Reportazh nga Greqia: Mes një feste bektashiane që shpalos dashuri, mirësi, kënaqësi dhe unitet mes njerëzve, pa dallim besimi fetar, race, etnie e ngjyre
DITË E PAQTË BEKTASHIANE, NË
PELEGRINAZHIN TRADICIONAL NË TEQENË ‘DURBALLI-SULLTAN’, LARISA, GREQI
Nga Kujtim BORIÇI
Më shumë klerikë e pjesëmarrës se viti paraardhës; më tepër afrimitet e dashuri mes vëllezërve besimtar që flisnin gjuhë të ndryshme; përfaqësues të medies vendase, asaj ndërkombëtare, deri nga Franca, Amerika, Kanadaja etj; intelektualë e akademikë helenë; më shumë aktivitete e risi, përgatitur enkas për këtë ditë; më tepër angazhim paraprak nga organizatorët; më tepër besim e shpresë për ditë më të mira në të ardhmen! Këto ishin përmbledhësi, të veçantat kryesore në pelegrinazhin tradicional vjetor, zhvilluar, të hënën më 1 maj 2023, në teqenë e njohur bektashiane të ‘Durballi-Sulltan’ në Larisa të Greqisë.
PERSONALITETET PJESMARRËS DHE CEREMONIA
Një garanci e mirë për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, përgatitur e drejtuar nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ishin masat që u morën paraprakisht nga organizatorët (emigrantë shqiptar) që punojnë e jetojnë në shtetin fqinj. Gjithashtu, krahas të tjerave, pjesëmarrësit e shumtë në këtë ditë pelegrinazhi, ndoqën me interes dhe një ekspozitë fotografike për udhën 443-vjeçare të kësaj teqeje të njohur, përgatitur nga Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë Bektashiane.
Ndër personalitete që morën pjesë në këtë aktivitet ishin dhe: Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; Arqile Sota, Konsull i Republikës së Shqipërisë në Selanik; klerikë bektashian nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Turqia dhe teqetë bektashiane brenda e jashtë Shqipërisë;
Prof. Vassiliki Yiakonamaki, pedagoge e Universitetit të Volosit; Prof. Karem Barkey, profesore në Baard-Colege të Nju Jorkut, SHBA; Prof. Dionigi Albera, drejtoreshë CNRS, University Aix-Marseile, Francë; Semir Pintul, nga Mostar-Bosnie etj…
…Fillimisht, pjesëmarrësit që kishin mbushur sheshin e ‘Durballi Sulltan’, shoqëruan Himnin Kombëtar të Greqisë; Himnin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe Himnin Bektashian.
PËRSHËNDETJA E DEDE EDMOND BRAHIMAJT
Pastaj përshëndeti të pranishmit, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ai, i ftoi të pranishmit që të mbajnë një minut heshtje, në kujtim të viktimave të tragjedisë hekurudhore të marsit të këtij viti, në Larisa të Greqisë.
Ndër të tjera, në fjalën e tij, Dede Edmond Brahimaj, tha: “Të nderuar besimtarë e miq që keni ardhur sot këtu, në këtë vend të shenjtë, në këtë ditë pelegrinazhi tradicional, për të kujtuar së bashku 543 vjetorin e themelimit të teqesë “Durballi Sulltan”, të këtij objekti me rëndësi të veçantë në historinë tetëshekullore të besimit tonë të paqtë bektashian! Si Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, u bekoj dhe u uroj të gjithëve: Paçi gjithmonë shëndet, begati, gëzim e harmoni në familjet tuaja! Zoti u bekoftë! …Duke përkujtuar këtë ditë të shënuar, në këtë atmosferë vëllazërore, në komunikim me gjuhë të ndryshme por me zemër të dlirë, sot konstatojmë se jemi më shumë në numër, se një vit më parë, jemi më të paqtë me vete dhe me shpresë, me besimin tek i Madhi në Zot, se në të ardhmen do të kemi ditë më të mira. Se do të kemi më shumë dashuri e harmoni me njeri-tjetrin, pavarësisht kombësisë, racës, ngjyrës, etnisë e besimit, më shumë dlirësi e harmoni, më shumë bashkëpunim, më shumë respekt të ndërsjelltë dhe humanizëm. E gjykoj me vend, që të theksoj se ngritja e kësaj teqeje gati 5 shekuj e gjysmë më parë, shënoi si pikë e rëndësishme për shtrirjen numerike e gjeografike të besimtarëve e institucioneve bektashiane. Në këtë hapësirë, shkëlqen, bën e do të bëj dritë dhe kontributi i 33 klerikëve që kanë drejtuar këtë teqe, duke filluar që nga Durballi Sulltan Baba që nga viti 1480, drejtoi këtu për 32 vjet, deri tek Sejid Seifi Baba Vëndrezha, që e drejtoi atë për plot 30 vite, pra deri vitin 1972. Siç theksova, ky objekt bektashian i lashtë, në Farsalla (Thesali),u themelua nga Durballi Sulltan, misionar i dërguar nga Sejid Ali Sulltani, i teqesë së Dimotekës në Bullgari, i cili hodhi farën e bektashizmit në Ballkan dhe themeloi teqenë e parë bektashiane në këtë trevë. Nga viti në vit, nga dekada në dekadë, mes vështirësive e sfidave pa mbarim, ajo u bë shembull dhe një shkollë për besimin tonë dhe shoqërinë. Peripecitë e shumta që ende vazhdojnë, vështirësuan funksionimin normal të saj, derisa pas vitit 1990, nisi hapi i parë i rikthimit në ritet tradicionale bektashiane. Shpresojmë që me ndihmën e mirëkuptimin e strukturave shtetërore, rregullimin ligjor të disa pengesave, së pari me besimin tek i Madhi Zot, të arrihet sa më shpejt ajo që duhet. Me këtë rast, unë dua të falënderoj sidomos besimtarët emigrantë, Ambasadorët e Shqipërisë, konsujt e të gjithë trupin diplomatik Shqiptarë që na është gjendur afër e na ka mbështetur në këto nisma, dhe ngremë zërin e bëjmë thirrje që Teqeja Durballi Sulltan, t’i rikthehet Qendrës Botërore të Bektashinjve, e të gjithë besimtarëve bektashinj jo vetëm në Greqi por në mbarë botën, të falen në këto objekte të shenjta lirisht, për ta nxjerrë nga rrënimi dhe amortizimi i kohës këtë thesar të çmuar të historisë së besimit bektashian. Atëherë shpirti i këtyre baballarëve e dervishëve që kanë shërbyer në këtë vend të Shenjë të prehet në Paqen e amëshuar dhe brezi i sotëm e ata që do vijnë, të vazhdojnë në atë rrugë të ndritur. Për këtë, ne, të gjithë së bashku, kemi dëshirën dhe shpresën, pasi kemi gjithashtu dhe një histori të pasur të traditës së bashkëjetesës, dokumentuar me dokumente autentike, nga teologë, historianë, përfshi dhe ato grekë. Si Kryegjysh Botëror Bektashian, unë u pohoj se ashtu si të gjitha objektet dhe besimtarët bektashianë në gjithë botë, dhe kjo teqe ku jemi mbledhur sot, ka qenë dhe do të jetë në vëmendjen tonë. Me durimin, maturinë, pjekurinë, tolerancën dhe me bashkëpunimin e mbështetjen e strukturave vendase, me besimin e palëkundur tek Zoti, ne shpresojmë se do bëjmë më të mirën. Njerëzimi sot po kalon sot një situatë të vështirë, ekonomike, sociale dhe të ekzistencës fizike e shpirtërore, deri në luftëra absurde të përgjakura. Shpresoj dhe besoj që kjo situatë, të marrë fund sa më shpejt. Ndaj bëj apel që të gjithë, pa dallim kombësie e feje, të bëhemi barrikadë e dhunës, barrikadë e së keqes, duke predikuar e ushtrua të mirën, paqen, harmoninë, respektin, dashurinë dhe forcimin e harmonisë fetare. Harmonia fetare është e Shenjtë e duhet të përcillet në breza, se vetëm kështu ushqehet dashuria në zemra e përkushtimi ndaj njëri-tjetrit.”
KONSULLI ARQILE SOTA
Në vijimësi, fjala për të përshëndetur, iu dhe z. Arqile Sota, Konsull i Shqipërisë në Selanik. Ai vlerësoi rolin e besimit bektashian dhe të Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj në forcimin e bashkëjetesës fetare, paqes e dashurisë mes njerëzve pa dallim përkatësie etnike e besimi, si dhe premtoi angazhimin institucional zyrtar për hapësira më të mira për ushtrimin e besimeve fetare, për nevojën e ruajtjes e mbajtjes së traditës së trashëguar nëpërmjet historisë afro pesë shekuj e gjysmë të teqesë ‘Durballi Sulltan’. “…Personaliteti i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, roli i Tij si klerik dhe misioni shoqëror i Tij, në të mirë të besimtarëve e njerëzimit pa dallime besimi fetar, kombësie, race e ngjyre; predikimi dhe apeli për paqe e dashuri njerëzore, për besimin e palëkundur tek Zoti, solidariteti, humanizmi, janë faktor të rëndësishëm dhe të vlerësuar. Jam i lumtur dhe i detyruar që në këtë mision, ti gjendemi pranë…”- shtoi mes të tjerave në përshëndetjen e tij, diplomati Sota.
NJË DHURATË DOMETHËNËSE
Në fjalën e tij, në emër të besimtarëve e komunitetit të emigrantëve në Greqi, foli Saimir Osmëni. Përshëndetja e tij, në dy gjuhë, në shqip dhe greqisht, Ai i dhuroi Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj një portret të Dede Reshat Bardhit, ish Kryegjyshit Botëror Bektashian, ku ishte fiksuar porosi e Tij: “Çuna! Shkoni e shikoni, si e kam Durballi-Sulltanin!”. Pas marrjes së kësaj dhurate, Dede Edmond Brahimaj, ndër të tjera tha: “…Ndjehem i befasuar për këtë dhuratë të vëllezërve tanë bektashinj, këtu në Durballi-Sulltan, në Greqinë fqinje. Kjo foto e myrshidit tim, Dede Reshat Bardhi, shoqëruar me këtë dedikim-amanet, na bën që në punën tonë, të bëjmë gjithçka në përmbushjen e misionit që kemi, të krijojmë hapësirat e duhura ligjore e logjistike, që ky objekt bektashian, por dhe të tjerë që ndodhen kudo në botë, të jenë streha paqeje për besimtarët e njerëzimin. Unë i falënderoj dhe i bekoj vëllezërit që më dorëzuan këtë dhuratë të tymuar. Zoti i Madh i bekoftë ata dhe familjet e tyre!”.
Ishte kjo një dhuratë surprizë, që u duartrokit dhe u mirëprit nga të pranishmit, simbolikë e cila e bëri më të paqtë atmosferën e kësaj dite festive bektashiane.
EJKSPOZITA DHE MEDIA
Të pranishmit, pas ceremonisë e në vijimësi, ndoqën me interes ekspozitën “Teqeja Durballi-Sulltan, në 543 vjetorin e saj të themelimit”. Nuri Çuni, në rolin e ciceronit, u shpjegoi hollësi për dokumentet dhe fotot e afishuara nëpër stenda, veçanërisht, gazetarëve të shumtë, vendas dhe të huaj.
Kryegjyshi, Dede Edmond Brahimaj, takoi gjithashtu dhe iu përgjigj interesit të shumë gazetarëve vendas, nga Europa e SHBA.
Ritet dhe këngët e valleve bektashiane, (mes të tjerëve ishte dhe këngëtari i njohur Ylli Baka), vazhduan në shesh e dhjetëra tavolina të improvizuar mes burimeve të kthjellët e gjelbërimit mahnitës të pyllit masiv, deri në orët e vona të mbrëmjes.
Ditën e pelegrinazhit dhe të nesërmen, Kryegjyshi Botëror Bektashian, pati ftesa e bëri vizita dhe në institucionet vendore e faktorë të tjerë shoqëror të komunitetit vendas.
Mediet e pasqyruan gjerësisht këtë pelegrinazh.
Fotot:
Ardian KOXHERRI