË 1 MAJ, DITË E PELEGRINAZHIT BEKTASHIAN, NË “DURBALLI-SULLTAN”- GREQI

Dede Edmond Brahimaj: Teqeja 543-vjeçare e ‘Durballi-Sulltan‘, në Volos të Greqisë, si në aspektin fetar, ashtu dhe atë atdhetar, ka një histori e kontribute të konsiderueshme në historinë e Bektashizmit.

E hëna e një majit, dita e pelegrinazhit tradicional bektashian, në teqenë e lashtë “Durballi Sulltan“, në Volos të Greqisë, që përkon me 543 vjetorin e themelimit të saj, është një ditë e shënuar, jo vetëm për besimtarët vendas, për klerikë e besimtarë të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, nga shtetet e Ballkanit e më gjerë. Do të jenë në këtë aktivitet dhe personalitete shtetërore, diplomatë e personalitete të fushave të ndryshme. Në këtë ditë të shënuar, ky ven i shenjtë mbledh besimtarë e dashamirës nga shtete të ndryshme, që flasin gjuhë të ndryshme, por që i bashkon besimi i paqtë bektashian, ndjenja, besimi tek Zoti, dëshira e përkushtimi për më shumë paqe, dashuri, vëllazëri, humanizëm e përkushtimi për ditë më të mira për gjithë njerëzimin, pa dallim besimi fetar, etnie dhe ngjyre. Si zakonisht, pelegrinazhi zhvillohet nga Selia e Shenjtë Bektashiane, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. “…Teqeja e lashtë ‘Durballi-Sulltan‘, në Volos të Greqisë, ka një histori e kontribute të konsiderueshme në historinë e Bektashizmit, si në aspektin fetar, ashtu dhe atë atdhetar. Njëkohësisht, ajo ka shërbyer dhe si shkollë ku kanë punuar, shkolluar, jetuar e drejtuar dervish e baballarë, që kanë bërë emër. Dua të theksoj, se kjo teqe, ka shërbyer dhe do të shërbej dhe në të ardhmen, për forcimin e miqësinë mes vendeve fqinj të Ballkanit e më gjerë…”- pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj.
Organizatorët konfirmojnë se në aktivitetin e së hënës, krahas riteve tradicionale, përshëndetjes së Kryegjyshit Botëror Bektashian e personaliteteve, pjesëmarrësit do të vizitojnë dhe një foto-ekspozitë të historisë së kësaj teqeje 543 vjeçare, përgatitur nën përkujdesjen e Nuri Çunit, Sekretar i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë Bektashiane.

HISTORIK I SHKURTËR

Teqeja e famshme e “Durballi Sulltanit”, u themeluar në vitin 1480, në Farsala të Greqisë dhe sipas dokumenteve të kohës, është një tregues për hershmërinë e ngritjes së teqeve në Ballkan. Ajo ndodhet afro dy kilometra në jug të fshatit të vogël Asprogeion të bashkësisë Eretrias të Farsalës dhe është 28 kilometra nga Farsala e, 72 kilometra nga Larisa.
Teqeja e mori emrin nga misionari i saj, që punoi me përkushtim jo vetëm për themelimin e teqesë, por dhe përkushtimin e kontributin e madh që dha në vitet 1480-1552. Durballi Sulltani, ky misionar, ishte dërguar nga Sejid Ali Sulltani, i teqesë së Dimotekës në Bullgari, i cili hodhi farën e bektashizmit në Ballkan dhe themeloi teqenë e parë bektashiane në Farsalla (Thesali) të Greqisë. Ai ka qenë një nga shenjtorët e mëdhenj dhe njihet si i tillë dhe sot, nga e gjithë popullata greke e vendosur në viset rreth e rrotull teqesë.
Teqeja përbëhet nga një kompleks ndërtimesh, nga dy njësi hapësinore, varrezat dhe tempulli kryesor. Në hapësirën e varrezave gjenden varret e dervishëve dhe në anën perëndimore, dy tyrbe, ku janë varrosur baballarët. Hapësira e teqesë kryesore, përbëhet nga ndërtime të ndryshme, hapësira banimi, mikpritjeje, adhurimi (falje), furra, kuzhina etj.
Nga viti 1480 e deri në dhjetor të vitit 1972, drejtuan këtë teqe, 33 baballarë. Në këto kushte, aktualisht, kjo teqe ruhet e mirëmbahet nga besimtarë bektashian, që jetojnë e punojnë në këtë trevë. Shënohet, se në Ireni teqe, qysh prej vitit 1925 ishin strehuar shumë shqiptarë. Ndërkaq, në fillimet e dhjetëvjeçarit ’50, shteti grek, për arsye të ‘gjendjes së luftës’ me Shqipërinë, e bllokoi pasurinë e teqesë në Farsala në sekuestrim ruajtës. Me gjithë kundërshtimet e Sait Babait dhe me gjithë të drejtën e tij, në vitin 1960, 13.000 dynymë, fileta e pasurisë, u tjetërsuan dhe u ndanë tek njerëzit pa pronë. Me vdekjen e Sait Babait, në 1973, kjo teqe mbeti në harresë.
Në këto kushte, aktualisht, kjo teqe ruhet e mirëmbahet nga besimtarë bektashian, që jetojnë e punojnë në këtë trevë.

VLERËSIME TË STUDJUESVE

Për historikun e teqesë dhe klerikët bektashianë të teqesë së Volosit, ndër shekuj, kanë bërë vlerësime personalitete të lartë fetarë, shtetërorë, studjues e shkencëtarë shqiptarë, grekë dhe nga vende të shumta të botës. Përmendim ndër ‘ta: Baba Rexhebi në librin “Misiticizma Islame dhe Bektashizma”, Tiranë 2006; George Mavrommatis, Monuments and Communities, ‘Bektashism in 20th Century Greece’, 2005; Ciakumis, Georg Panajiotis, në librin në dorëshkrim (përkthim i vitit 2011), ‘Teqeja e Bektashinjve në Ireni të Farsalës’; Sterjiopulos, Dhimitër, në ‘Teqeja shqiptare e Shën Georgios në Rini të Fasalës’, Meteora, vëll. 36, viti 1982; Thomas, Georgos, në ‘Refleksione dhe kujtime në manastirin e teqesë, Vatra Thesaliane” vëll. 33-34, viti 1978; Robert Elsie, në librin ‘Bektashinjtë Shqiptarë, historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan”, Prishtinë 2020; Niko Stillos në librin, ‘Teqetë në Greqi‘, viti 2017; Sabri Godo, në librin, Ali Pashë Tepelena”; Fahri Maden, në “Bektasi Tekelerinin Kapatilmasi (viti 1826); “Myllja e Teqeve Bektashiane në1826”, Tiranë 2022; Gazeta e Valtinu, me studimini “Teqetë e Trikallës gjatë periudhës otomane”; Friedrich Ëilhelm Hasluck, në “Christianity and Islam under the Sultans”; Andreas Karavicas, me ‘Teqe e Bektashinjve, Apanda, Karkavica, Athinë 1973’; Taqi Kabili në gazetën “Kathimerini”, 8 nëntor 2016; Panajotis Jeor Ciakumis, me ‘Teqeja e Bektashinjve ne Ireni të Farsallës; gazeta e 29 qershorit 1881, J. Prv. V. Kallojanis, ‘Libri i artë i Bashkisë së Larisës’, Larisa 1963; Aqis Vajraqiotis, me librin ”Teqeja e Bektashinjve në Farsalla”, Kalendari i Thesalisë, Vëllimi 25 (1994); Ëilliam Martin Leake, ‘Travels N. Greece’, vëllimi VI, f. 444; Arj. Petronotis, ‘Vepra Arkitekturore të periudhës Otomane të Almirosë së Thesalisë’, në Kongresin e dytë të studimeve të Almirosë, vëllimi i II-të, (viti 1997); Evlija Çelebi, “Libër Udhëtimesh (Seyahatname)”, vëllimi i 8-të; “Kalendari i Thesalisë”, vëllimi 38 (viti 2000) etj… Ja dy shembuj:
Studiuesi Georgios Thomas (Volos):“…I fundmi shqiptar zemërmirë i teqesë (Baba Seiti), ta prijë në një vizitë në dhjetëvjeçarin 1960, ta përcjell dhe ta shëtisë këndej e andej me harkan e gjelbërt dhe me taxhin, me zymbylin e Indisë në duar, thua se ishte nderje e ca figurave biblike të endet në ndërtesat e vjetra’. Baba Seiti më tha: ‘Që thua, njeriu im i mirë, njerëzia dhe vegjëlia rrinin në këtë gërmadhë, veçan dervishëve, dyqind persona të tillë aso kohe. Të lëmë një të krishterë udhëtar përjashta? Kurrë, kurrë. Çdo të thotë shqiptar apo grek, i krishterë apo mysliman? Amin, a nuk jemi të gjithë njerëz të Perëndisë? Një Zot ekziston, Atij i faleni ju, Atij edhe ne. A nuk e tha Krishti ‘Duajeni njeri-tjetrin‘“.
Tsakumis Panajiotis: Biseda me baba Seitin, viti 1960: “Atë Zot që ju besoni, atë besojmë edhe ne… Shikoni ikonën e Shën Gjergjit? Këtë ikonë a nuk e keni dhe ju në kishat tuaja?..“

DITA E PELIGRINAZHIT

Dita e pelegrinazhit në teqenë e ‘Durballi-Sulltan‘ në Volos të Greqisë, sipas organizatorëve, përfshin një sërë aktivitetesh. Përveç riteve tradicionale, përshëndetjeve, është përgatitur e pritet të ndiqet me interes, dhe një ekspozitë fotografike, “Historia e teqesë, nëpërmjet fotografive“. Sipas Nuri Çunit, në stendat e kësaj ekspozite, ka fotografi të kohës, deri tek pelegrinazhi i fundit, shoqëruar dhe me diçidurat përkatëse. Po ashtu, janë afishuar dhe portrete të klerikëve ndër shekuj, ekstrate të dokumenteve të ndryshme, vlerësime të personaliteteve të njohur botëror për këtë teqe e klerikët e saj etj… Po ashtu, për masat dhe mbarëvajtjen e pelegrinazhit, një rol të rëndësishëm luan komuniteti i emigrantëve shqiptar në shtetin fqinj, drejtuar nga Saimir Osmëni.
Gjithashtu, aktiviteti do të ndiqet e pasqyrohet dhe nga medie.

DEDE EDMOND BRAHIMAJ

…Pelegrinazhet bektashiane, janë aktivitete tradicionale, që zhvillohen për data e ngjarje, që lidhen kryesisht me themelimin e objekteve bektashiane. Teqeja e lashtë ‘Durballi-Sulltan‘, në Volos të Greqisë, ka një histori e kontribute të konsiderueshme në historinë e Bektashizmit, si në aspektin fetar, ashtu dhe atë atdhetar. Njëkohësisht, ajo ka shërbyer dhe si shkollë ku kanë punuar, shkolluar, jetuar e drejtuar dervish e baballarë, që kanë bërë emër. Pas vitit 1990, lëvizja e lirë dhe emigrimi, ka bërë që në këtë trevë të vijnë të punojnë dhe shumë emigrant nga Shqipëria, të cilët, krahas të tjerave, po kontribuojnë për mirëmbajtjen e kësaj teqeve, dhe shpresojmë që në vijimësi, këtij objekti të lashtë bektashian, ti rikthehet lavdia e dikurshme. Dua të theksoj, se kjo teqe, ka shërbyer dhe do të shërbej dhe në të ardhmen, për forcimin e miqësinë mes vendeve fqinj të Ballkanit e më gjerë…

KLERIKËT QË SHËRBYEN NË DURBALLI-SULLTAN

Nga viti 1480 e deri në dhjetor të vitit 1972, këtë teqe E drejtuan, 33 baballarë. I fundit ka qenë, baba Seit Koka, nga Vëndresha e Skraparit.

-Durballi Sulltan Babai, 1480-1522
-Baba Musai nga Bagdadi, 1522-1553
-Shahin baba Horasani, 1553-1581
-Xhafer baba Halepi, 1581-1596
-Haxhi Ali baba Misiri, 1596-1604
-Tajar baba Skenderuni, 1604-1627
-Kasim baba Bagdad, 1627-1643
-Emin baba Qerbelaja, 1643-1655
-Muatafa baba Lahori,1655-1660
-Zenel Abidin baba Basra,1660-1663
-Jahja Hadi baba Kërsheheri, 1663-1680
-Shemsudin Ali Baba, 1680-1694
-Sejjid Maksud baba Bagdadi, 1694
-Sali Ali baba Bagdadi, 1713-1725
-Mensur baba Basra, 1725-1736
-Et-hem Neki baba Erzurumi, 1736-1744
-Selim baba Bagdadi, 1744-1753
-Hysen baba Tirana, 1753-1779
-Hasan baba Gega, 1779-1794
-Hasan baba Dibra, 1794 vetëm
-Ahmet baba Gega, 1794-1802
-Mehmet baba Ipeku, 1802-1809
-Mahmut baba Gega, 1809-1811
-Xhemali baba Gjirokastra, 1811-1815
-Xhemal baba Konica, 1815-1819
-Hysen baba Gega, 1819-1845
-Muharrem Mahzuni Baba, 1845-1867
-Arshi Baba, 1867-1869
-Bajram baba Përmeti, 1869-1904
-Nazif baba Koplara, 1904-1905
-Tahir baba Bubzi, 1905-1919
-Qazim baba Berati, 1919-1942
-Sejjid baba Skrapari, 1942-1972

Përgatiti: Kujtim BORIÇI
Fotot:
A. KOXHERRI
N. ÇUMANI

 

LAJMËRIM

Në orën 11:00 të ditës së hënë, 1 maj 2023, në teqenë “Durballi-Sulltan”, në Volos-Greqi, zhvillohet pelegrinazhi tradicional vjetor.

Jeni të mirëpritur!

SELIA E SHENJTË BEKTASHIANE, TIRANË